AI QË BËRI… MOHIMIN E MADH nga Vasil Vasili

Vasil Vasili

AI QË BËRI… MOHIMIN E MADH

K. Kavafi 29prill 1863 – 29 prill 1933

Trajtën e brendshme të poezisë “Che fece… il gran rifiuto”, (Ai që bëri… mohimin e madh), Konstandin Kavafi, e ka huajtur nga matematika dhe, është mbështetur në dy përbërës të saj, mbi logjikën, që e çon parashtrimin e drejtë drejt zgjidhjes, dhe mbi thukninë, që e vesh me stil logjikën.
Por në mënyrë të natyrëshme, ai del nga logjika matematike dhe ushtron logjikën e poezisë. Të dy logjikat janë plotësuese për njëra – tjetrën. Poezia e Kavafit është e mbrujtur nga kjo barazpeshë logjikash. Këtë barazpeshë e ka mekanizëm intuitiv poetik.
Me Po-në dhe Jo-në, ajo shëmbëllen si ekuacion me dy të panjohura dhe, për këtë arsye, e shton lëndën e vetvetes.
Qëndresa, që bëjnë të panjohurat, për të mos u hapur, është e përafërt me misterin e fabulës poetike.
Ekuacioni poetik, vetëm përvijohet dhe shpihet afër Jo-së së vështirë, që pohon vetveten dhe e vë qenien e saj në listën e inkuizicionit. Nga heroika pa patetikë e Jo-së mund të hamendsohet vagullt edhe Po-ja, që pohon për t’i bishtnuar përballjes dhe, me trajtat e saj të nënështrimit, mbetet e vjetëruar.

Ca njerëzve u vjen një ditë,
që duhet të madhen Po ose të madhen Jo,
ta thonë. Shfaqet menjëherë kush e ka
brenda tij të gatshmen Po dhe, me ta thënë, tej

ikën, në nder dhe në besimin e vet.
Ai që mohon, s’pendohet. Nëse e ripyesin,
jo do të thoshte, sërishmi. Edhepse nën vete
do ta ketë ajo jo – e drejtë – gjithë të tijën jetë.

