BALADË PËR DHIMBJEN nga Arben Duka

Arben Duka

BALADË PËR DHIMBJEN

Nuk më përkëdheli fati,
më ngriti kurthe dhe prita,
kush s’më do-ju shtoftë inati,
kush më do ju shtoftë dita!

Mbi dhjet’ vjet në buzë të varrit,
por Veriun kurrë s’e humba,
në kudhër të farkëtarit,
gdhenda këngë-s’derdha plumba!

Dhimbjet ferr-po nuk e ktheva,
jetën në një shkretëtirë,
të bën dhimbja që rrëfeva,
më të dashur-më të mirë!

Nuk s’e mbeti çdo gjë mbrapa,
u shuan dhimbjet e zëmrës,
po pas jetës unë u kapa,
si foshnja në gji të nënës!

Ndonjëherë dhe jam dorëzuar,
se njeri jam natyrisht,
po në çast në këmbë jam çuar,
kur mendoja Zotin Krisht!
Krisht e shpirt ti je për mua,
e kam thënë herë pas here,
para dhimbjeve të tua,
tonat janë fllade vere!

Më për dhimbjet s’bëj çudi,
që shkenca nuk i mund dot,
që në dhimbje çdo njeri,
të mendojë të madhin Zot!

Të kujtojë të madhin Zot,
të paepur në torturë,
të mos përkëdhelet kot,
e të thotë-se jam sëmurë!

Mos e shih si kohë mynxyre,
më ka thënë një miku jonë:
“Dhimbjet kanë punën e tyre,
neve kemi punën tonë!”

Shënim: Vargu “Po Veriun kurrë s’e humba…” ka të bëjë me orientimin e busullës që tregon gjithnjë Veriun

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.