ANI, MË THERRISNI PROVINCIAL nga Fatos Luta

Fatos Luta

ANI, MË THERRISNI PROVINCIAL

Ani, t’më thërrisni provincial!
Pranë dua të kem një përrua,
Të kem fushën e të kem mal,
E i rrethuar nga zogjtë, dua.

S’ka gjë, t’ma thoni pa droje,
Provincial më thoni, çdo orë!
Mjaltin e bletëve, nëpër hoje,
E dua, të më ngjitet në dorë…

Më besoni, s’po flas me hile,
Thoni po deshët, çdo minut!
Dua t’flë mes kopesë me zile,
E kalit, unë t’ia ngarkoj drutë.

Thërrisni edhe me zë të lartë,
S’ka gjë, të dëgjohet në qiell:
Mik i dashur, ti je provincial!
Por ama, mishin e dua n’hell!

Të bredh në pyje e n’livadhe,
Sa m’këmbë dhe sa me kalë;
T’zë peshk ndër lumë e zalle,
T’zë dhe një kaproll të gjallë.

Më thërrisni, punë e madhe:
Mik i dashur, ti je provincial!
T’zjej vetë, rakinë prej thane,
Të njom fytin me pikë t’parë.

Në m’u tektë, të zë dhe derr,
Mund të zbus me nge një ari;
Të vë kazan, t’zjej manaferrë,
T’më thërrisni provincial, ani…

Më thoni, nga agu në darkë:
Mik i dashur, ti je provincial!
Këtu do të vë kokë, mbi varg,
Këtu qënkam i rëndë, sa mal

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.