Po-ja dhe Jo-ja, në strofën e parë, janë personalizuar për të sjellë më afër, nëpërmjet tyre, dy lloj karakteresh njerëzorë dhe, është lënë e lirë rruga për të nënkuptuar dy emra të përveçëm. Është fuqizuar arketipi i fjalës dhe, meqënëse poezia është formë estetike e të filozofuarit, jep mundësi për të parë nën zhguallin e arketipit edhe dy njerëz të përveçëm me bindjet përkatëse dhe, për ta theksuar këtë qëllim, ato janë dalluar edhe nga shkronjat e mëdha nistore. Në këtë çast, poeti, ka filluar të përkthejë, duke i shfaqur dy shenjat e tekstit. Ai i ka bërë një lëshim misterit. E ka shënuar me shkronjë të madhe. Por kjo është e domozdoshme dhe është një zgjidhje poetike e rrallë. Është një përkthim i brendshëm, që zmadhon relievin e fjalës, i cili s’është vetëm përkthim, por edhe zhvillim i tekstit, duke e lënë atë të pazhvilluar së jashtëmi. Po-ja dhe Jo-ja, në lojë, shndërohen secila më vete në histori, të rrimara në parahistorinë e gjithësecilit dhe, në një çast të dhënë, bëhen të dukshme për gjithësecilin. Ato janë edhe shenja të tekstit dhe zhvilluese të tij.
Në strofën e dytë, Kavafi e ka rishtënë Jo-në, por në rrugëtimin e saj, më shumë të fshehtë, ajo tashmë është shpërbërë duke lënë vetëm gjurmët.
Në vargun e parafundit dhe në të fundit, Jo-ja, bëhet përcjellëse e një mohimi në fabulën e domozdoshme, të endur me përkorje.
Jo-ja e personalizuar është bërë kujtesë, që rrikthehet për të përforcuar tekstin dhe, ka lindur gjatë rrugës së saj edhe jo-të e vogëla shërbyese. Jo-të e vogla, vërtet janë brenda Jo-së së personalizuar dhe e risjellin në kujtesë atë, por përfaqësojnë vetëm pjesëza të saj, të shpërndara në trajta të tjera dhe jo thelb përfaqësues. Ato s’krijojnë dot tekst se janë vetëm hallka lidhëse. Çështja s’është formale. Ajo ngërthen psikikën krijuese, që ka hierarki të shenjave në shpërfaqje.
Po-ja dhe Jo-ja, janë të dyfishta në vlerë. Pëvijohen si trajta të personalizuara, nëpërmjet shkronjës së madhe paraprirëse dhe relievit stilistikor, ku janë kallur dhe, si mbizotëruese psikike (krijuese). Ato mbrujnë tekst, që shkarkon parahistorinë që përsëritet. Si mbizotëruese psikike ato janë më të fshehura se sa si emra të personalizuar.
Sikur Kavafi, në rreshtin e parafundit dhe të fundit të poezisë, t’i kishte dhënë jo-të me status të personalizuar, tekstit do t’i shtohej edhe një emër tjetër, i cili do t’u kundërvihej mbizotërueseve psikike fillestare dhe, atëherë, do të zhbëhej harmonia e brendëshme; arsyetimi gramatikor në thellësi dhe përfytyrimi i lirë artistik do të vetbllokohej. Ekuacini logjik do të ishte shtruar gabim, për rrjedhojë, një zgjidhje e mundshme do të ishte e pamundur, edhe poetikisht. Kjo ndërkallje do të ishte një luftë vëllavrasëse fjalësh, në thelb, jo të barabarta, e cila do t’i humbte vërtetësinë mohimit të madh, që rrugëton fuqidhënës dhe fillikat.
Nëpërmjet Po-së dhe Jo-së, si mbizotëruese psikike (krijuese), është zbuluar dhe fshehur, me një dritë rrëfimtare të përkorë një mirëkuptim formal i dy të kundërtave, vërtet i lindur dhe i zhvilluar nga një bosht kurrizor, por pa barazi vlerash.
Para çastit të shquar të rrethanës (ca njerëzve u vjen një ditë), të dyja shenjat janë tabula rasa për të gjithë të jashtëmit. Çasti i shquar i elektrizon me ngarkesën e tij cytëse dhe ato vetëmbruhen me përmbajtje të ndryshme. Mënyrat e të menduarit, të fituara në një jetë, shprehen nga një Po dhe nga një Jo. Ato bëhen pika kufitare udhërrëfyese për njeriun në rrethana.
Nga një këndvështrim tjetër, ato janë aktorët e hapësirës të bashkësisë së të kundërtave. Kur bie një e kundërt ajo rilind brenda asaj që ka mbetur. Brenda saj formohet menjëherë një Po ose Jo e rënë. Idea s’mund të rrojë pa të kundërtën e vet asnjë çast. Kjo është mrrekullia e natyrores. Te Kavafi vërehet përcaktueshmëria e koncepteve.
Mbizotëruese, midis Po-së dhe Jo-së, është mohuesja. Ajo është e zhvilluar më tepër në tekst dhe është përgatitur për t’u vënë në provë tre herë: kur mohon, po ta ripyesin dhe në jetën-Shtrat Prokusti.
Po t’i lidhim skajet e këtyre tre çasteve, përbëjnë një gjedhe jete, që e shfaq mohimin për të ruajtur vërtetësinë e thelbit të vet, që pyetsinë ja japin si gjendje të përherëshme ankthi dhe, dënimi përmbarohet në gjendje të lirë. Kjo e bën Jo-në të ndriçuar nga drita e rreptë e vetvetes dhe të pastruar nga hija e lëbyrtë e Po-së. Mbi ’të zhvillohet drama e brendshme e personalizuar, e shprehur me thukni në fabul. Është pikërisht ajo, që duhet të ishte, jo e drejtë, që mban rreth boshtit të vet drama dhe pak lavdi të vlerësuar, por nëpërmjet saj vjen zhvidhimi. Ajo është lëvizja e përherëshme e tharmit të lirisë.
