AS VRARË AS PRERË nga Riza Braholli

Riza Braholli

As vrarë e as prerë

... Bota vrarë e prerë janë
dhe prapë janë pajtuar 
ne të dy as prerë, as vrarë 
as dhe një fjalë ndërruar…
popullore

Ne s’jemi puthur kurrë. 
kemi folur vetëm me sy; 
kemi ndenjur pranë e pranë 
në të njëjtin ajër 
si thekët e pistili 
si era me malin, 
si bari me zjarrin, në kërkim të hirit.

Ne nuk u prekëm kurrë 
Kishim vetëm fjalët 
dhe barqet e urtuar për njëri-tjetrin 
buzët e etura e thirrjet e humbura 
nëpër honet, mazgallat e shpirtit.

(Sa të thella qenkëshin 
si vrima të zeza, që galaktika hanë!)

Nuk ia thamë kurrë njëri-tjetrit 
pasqyrave ua thoshim, 
yjeve ua zbraznim, 
hënës kur mbushte faqet 
apo vrugej. 
Si hëna edhe ne veten hanim.

As vrarë, as prerë por kohës ia themi 
kohës së humbur; vragave të vjetra 
ku kalonin dëshirat e etshme 
kalon po ajo karro, por e vjetër dhe brinjët 
prej tundimeve të flashkëta i kërcasin.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.