SYRGJYNIMI nga Dhimiter Nica

Dhimitër Nica

SYRGJYNIMI

Na degdisën nga vendi i nënës,
na flakën larg, shumë larg…
Na lanë tërë kohën me zemër të vdekur,
me kafkë të shqyer e lot të vrarë…
Për të qenë gjithmonë larg, shumë larg…
Për të pasur në tymrat e xhunglës
edhe litarët e Tarzanit
( i shëndrruan në shamira të kobshme)
të hedhura rreth qafës,
për të ndaluar lëvrimin e frymës
nëpër fyejt e hundës…

Na ngjeshën mbi karroca të vjetra,
në gomone të çara,
pa frymë e shpëtim…
Na hodhën në kaike të ndryshkura,
na flakën Mesdheut të hapur,
nën “hanxharët” e peshkaqënve
të bardhë e të zinj…

Na shtruan përpara brumbuj e llumra,
pa peshuar lëndimet e dhimbjet,
thellë në pore pambarim.
Na degdisën nëpër xhungla,
me krahë të thyer, këmbëthyer,
netëve pus të thella,
pashpresë e shërim…
Na shtynë në kthetëra ujqërish,
në gojëra luanësh të uritur,
ku era e gjakut të mpiksur
kundërrmonte xhunglat
e ndillte sorrat dhe korbat për ushqim…

Na luftuan njëlloj si ujqërit
e sot na kafshojnë
si çakenjtë në mugëtirë…
Na syrgjynosën larg, shumë larg,
pesëqind vjet nga ti…, atdheu im!
Dhe mos harro, se pjella më e keqe
janë dhe mbeten ca kokrra bukshkalësh,
dalë nga fara e keqe, në kohë karnavalesh,
për të thithur e për të prerë
pjesën e fildishtë e të pastër,
nga trupi yt në lëngim…, atdheu im!

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.