E madhja Jo, është mbivendosur mbi të madhen Po dhe, është mbizotëruesja ngashënjyese e vërtetë e lojës së tekstit, i cili mbetet në fund me një mbizotëruese psikike (krijuese) dhe me një shenjë (shërbyese). Ky është qëllimi teknik i të shkruarit (i artit), dërgimi drejt një fundi logjik dhe ngashënjyes të detajit, atje ku duhet të triumfojë e mira morale, e fshehur në estetikë.
Duhet të kthesh kokën mbrapa, të shikosh në brendësi të Jo-së, që të kuptosh vlerën e së mirës së saj. Por edhe kaq s’mjafton, duhet të kesh edhe një filozofi për rrugët e ndryshme të njeriut, që të vlerësosh brendësinë e Jo-së.
Idealja ndodhet jashtë rrethit të reales, dhe duhet një mendje e fuqishme që t’a vendosë përballë saj.
Brenda kohës reale është edhe koha ideale, ose brend kohës ideale është edhe koha reale.
Te Kavafi, kjo shembëllesë ideale është më pranë problemeve madhore të shtruara nga mendimi, megjithëse ai, hedh midis nesh enigma për t’i zgjidhur. Ai i mban në largësi të mjaftueshme mendimet morale nga lexuesi, duke shërbyer me arketipin universal nëpërmjet një llogjike matematiko – poetike.
Po-ja dher Jo-ja janë skaje, që tërhiqen nga njëra-tjetra, pa u bashkuar kurrë, por Jo-ja shpreh një tjetër Po, Po-në e saj. Ajo, edhe nëpërmjet mohimit, bëhet pohuese. Jo – ja, nëpërmjet mohimit pohon një ndryshim të ndodhur; Po – ja, nëpërmjet pohimit mohon një ndryshim të ndodhur.
Duket sikur numëri dy, me një Po dhe një Jo, është numëri bazë i ekuacionit poetik të Kavafit. Formalisht, ai, i tillë është, por harrohet i treti, i jashtëmi, ai që zgjidh ekuacionin poetik. Harrohet një subjektivitet që ndërlidhet pazgjithshmërisht me pjesët e numërit dy, për t’a mbajtur të ndarë Po-në dhe Jo-në, moralisht. Pa këtë subjektivitet ekuacioni në vetvete do të ishte një dukuri pa kuptim, se në thelb ai është një ekuacion moral që këkon subjektin vlerësues. Në këtë ekuacion, ky subjekt, është edhe krijuesi dhe zgjidhësi, në mundësi, i ekuacionit. Por krijuei (Kavafi), me bujari, e ka shpërndarë veten te ata që marrin pjesë në zgjidhje.
Ekuacioni poetik zgjidhet, por përfundimet janë të ndryshme, në vartësi të subjektivitetit që përmban numëri tre. Numëri tre është një numër kyç, ai është zgjidhësi, i fshehur pas çdo njeriu, që lëviz në brendësi pjesët e ekuacionit. Njeriu është numëri tre në ekuacionin moral. Ky numër është i fiksuar si subjektivitet. Kaq është e mjaftueshme për shkallën më të lartë të përfaqsimit, sepse ai është gjithë njerëzimi përballë një ekuacioni të përhershëm, që jep zgjidhje me përfundime të ndryshme. Ai është një numër që shtohet, në vartësi nga pjesëmarja, por gjithnjë me bazë vetveten etike si subjektivitet i njeriut mendues.
Po-ja ikën në nder dhe në besimin e vet…
Askush s’e ka përcjellë Po – në më bukur se sa Kavafi. Në thelb, ai e ka futur hirin e saj në një urnë të lëmuar mermeri, por njerëzimi është i çuditshëm, e pëlqen edhe hirin e urnës, prandaj Po – ja s’ikën kurrë, ajo rron me të kaluarën e saj në të sotmen, duke e ripërtërirë abstrakten e vetvetes, për të formuar ekuacionin, që njeriu të ketë diçka të përherëshme me se të merret gjithë jetën dhe të mos ta zgjidhi dot kurrë.
Kjo poezi: duke qënë me një formë të brendëshme matematiko-poetike (gjë shumë e rrallë); duke qënë një ekuacion moral; duke patur dy të panjohura etike, që i rruajnë sfinksat e kohës dhe të ekuacionit; duke u ngritur vetëm mbi fjalët e domozdoshme, pra, duke u thuknuar në stil; duke nënkuptuar më shumë se sa thotë me shënjat poetike, por edhe duke mbetur një pjesë e kuptimit jashtë mendjes sonë; duke e bërë subjektivitetin moral, zhvillues të shenjave; duke patur dy shënja psikike (krijuese) dhe duke e lënë njërën të iki në nder dhe në besimin e vet; duke dhënë zgjidhje arketipale nëpërmjet subjektivitetit; duke menduar se u zgjidh ekuacioni poetik, ai shfaqet nga një kënd tjetër dhe duhet të nisesh nga një pikë tjetër logjike; duke shtruar problemet e filozofisë morale nëpërmjet shenjave arketipale, Po-së dhe Jo-së, ajo ngrihet aq lartë si art i kulluar, sa ta djersin mendimin.
Nën një këqyrje nga një kënd tjetër, ekuacioni poetik i Kavafit, është mohim i madh i paraardhjes, i shtrimit dhe i zgjidhjeve të saj. Nëse e ripyesim: “Jo, do të thoshte, sërish”. Ajo, që japin rrethanat është kufizim, mund të pohonte, duke nënkuptuar të tjerët, në çdo epokë. Për veten mund të thoshte: Ai që bëri… mohimin e madh dhe ne shtojmë: ai iu afrua absolutes.

Patra 9 janar 2014

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.