AUTOSTOP nga Suzana Malaj

Suzana Malaj

AUTOSTOP

Që së largu
e prej së largu
e sa larg!!!
në trekëndëshat e fshehur të qiellit
orët ecin para dhe pas.
Kohëmatësi diku
në njërin nga trekëndëshat
ka nisur të bëjë autostop
e kohëmatësi këtu nis të cakordohet
e gjëmon si kambanat në kokë.
Që së largu
e prej së largu
e sa larg!!!
nga trekëndëshi i fshehur i qiellit
humbëtirës udhëton një sinjal.
E afrohet
nis të afrohet
duke qenë afër dhe larg
e botës së dheut kambana
gjëmon tri herë si kambanë.
E fryma
si bërthamë energjie
vlimit në pikën më të lartë
kohëcmendjes me akrepat e cmendur
gjëmon dhe ajo si kambanë.
E u tha se bota u cmend…
E u tha se fryma u cmend…
E u tha se qielli u cmend…
E nuk dihej cili ish’ më i cmendur
E nuk dihej cili ish’ më i kthjelltë.
E nuk dija në isha e cmendur,
kur binte kambana tri herë
autostopit në kohën pa matës
frymën para lindjes e kthej…
Që së largu
e prej së largu
e sa larg!!!
nga trekëndëshat e qiellit
bërë si trekëndësh
kohëcmendja u ndal
autostopit të cmendur
autostopit të radhës
me botën afër dhe larg…
Se qielli me dheun kohëcmendjes u ndanë
po sinjale dërgojnë ndonjëherë
atëherë kur dheut dëgjohet një kambanë
që gjëmon si kambana tri herë.
Që së largu
e prej së largu
e sa larg!!!

MES DY SKAJEVE

Realitetit që ma bën Zotin mendimin e parë
e njeriun mendimin e fundit
humba arsyen
pa e vajtuar për kushedi c’humbje
pa ia ndier mungesën – arsyes amorfe
që ia kisha frikën e rrjedhjes…
E rrodhi si llavë
botës së mosarsyes
duke lënë pas ndjesitë e djegura
e duke u tretur si rruga pa krye.
Krejt amorfe
krejt e patrajtë
më kujton për thelbin e hicit
që zemrën ma ftoh e ma bën si kallkan
me ndjesinë e shpëtimit prej Krishtit.
Si në gjendje kllapie,
po lutem kllapisë
e rënduar nga thelbi i hicit
që më ul poshtë e pastaj më ngre peshë
atje ku qiejt lëvizin
Me projeksionin për Zotin e ditur
e fyer nga thelbi i hicit
me buzë murgeshe po lutem
duke bërë shenjën e kryqit
Po lutem, pa arsyen
që më rrodhi nga një qoshk
e që ndoshta e kish’ një arsye
me ndjesitë e djegura të një shpirti pa kokë
që vajton në rrugën pa krye
Marramendjes po lutem
pa qenë një murgeshë
në mesin e tërhequr të litarit
se në njërin skaj nuk ndihem migjen
e në tjetrin si murgeshë nuk jam falur
E mbetur pezull
me ndjesi pa arsye
me buzë murgeshe gjatë lutjes
me shpresën e zbehtë se arsyeja më vjen
shoqëruar me frikën e humbjes.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.