KU HUMBE TI nga Delo Isufi Seraj

Delo Isufi Seraj

KU HUMBE TI

Kohë u bënë pa dëgjuar,
Zërin Tënd melodi,
Nuk e di pse ke harruar,
Ku je fshehur nuk e di ?

Mbrëmjeve kur cicëroje,
Gjithë zogjtë vinin aty,
Bashkë me ‘ta Ti fluturoje
Ku ke humbur, ku je Ti ?

Vite kam pa e dëgjuar,
Të kanarinës melodi,
Vallë ku ke fluturuar,
Ku e ke folenë Ti ?

Unë e di që TI një ditë
Për mua do ndiesh mall,
Eja, zbrazi meloditë,
Do i dëgjoj atje në varr.

SORKADHJA

Në fshat njoha një sorkadhe,
Nga shoqet dallonte shumë,
Ish e bukurë, ish krenare,
Mbrëmjeve lahej në lumë.

Çdo mëngjes kur kalonte,
Mua s’më shikonte fare,
Dukej sikur fluturonte,
Bukuroshja nazemadhe,

Nëpër fusha e në male,
Unë e prisja në çdo shteg,
Po ta kapja atë sorkadhe,
Për nuse do e merrja vet.

Bëra pritë te shtegu i dhive,
E zura, zbuta pak e nga pak,
Atje tek burimi në korije,
Erdhi sorkadhja një natë.

B A R E S H A

Ecja malit kot më kot,
Nga mërzitja, nga nxitimi,
U bë vapë e u bë ngrohtë,
Humba udhën nga hutimi.

U shfaqën gardhet e stanit,
Qentë lehën në zinxhirë,
Doli bija e çobanit,
Ujë kërkova për të pirë.

Më mori, më futi brenda,
Nxorri një kusi me dhallë,
Mbuluar me fier tenda,
Gush’ e saj bor’ e bardhë.

Vështrimet u gërshetuan,
Nga dora i ra sapllaku,(1)
Mos, të lutem, tha hutuar,
Por vështrimin nuk e flaku.

Mos e mos, vetëm mos,
Unë heshta, vetëm heshta,
Të të bëj përshesh me kos,
A me qumësht, tha baresha.

Apo do kulaç me gjalpë,
A byrek me lakra mali,
Të të mbush një kupë mjaltë,
A një çetur me urlë stani ?(2)(3)

Mos e mos, tha përsëri,
Se vjen nëna nga mulliri,
Dhe babai mund të vijë,
Ik se po ikën dielli.

I hodha dorën në qafë,
Ajo heshti, vetëm heshti,
Buk’ e dhallë më vu në trastë,
Dhe një palë çorape leshi.

Ika, më ndoqi nga pas,
Këmbët e saj aq të lehta,
Një puthje unë i dhashë,
Faqeprush u bë baresha.

I premtova do vij prapë,
Kur të jem me pushime,
Por një vit ishte larg,
Ish një vit plot studime.

Kërkova faqes së malit,
Nëpër gurë e nëpër shkrepa
Gjeta gjurmët e stanit,
Çobaneshën nuk e gjeta.

Nuk lashë vend pa e kërkuar,
Stan më stan e fshat më fshat,
Ndoshta ajo ish martuar,
Ndoshta kish mërguar larg.

Vitet ikën dhe ajo mbeti,
Nëpër vargje, nëpër rreshta,
Dhe një palë çorape leshi,
Kam kujtim nga baresha.

Delo Isufi, botuar në librin e gjashtë me poezi “Tavolina e Rezervuar”

(1)Sapllak – Enë prej teneqeje, alumini, zinku etj., me vegjë, që përdoret për të pirë a për të marrë ujë a lëngje të tjera , dhallë, qumësht. (fjalë shqipe)

(2)Çetur -Enë e drunjtë në trajtën e një kupe me bisht, në të cilën mbajnë bulmet ose ndonjë ushqim tjetër; kupë e drunjtë. (fjalë shqipe)

(3)Urlë- Qumësht i zier me kripë që mbahet gjatë në napë ose në kacek, të cilit i hedhim herë pas here qumësht. (fjalë shqipe)

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.