ATË MOT PA HYRË GUSHTI nga Riza Braholli

Riza Braholli

ATË MOT PA HYRË GUSHTI

Mu nën man të asaj vere
dridhet bari fije-fije, 
ndalet koha, një fill ere,
përmbi flokun dritë e hije
lot me hir e dhemb me shije
e merr nur prej Perëndie

Atë mot pa hyrë gushti
nuk di ç’pashë, nuk di ç’preka
ato mollëza sa grushti 
kur t’i zura, si purteka 
m’u drodh trupi e u meka
thashë: “Zot, më erdhi vdekja.”

Ato kokrra asaj here
nëpër buzë e gjuhë i treta
ti më shihje me sy shqere
o po po se ç’qenkej jeta
kokrra mani të vërteta
dhëmb e shpirt aty i mbeta.

Asaj vere, atij prushi
na qëlloi fati me gurë;
aguridhe ishte rrushi,
ishe ti e isha unë.
Ç’dreqin thamë, që ndër drurë
ziente limfa nën lëkurë?

Mu nën man të atij moti
kur pikohej dru e fletë
sa i hidhur qenkej loti
loti që pikonte vetë 
nëpër gushë e tatëpjetë!
U bë ujë shpirti i shkretë.

Ikmë larg me helm në buzë.
Ku ta dinim unë e ti
ai loti diellruzë
do harrohej prush nën hi
të na shfaqej prap tani
të na digjte gji më gji.

Mu nën man të atij gushti
kokrrat s’kanë më atë shije,
u tret koha u pre mushti;
përmbi thinjët fije – fije
zbret një dritë e zbret një hije
erë e dhëmbkë Perëndie. 

PËRSHPËRITJE

Një heshtje që zgjon veç përshpirtje…
Çapitjet e erës mbaj vesh…
Ngul nata në fyt një vërritje…
Një bulkth pastaj që më s’rresht…

Ca zëra, ca këmbë që nguten;
Një fshikull që grah e një trok
Dhe dritat, ameba që struken 
Në shpirtin platitur si qokth.

Ngul syrin në terrin e thellë
E zemrën e kohës kërkoj
Ku motesh një mokër e vjetër
Më bluan mes gurësh në blojë.

Një heshtje plot psalme, përshpirtje
Si dje, si sot, mijëra vjet
Mih veten për pakëz përndritje 
Si prushi në hi veten tret.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.