TERR PA TY nga Rexhep Shahu

Rexhep Shahu

***
Bëj çfarë të duash
po deshe mbyte sërish Titanikun
po sërish ti do jetosh
e ai do të vdesë në ty…
***

Nëse ndonjëherë ndjehesh bosh
I rënë përtokë dhe s’të jetohet
Kujto, a ke kënd të falenderosh
A ke pse në jetë të falenderohesh.

Provoji të gjitha provoji
Marrëzi, dashuri, pasuri
Por nuk ka privilegj si mirënjohja
Nëse me zemër ta shpreh një njeri.

***
Kur i thanë në gjyq poetit Frederik Reshpja
I pandehur, a je dakort me akuzën
Jo, tha ai.

Pse jo, e pyeti gjyqtari
Se veç të tjerash, tha poeti
Aktakuza ka shumë gabime ortografike.

Terr pa ty

Në majë të thikave të inatit rri hëna
S’di a e sheh fytyrën time ngjyrë vdekje
Që malli për ty e zbeh më shumë.

Vidhet majë lisave ku s’mbërrin fjala
Puthet me malet
Troshitet gurëve nëpër Dri
Mbytet në detin e syve të mi.

Jam terr
Natë e gjatë pa ty.

Deti

Nuk dite ta lexosh detin zemra ime,
Nuk munde, e more lehtë librin e anijeve
Historinë që anija shkruan 
Kur rrëshqet mbi sipërfaqen e ëndërrt të ujit,
Kur hy në vorbulla të errëta kreshtash,
Rrëshqet nga maja e tyre dhe bie në fund të malit,
Prehet në ujëra të qeta mashtruese
Ku shkëmbi i fshehtë bën hatanë,
Më kot kërkon farin diku, nuk sheh asnjë sy,
Lëshon thirrje për ndihmë e s’përgjigjet njeri.

Nuk munde ta lexosh detin zemër,
Heshtjen e tij të frikshme, ulëritëse.
Gjithë muzikantët e planeteve bashkë
S’i bëjnë dot simfonitë e tij.
Në vallëzimin e valëve të qesh lumturisht dielli,
Vallëzimi madhështor i dallgëve dridh zotat në tokë e qiell.

Nuk munde t’i lexosh këngët e detit,
As vajet e rënda të mbytjeve në fund të tij.

Nuk munde ta lexosh rendjen e dallgëve drejt tokës,
Përplasjen mbi shkëmb,
Kacafytjen e përhershme me bregun,
Gjakun që u rrjedh ujit dhe tokës,
Moslodhjen e dallgëve, nisjen gjithmonë nga e para,
Gdhendjen e sosjen e ngadalshme të bregut
Vetëm në emër të dashurisë për të mos u ndarë kurrë.

Ti je shpirt

Ti nuk je femër, as bukuri e skajshme, por je shpirt
Je magjia që më bën krenar, më bën të fluturoj
E diellit t’ia bëj me sy
E përveçme je dhe s’ngjan më askënd në botë
E madhe sa gjithë bota me zota, qiej, tokë e dete përsosen në ty.

Sendet e gjërat rreth teje qeshin, marrin jetë
S’mundet askush kur të sheh ty të mos shtanget për një çast
Të të deshirojë pastaj me gjithë fuqinë e tij, të mbetet duarthatë
Dhe i kënaqur, gojëhapur të të ndjekë me sy
I lumtur për fatin që të pa ty.

Ti je zjarri i ngrohtë që s’shihet, flaka që të përcëllon kur e prek
Zjarri që shkrumbon botën, prushi që s’shuhesh në mua
Shpirti që ecën, oh shumë më i mrekullueshëm se trupi yt i derdhur
Shpirti që fluturon mbi mua, më merr në krahë, më mbështjell në gji.

Ti je levizja, rendja, rrufeja
Që shkruan ballit tim dashurinë, në palat e rrudhave që m’thellohen
Je reja në qiell e dëbuar prej erërave, reja që nga puthja bëhet shi
Lot malli në sy.

Ti nuk je thjeshtë një grua speciale
Je fari në breg që si marinar ëndërroj e ndjek të shpëtoj
Je toka që më pret, bregu ku mbërrij
Penelopa që tjerr e thur ëndrra, shpresa e mbretëri.
Më bërë të ndjehem mbret
Ti je shpirt, shpirti im i veshur me ty
Shpirti që s’vdes.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.