AJKUNE E RE
T’shtifsha n’dhé Ajkunë,
qysh i çave gurt’ e bjeshkës
gjethet i lshove përtokë,
qorrove ditën,
i çmende lisat prej piskame.
T’hiftë dreqi n’bark!
Ke njimijë vjet mbi ftyrë t’tokës
si zanë idhnake
tuj rrokullis gur malli me mblue vorret.
Del prej vaji
t’vraftë Zoti i madh!
Dënimi që more
s’ish aq i randë.
Kqyru n’mue
as s’ke me hangër,
as me pi,
as me fjet.
A mendon se asnji deg’ e thyeme
s’ka ra mbi ne,
se nuk i ka vu kush buzët n’krue tonë?
Zbrit prej bjeshke mos zbritsh’ shndosh,
shihi t’vrámt
dek’ e pa dhán shpirt,
mbi vorrin e hapun.
Mos brit Ajkunë!
Kqyre me ata sy t’bukur
t’parin e shpisë,
vorfnue n’tym t’duhanit,
me syte përdhé
ata që n’ndrrim t’motmoteve
s’mujn’ me e ble pemën e krishtlindjeve,
nuset që n’cep t’pajës kanë palue trishtimin.
Kahdo shkel káma e kalit
n’két vend mërgohet.
Omeri i ri qysh n’bark
muer dynjanë,
pa ja dhanë nanës nji gotë ujë
n’ditë t’pleqnisë.
Kqyri kufomat e mia
dalun si prej fushave t’minueme,
ulu rrázë pemëve
s’vjen má aromë toke mbas shiut.
Rueju e mos t’ndij tuj vajtue,
se t’báj me má lshu mue parajsën tánde
e vet me árdh n’két ferr.
Del prej vaji Ajkunë bre motër
nji palë petka mas shtatit kam me t’i pre,
tamël gjini kam me t’dhánë,
e me ty kàm me kndue
për gjethin e ri,
për ujin e ri
për dorën që djeg .
Puthe mermerin tém t’ftohtë Ajkunë!
Futi tirq galanat e dashnisë s’pamujtun
n’bir t’dheut bashkë me mue.
Kam me i lá n’ vaj argjendi
e me kmishën e lintë vesh
me jetue jetën e vorrit.
Hajde Ajkunë,
kámbzbáth ta kalojmë lumin
nëpër gurë
herë të mardhuna,herë tuj u kall.
Bahena shtriga malesh
t’përparueme má shumë se duhet
që edhe vdekjen e fusin n’shtrat
e dashninë e kndojnë ma fort se e qájnë.
Má mirë me u djeg
se me u si lisi n’bjeshkë.
Rafsha unë n’vorrin tand
nëse shtatë palë qiejt
s’kanë me lshue mbi ne,
nji grusht dhé t’bardhë
se e dinë mirë
që nën fré nuk kalërohet…
12.03.2018