HELVETI
Mbaj mënd, isha i vogël
kur m’u afrove ti
përmbi një pullë poste,
e vogla Helveti…
Sa kishim dalë nga lufta,
s’dinim ç’bënim as vetë –
në pullat ndronim shtetet
nga malli për një shtet.
Kish pulla hijerënda
me perandor e car,
rrethuar në kështjella
veshur spaletat ar…
Në ‘tregëtinë’ e vogël
ty si flori të kishim,
(gjitonët sllavë e grekë
me gjysëm çmim i shisnim).
Cdo pullë, disi lehtë
këmbenim shok me shok.
Ty bashkë me Vilhelm Telin
të mbanim fort në bllok.
Diçka na thosh, se ngjaje
me ne, me Shqipëri,
e largëta e afërt,
simotra ‘Helveti’…
IMAZHE PRANVERE
Udhëtoj nëpër Zvicër me sy në hapsirë.
…Brigjet me breza dëbore
si zebra bardhë e zi ulur në maja,
vështrojnë hyrjen e pranverës në lëndina,
Mbi mjergullën e hollë brënda pyjeve
rezet lëshojnë tinguj pianoje.
Qilimë luleverdhash në çaire,
sikur t’u kishe hedhur sipër shtresa ari.
Kurorat e pemëve
lëkunden nga era e hollë
duke ua bërë zogjve me dorë.
Ata vinë nga larg
me ngjyra Van Gogu në pupla.
Për të gjetur drejtimin te foleja,
fluturojnë mbi reze dielli,
Harku i Vilhelm Telit buzë një reje
u ruan fluturimin.
Fëmijët rendin drejt shkollës
me zërin e zogjve në çanta.
Koshere bletësh tërë ngjyra,
hapur në çaire si dekore operetash.
Bletët, aktoret e vogla të tyre,
hyjnë e dalin pas perdes së petaleve.
Pikat e vesës me xixëllime ylberi
hollohen nga dielli
e mbushin ajrin qëndizma.
Burimet vazhdojnë gëzueshëm drejt liqeneve,
si të shkonin të sigurt
në Bankat e Zvicrës.
Rrëkeza të vrullëshme uji
sa dalin buzë xhadesë,
kujtojnë ‘policinë financiare’,
e hyjnë prapë në shtrat.
Fluturat ulen e ngrihen rrotull luleve
pa ditur ku të qëndrojnë më parë!
Teleferikët nga bregu në majë ecin
duke imituar përtueshëm
avionët.
Katunde të bardha rëzë malesh,
ditën bisedojnë me tokën,
natën – me qiellin.
Pylli pranë – një ‘Parlament pluralist’
me ngjyrat e të gjitha pemëve.
Sipër reve të bardha në lëvizje,
qielli ngjan më i pafund.
Në mbrëmje
dielli bëhet më i bukur,
që njerzit ta kujtojnë kur t’u ikij.
Dritat e veturave – varg pas shoshoqes,
u vënë gjerdanë floriri lëndinave.
Bukurezat e vogla ndizen e shuhen
si semaforë të vegjël nëpër ajër
(u ndjek ndizeshuarjen,
dhe hyj në mallin fëminor të vëndlindjes).
Këmborë delesh si me tinguj modernë
në thellësi blerimesh
më recitojnë jehonën e Naimit.
Lopët ulur, meditojnë me yjet mbi brirë.
Hëna e plotë si shtatzanë e bukur,
rënduar nga metaforat e mijra poetëve.
Një yll pranë saj
i bie Flautit Magjik të Mozartit.
Alpet veshur muzg,
dalin nga ‘gjeografia’
e me pëlqim të ‘historisë’ hyjnë në legjendë.
…Vazhdoj udhën me sy te retë në lëvizje…
Nëpër ajrin e hollë të muzgut,
te çdo yll lexoj shpirtëra.
“ZYRAT E TMERRSHME”…
Këtu ka dy zyra “të tmerrshme” –
“zyra e funeraleve”
dhe “zyra e falimenteve”.
Të sakta e të prera të dyja,
pa dobësi sentimenti;
njërën ta jep Zoti,
tjetra vjen nga shteti.
Ti bën t’u largohesh të dyjave.
Kur trokasin, merr masa –
për të parën, te mjeku,
për të dytën – te financa.
Me njëra tjetrën
ato s’lidhen bashkë,
por duke u lidhur secila me ty,
puqen sadopak.
Te “zyra e funeraleve”
shkon vetëm një herë
nën një katror të zi nekrologjie,
te “zyra e falimenteve” –
me një borxh në fletë llogarie.
