NJË PORT I ÇUDITSHËM nga Petraq Risto

Petraq Risto

NJË PORT I ÇUDITSHËM

Hëna shtang baticën në dete
ngre shpirtrat në baticë
Anijet nisen drejt një porti të vetëm 
Direkët shprushisin galaksitë
Busullat shënojnë një port të çuditshëm
Ku ankorohen të gjitha Dashuritë.

Çdo njeri është një anije me skafet e brinjëve
Me velat e hapura të mushkrive
Dhe zemrat-spiranca
Sot Hëna krijoi baticën e shpirtrave
Si një arie klasike fryn bunaca.

Një oqean i pafund vullnetesh, dëshirash
Me anije të bardha: një dallgë –një anije
Vijnë e vijnë anije me mijëra: Pelegrinazh Dashurie.

Një port i madh sa frymëmarrja e të gjithëve.

ANOREKSIA

Mё quajnё Eva.
Ha vetёm mollё
nё mёngjes: tё verdha
nё drekё: jeshile
tё kuqet: nё darkё
nё qytezën Eden
çdo ditё vjen dhe ikёn
mjeku i vetёm Adam.

Nuk ha gjё tjetёr veç mollёve
Dhe mjekut Adam i vjen keq kur sheh:
më zvogëlohen gjinjtё
më treten qirinjtё
e llёrёve dhe kofshёve
nёn hijet e pemёve
si hije hollohem.

Shpesh më shfaqet tregtari Satana:
nëse s’ke mollë
Adamin ha…
E vras Adamin
I pres mollën e grykës
Dhe rend rrugëve
Duke gëlltitur njëherësh tri mollët e semaforëve.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.