NJË SI BALADË PËR HAJDUTIN TIM
m’u bë shkop druri lapsi në dorë
e zura t’u grahja reve të zeza të murrme
reve të bardha të mendimit
livadhit të kaltër të qiellit
bari me trastën bosh
e me tinguj të begatë të fyellit
e çuditshme më erdhi kjo grigjë e përzier
ndoshta më e ngjashmja me grigjën e njerëzimit
ti ndaheshe prej saj netëve pa hënë
nga zhguall i padukshëm e mësyje
shtëpinë time në fshat
si një nënë të vetmuar që i biri plëngprishës
e kishte braktisur e kishte lënë
e thyeje portën dritaren dhomën e fëmijëve
dhomën e librave kuzhinën
e i trazoje minjtë që kërkonin thërrime
një herë dy tri… gjashtë herë…
pastaj vara çelësin në derë
dhe shkrova një copë letër:
është e hapur, mos e thyej
merr çfarë të duhet dhe ik
gjërat që më duhen mua i kam me vete
dikur dikushët trokitën dhe te ti
trokitën po nuk të gjetën
emrin tënd kishin gjetur megjithatë
dhe e dhanë: PERSON NË KËRKIM
grigja e reve të mendimit tim
qiellit të murrëtyer
çuditërisht m’u bë trishtim
sidoqoftë çelësin e ke ende në portë
kur të të mbyllen të gjitha shtigjet
aty mund të gjesh strehim të përkohshëm
të mjaftueshëm për reflektim
_____________________________
* Pretendente për “Antologjinë e zezë”