A E KE MARRË GURIN E TROLLIT nga Fran Ukcama

Fran Ukcama

A E KE MARRË GURIN E TROLLIT

Kqyr he burrë në trasten me derte,
kqyr, n` xhep herke,
a e ke marrë Gurin e Trollit me vete!

Po pate harrue, kthe,
ngule n` gjak e shpirt gurin me dhe,
ky gur, busull, në harrosh të nguc,
rehat nuk të le,
– Drith, andej nga erdhe, të thotë,
se kulla, vrrini e bjeshka të pret!

Të pret vorri i babës e nanës,
të pret dhe zogu te kroni i Pajes,
të pret, vendlindja dert e mbarue,
shkretimi i ka ra,
korbi mbi arra pisket!

Vetmimi edhe dheun, tokën e qiellin i vret!
Kqyr, he burrë, te xhepi i sahatit,
eshkën, gurin unorin,
po ken,
ke me vete një fis, një emer, një jetë!

 

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.