BARAZIMI…. nga Agim Shehu

Agim Shehu

BARAZIMI…

-skicë e jetësuar-

Ime shoqe po bën një muaj në Spitalin e Gjenevës nga një aksident i rëndë. Duke zbritur shkallët, i shkau këmba dhe ra shumë keq. Dëgjova zërin e saj, një si rënkim i pafuqishëm që kërkonte ndihmë. Vrapova, mezi e ngrita se kish rënë keq. Gjaku nga koka i kullonte. E mora në duar dhe e ula në kolltuk. Vetëm rënkonte. Qe një rënkim si nga bota tjetër. E ndërpreu rënkimin, thua e kuptoi se unë isha i pafuqishëm ta ndihmoja në këtë gjëndje. Po i fshija sadopak gjakun. Duart e mia qenë skuqur si në një aktor tragjedie. Telefonova Urgjencën e Spitalit, pastaj vajzën. Erdhën infermierët. Bënë kontrollet e para. Pyetën për ngjarjen. Fotografuan. Pyeta nëse ka rrezik për jetën! Mblodhën supet. E morën me kujdes, dhe u larguan…
Të nesërmen, bashkë me vajzën, shkova në Spitalë ta shihja. “Tri minuta…” urdhëruan mjekët. Ishin disa që këmbenin mendime. Sasia e tyre më trëmbi. Ajo qe rrethuar e lidhur me lloj lloj fije e aparate. Sytë i mbante mbyllur. Desha t’i flisja, por mjekët thanë se duhej të largoheshim. E pashë për të fundit herë. Nuk kuptohej, qe në botën e të gjallëve apo në botën e të vdekurve. Qe midis tyre, thua dëgjonte nga brënda mendimet që këmbenin për të vdekja me jetën. Ajo vetë qe e pafuqishme të jepte dëshirën e saj. Që kur u rëzua nga shkallët aq keq, fatin e saj e dorëzoi tek të tjerët. Qe apo nuk qe fajtore, ishte vonë dhe tanimë pa vlerë për ta gjykuar. Sa për mua që më linte vetëm në dhé të huaj, nuk ndjente faj pasi nuk kuptonte më se ç’do ndodhte…Vajza si mjeke ndënji dhe ca, në konsulta me ta.
Erdha në shtëpi. Heshtje e plotë, thua hyra në botë tjetër e po kërkoja bashkëshorten. Ngjita shkallët, e ndala te gjaku. Nuk ngjitesha dot lart, gjakun e saj nuk mund ta shkelja. Po e shihja me një lloj hutimi e tronditje bashkë. Më bëhej se ajo qe si gjithmonë aty, diç rregullonte në dhomën tjetër! I flisja…Nuk merrja përgjigje. Mbase mund të përgjigjej, të paktën hija e saj e padukëshme po t’i bërtisja fort, por më dëgjonin fqinjët. Ajo aty kish lënë vetëm gjakun e viktimës…Erdhi vajza, e tha mendimin e fundit të mjekëve, se kish shpëtuar nga vdekja. Nuk kuptoja, po më pushtonte më shumë habia apo gëzimi!..
Të nesërmen shkova përsëri ta shihja vetë. Qe po ajo, veç e dobësuar. Hijeshia e njohur dhe e çiltër e saj, më tepër se tokësore qe bërë fetare, si e ardhur nga pikturat e ungjijve. Po flinte. I fola lehtë. Hapi ngadalë sytë e më buzëqeshi po aq lehtë. Më dha dorën, e ia mora në dorën time.
– Ke kohë që s’ke ardhur -, më tha…Unë qesha i përzemërt. Fjalët i thoshte me zë të ulët sa mezi i dëgjoje, e të ndërprera si nga lodhja: – Të kanë sharë… prapë ata…Do vesh prapë… në Golëm?!..- Qesha ëmbël me vete. -Do vete, i thashë. Po nuk më deshën njerzit, më duan gurët…Pastaj, shtova, një pjesë janë….- Ajo mbylli sytë lehtë, thua shkoi diku në botën e saj të dytë , të merrte pyetjen e re për mua. Pa pritur shtoi: – Ata…pjesa që shajnë ashtu…pse nuk bien nga shkallët?..- Qesha përsëri me vete. Ajo qe afruar më shumë me jetën. – Kam gjumë – tha. – Tërë jeta na shkoi duke u barazuar me njëri tjetrin…- shtova unë. – Kjo është e treta e madhe…Të kujtohen? – Ajo hapi sytë si në një botë me dritë që i erdhi nga e kaluara.. Më shihte tanimë me një gëzim të lodhur në fytyrë. Deshi vetëm t’i dëgjonte ngjarjet. – Dy të parat, qenë barazim për jetën. Kjo, e treta, është barazim pranë vdekjes…- U pendova që e zura në gojë vdekjen, dhe kujtova historitë e para që ajo i donte shumë kur i tregoja si të qenë një vepër e bukur arti:
…Ishim dy të rinj studentë që duheshim hapur…Një mik zyrtar më njofton, se isha caktuar, bashkë me një tjetër, për studime letërsie në Moskë. Sigurisht u gëzova shumë, dhe nisa përgatitjet. Befas, vjen më takon një oficer i njohur Sigurimi, bashkëfshatar (D.H.). Njeri babaxhan e i përzemërt, sa i detyrës dhe i zakonit. Ma thotë menjëherë pse kish ardhur:
– Je caktuar nga lart, të vesh në Moskë për studime. Por ne, Sigurimi, të ndaluam ngaqë do marrç një grua borgjeze nacionaliste…Janë ligjet tona të prera. Unë erdha jashtë rregullit të të njoftoj…meqë je djalë i atij babai…Se ty s’të njoh veç në ca vjersha…Puna juaj! Më thuaj, që ndahesh nga borgjezja, dhe të hapet udha…- Mbeta i ngrirë e i hutuar. – Po unë nuk jam martuar, as fejesë…- i thashë me butësi. – Do martohesh, atje po veni. Ne i dimë të gjitha. Ke dy ditë afat. Dërgoi telegram që jemi ndarë, ma jep mua…Dhe kaq. Do vij prapë. Për atë baba që ke po e bëj…- Më dha dorën e u largua.
Takoj Zanën. Si gjithmonë e çiltër, dërgoi buzëqeshjen që nga larg. Fustani me lule rozë e bënte më të hijëshme. U takuam. Më pa të ngrysur ndryshe nga herët e tjera. I thashë arsyen me fjalë sa më të buta. Ajo ngriu në vënd. Deshi të thoshte diçka, por e mbytën lotët e menjëhershëm. Pastaj foli nëpër hutim: – Ik! Mos e prish fatin tënd për mua…Ky është fati im, i familjes sime. Ik…shih të ardhmen tënde…- Dhe u largua duke qarë…Po e ndiqja me sy. Nuk kisha provuar tronditje të tillë në jetë…
Erdhi më ritakoi oficeri bashkëfshatar. _ Nuk e lë – i thashë prerë. Ai hapi sytë. – E ke megjithë mënd? – Po- . Ti qofsh – ma ktheu. -Për një vajzë të lësh Moskën…-e të tjera.
– Rodhën vitet…Pas 13 vitesh mësues gjimnazi, më morën redaktor kulture në Zërin e Popullit. Pas tre vjetësh trazira gjithmonë, aty më dënuan egërsisht me shpifje të kurdisura, sikur kisha fyer Udhëheqësin! U nisa për dënimin në Metalurgji, ku bëra 10 vjet. Flitej dhe për burgun, u bënë dhe mbledhje për burg në Metalurgji me akuza të tjera… (s’është vëndi për hollësira). Gruaja e një shkrimtari takon time shoqe e hiqet sikur i qan hallin, që të ndahej nga unë, të më linte! Këtë ta bënte për fëmijët, pasi unë do burgosesha dhe familja do internohej, se ajo i dinte këto nga i shoqi! Ime shoqe ia ktheu po butësisht, se unë kisha lënë Moskën për të dikur…Si mund të më linte tani ajo! -Thanë dhe ca fjalë e u ndanë.
U bë një lloj barazimi në kohë të ndryshme me njerëz të njejtë. Qe barazim pranë jetës. Ndodhi dhe barazimi afër vdekjes tek të dy. Unë u godita egërsisht nga mafia antishqiptare sa për të shpëtuar erdha u rioperova në Zvicër. Zana u godit po aq rëndë nga një rastësi aksidenti. Dolëm të dy nga vdekja dhe po vazhdojmë pranë njëri tjetrit atë shirit jete që na ka mbetur…Njëra fatkeqësi e shpëtuar i dha fuqi fatkeqësisë së tjetrit për t’ia larguar vdekjen, gjer në ditën që e vendos Zoti, kur jeta e humbet kuptimin.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.