Brenga

Vilson Blloshmi

Nëse nuk munda brengës t’i bëj ballë,
Zjarr përsëri kam në shpirt të djegur;
Nëse m’i vdekur jam se çdo i gjallë,
Mirë pra, m’i gjallë jam se çdo i vdekur.

Gjatë ditëve të kthjellta…

Gjatë ditëve të kthjellta shoh shpesh un’ hijen time
Që zgjatet nëpër mbrëmje që zgjatet ndër agime

Shpesh herë ndaloj në rrugë dhe dhëmbshur e vështroj
Këtë copë errësire që nata e harroi;

Apo që e këmben me ndonjë copë ndriçim,
Që midis territ dridhet e dridhet si jetim.

Dhe ditët shkojnë pafund, dhe netët gjithashtu,
Diçka peng njëra-tjetrës gjithmonë i lënë diku.

Dhe shkasin netët-akull, dhe digjen ditët-furrë
Dhe pengun njëra-tjetrës nuk ia kërkojnë kurrë.

Shpesh herë mendoj i vetëm, në mbrëmjen ngjyrë flake
Për ndriçimin, jetimin dhe hijen bonjake.

Ndërsa vërsulet globi në honin e pamatë
Me njërën faqe ditë dhe faqen tjetër natë.

Dhe zgjuar shpesh bashkoj unë mbrëmjen me mëngjezë…
Eh botë faqe-bardhe! Eh botë faqe-zezë!…

Kur ditën qiell’ i kthjellët nxihet nga retë-shkrumb,
S’e shoh hijen bonjake, se di nga shkon e humb.

Kur natën midis qiellit hedh rreze hënë e plotë,
Humbet ndriçim-jetimi në dritëzën e ngrohte.

Prandaj vërshon gëzimi, prandaj brengat më lënë
Kur dita është e mvrenjtur, kur nata është me hënë.

2.12.1973



No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.