Të keqen e vetes
e mban me vete:
në do t’i rrish larg “zyrës së funeraleve”,
kujdes me “zyrën e falimenteve”!
Nga mëshira a fati
mos shpreso kotsëkoti!
Në Zvicër ligji
fal më pak se Zoti!
DORA E PRERË
Në murin e kabinetit shtetëror
të Gjenevës, –
portreti i njeriut me një dorë.
Ministrit që dikur pat vjedhur,
iu pre dora,
si fajtor.
…Po të bëhej një portret i tillë
për qeverinë shqiptare
të uruar,
do kishim tablonë e një kabineti
me ministra pa duar.
ELENA GJIKA MBI MAJËN 4000m
TË ZVICRËS
C’kërkoi Ajo te kjo lartësi,
si të zgjaste dorën në yje e planete?
Vetë qe aq e bukur, sa qiejve
asnjë bukuri s’u lypte për vete.
Gazetarët poshtë shkruan me kureshtje
për Zonjën e bukur
që vinte nga larg…
Ajo aq lart bisedonte me Perënditë pelazge
për kombin e saj pelazg.
NXËNËSIT ZVICERANË
Ecin drejt shkollës
me Pestalocin në mëndje
dhe Rusoin në zemër,
nën Harkun diellor të Vilhelm Telit.
Në vënd të *mollës* mbi kokë
për t’u gjuajtur,
nxënësja ka një fjongo të kuqe
që ia ndjekin me zili fluturat.
Në oborre lozin si çamarokë
e në klasë rrinë si burra shteti.
Në pushim bredhin mes blerimit
e bëjnë buqetë
me tërë ngjyrat e Kantoneve.
Te punonjësja e thjeshtë e shkollës
nderojnë dhe Presidentin e shtetit.
RETË ‘REFUGJATE?
Lart në qiellin e ftohtë,
tufa reje refugjatë
ecin varg drejt perëndimit.
Dinë nga nisen…
s’dinë ku venë!
Të pasigurt në tokë,
udhën e bëjnë në qiell.
Të çdo moshe, të çdo ngjyre –
era i largon nga vatra,
i shtyn tutje – “prapa diellit”
Rezet u lëmojnë leckat,
se arnat s’ua qepin dot.
Një çast dridhen lart mes erërave,
shohin larg…diku nga toka,
mos i fton dikush të ulen!
Të vetmuar në hapsirë,
presin erën t’i shtyjë prapë…
I vështroj me sy hutuar
ndërsa shpirti rri në qiell.
KARRIKJA ME TRI KËMBË PARA OKB-së
NË GJENEVË
Diplomatët hyjnë hijerëndë
pa parë rreth e rrotull.
Zinxhirët e hollë të çantave të zeza
ndryjnë halle të rënda popujsh.
Vështirë t’u kuptosh te pamja
se ç’mëndje kanë!
Udhën drejt takimit e bëjnë
dhe mbi paralele,
dhe mbi meridianë.
Herë herë s’e kupton
pse nxitojnë si atletë që tek hyrja,
thua, rrotullimi i globit varet
nga ulja e tyre në zyra!
Karrikja e Madhe – Statujë me tri këmbë,
rri te hyrja si mbi erë…
(Kombi im prerë nga diplomatët,
është këmba e saj e prerë).
Ajo sheh zyrtarët asnjanës –
të vjetër e të rinj –
e u thotë: – gjersa unë jam e prerë,
ju çaloni, Zotërinj! –
DËBORA E PARË NË GJENEVË
Po binte e hollë e hollë,
e hutuar,
vellon e bardhë te dritarja ma shtriu.
Kërkonte nusen…
pa gruan time të thinjur,
dhe shkriu…
QYQJA NË JURA
Nëpër brigje e nëpër drurë
qyqja po ‘këndon’ KU-KU…
Qyqen time të vëndlindjes
ç’e solli kaq larg këtu!?
Ku-Ku…Motra vite e shekuj
thërret vëllain diku.
(legjendën s’e lëmë të thahet,
dhe ajo vazhdon Ku-Ku-!)
Ku-Ku…po thërret në Jura…
(ç’zë i njohur flet kështu?..)
…Shqipëria -qyqj’ e shkretë –
mbeti duke qarë – Ku-Ku-!
…Mjegull nga çdo anë –
bardhësira dimri.
S’kuptoj, ku është lindje,
nga është perëndimi!
Ku bie Atdheu?…
Nuk shoh një kufi!
Cdo skaj horizonti
i flas “Shqipëri”…