Pa dalë dielli zgjoja ca gjumashës,
Të shetitnim tutje nga Shkumbini,
T’i jehonte pipzat Mali i Vashës,
Të hutohej lugut zog hutini…
Hanim bukë me djath e fiq të lashtë,
Rrokullisje bënim nëpër bar.
Zverdhnin flokët tanë porsi kashtë,
Nën kurorat,thurur me lastarë…
Zinim peshk me kosha prej rakitesh
Dhe i bënim varg në bisqe bruge.
Te ranishtja dielli tallazitesh,
Duke zverdhur puplat e një fuge…
Në ligata cytnim ne bretkocat,
Si humbisnin zhytthi në këllirë.
I bërrylnim bangash pastaj gocat,
Kur provimi ishte i vështirë…
Eh,se ç’muaj ishin ata muaj,
Kur na ripej hunda e kurrizi,
Kur lodronim trokthi përmbi kuaj,
Kur me shkop na klithte xha Hazizi!…
S’kishte faj plakushi zemërmirë,
Kur i hynim qipshtes me bostanë,
Kur i hipnim mollës në çair,
Duke shkundur degët si shejtanë…
Nuk ka më as mollë,as xha Haziz,
As tërshërë për pipza nëpër ara,
As fulltaka dielli mbi kurriz,-
Vetëm Mali i Vashës hesht përpara…