BUDA DHE MAJMUNET nga Beqir Skreli

Beqir Skreli

BUDA DHE MAJMUNËT

– Po te silleni mirë, iu premtoi Budha majmunëve, mund të më mbushet mendja dhe një mëngjez t’ju bëj të gdhiheni njerëz.

Pas kësaj, çdo mbrëmje majmunët me shpresën se Buda do t’a mbante fjalën mblidheshin dhe hanin, pinin e këndonin.

Kur binte mëngjezi dhe asgjë nuk kishte ndryshuar, mblidheshin dhe vajtonin. –

Kanë kaluar mijëra vjet nga kjo histori,
Majmunët kanë mbetur majmunë përsëri.

Kanë mbetur majmunë që si majmunë jetojnë,
Që as shpresojnë më, as mblidhen të vajtojnë.

A thua i gënjeu Buda që ta linin rehat,
Apo u lodhën nga pritja dhe morën inat?
Më mirë majmunë gjithë jetën e jetës
Se shpresa të kota, shtyj sot e shtyj nesër.

FATI I KURVËS

“Paç fatin e kurvës!” thonë për dikë që nuk ka pasur emër të mirë por që jeta më pas i ka shkuar shumë mbarë.

Pse ky paradoks?! Që në fillim po them se besoj që në shumicën e rasteve etiketimi “kurvë” është i pamerituar. Mjaft herë ky etiketim buron nga inati, nga cmira, nga paaftësia e atyre që e mbajnë veten vajza të mira.

Si rregull, kurvë quhet ajo femër që nuk vepron në përputhje me normat morale të kohës që rregullojnë marrdhënjet seksuale në shoqëri. Duke lënë mënjanë anën morale të problemit, shkaqet dhe rrethanat konkrete, ajo që mbetet është: Damka, vula, etiketa që iu vihet femrave në këtë rast, i vendos ato në pozitë shumë të vështirë. Pasi cilësohet si e tillë, femrës i duhet të përballojë presione, shantazhe, fyerje, padrejtësi, provokime, tallje, thashetheme e deri në kërcënime fizike e rreziqe për jetën. E mbetur vetëm e pa përkrahje, kjo femër testohet, vihet në provë. Kështu, ajo njeh më mirë jo vetëm veten e saj por edhe shoqërinë që e rrethon. Kur nuk e dërmon, kjo gjë e kalit, e forcon, e bën të aftë të kapërcejë situatat, e bën të guximshme, trime, kurajoze, mëndjemprehtë.

Është kjo “shkollë” që e bën atë shumë të efektive dhe të gatshme për të kapur rastin. Pra, suksesi i saj nuk vjen nga “kurvllëku” por nga kalitja, përvoja, guximi.

Po “vajzat e mira”?

“Vajzat e mira” i njohin mirë konvencionet shoqërore, ndaj nuk e kapërcejnë dot gardhin; ato janë shumë të ndjeshme ndaj figurës së tyre, ndaj asaj çka të tjerët mendojnë për to. Po ta shikosh hollë hollë, ato nuk kanë figurë, nuk kanë personalitet; kanë vetëm një identitet të rremë që vjen nga mosveprimi, pasiviteti. Shpesh, në opinion ato mbahen si simboli i virtytit por në fakt nuk mund të jenë të tilla; një virtyt i patestuar nuk është virtyt.

Këto “vajza të mira” ndjehen ngrohtë brenda konvencioneve morale formale. Prandaj ato rriten pa guxim, nuk kanë përvojë, kanë frikë, kanë një mendim të rremë për madhështinë e mirësinë e vetes së tyre, për ikonën e tyre. Për fat të keq, kjo i bën të ndjehen më lart se të tjerat. Them për fat të keq sepse me këtë mëndje ato ka shumë të ngjarë të mbeten si ato kokërrat e papjekura, të pakëputura në majë të pemës deri sa të kalben e të bien në tokë si ushqim i gatshëm për derra.

Asnjë shfryrje e mllef për “fatin e kurvave” nuk i shpëton dot ato e nuk i bën dot të lumtura.

Lerini “kurvat” rehat!

Nuk ka “fat të kurvës”. Ka vetëm fat të njerëzve të guximshëm, trima dhe kurajozë.

 “KU DI Ç’MENDOJ UNË?!”

Republika e shtatë e Jugosllavisë

Për herë të parë sot në mëngjes e kuptova sa gabim kam bërë që jam tallur me Shvejkun kur thoshte “Ku di unë ç’mendoj unë?!” Mësova se askush nuk e ka në dorë mëndjen e tij, as kur është zgjuar e jo më në gjumë.

M’u shfaq një sallë e madhe diku në një qytet që herë më tingëllonte si Brazil e herë si Bruksel. Nuk di pse m’u fiksua se ishte fillim qershori andej nga viti 4002. Sidoqoftë ishte behar sepse në një cep të sallës po këndonte një cinxurr.

– Jam ministre e mbrojtjes se Kroacisë, po këmbëngulte nje grua në mes të sallës.

– Hajde në vete moj zonjë, hajde në vete, po përpiqej t’a qetësontë bashkëfolësi. Po të jesh ti ministre e mbrojtjes së Kroacisë, atëherë unë i bie të jem ministri i mbrojtjes së Maqedonisë, kurse ai kokëbardhi që po n’a afrohet i bie të jetë ministri i mbrojtjes së Shqipërisë.

– Cili kokëbardhë? u duk sikur erdhi në vete ajo që e mbahej si kroate e aq më tepër si ministre.

– Ja moj, ai që mban në dorë atë pishtarin e demokracisë.

Në këto e sipër, kokëbardhi me pishtar në dorë u afrua duke qeshur dhe iu thotë:

– Për herë të parë më vjen keq që Shqipëria nuk u bë republikë e shtatë e Jugosllavisë.

Fjalët e kokëbardhit buzagaz me pishtar në dorë u përcollën tek dëgjuesit si shkarkim rrufeje që iu mori gojën. Me sy të çapërlyer ata vështronin njeri-tjetrin dhe të vetmen fjalë të mekur që mundën të shqiptonin në anglisht ishte:

– Pse?!

– Po ja, se po të ishte bërë Shqipëria republikë e shtatë e Jugosllavisë, unë tani do flisja serbokroatisht me ju.

3:22 minuta pas mesnate! Sinjali i një mesazhi të ri në FB nuk më erdhi si zakonisht, në vesh, po më goditi në ballë si çukitje gjeli. Brofa nga dysheku si me telekomandë. Ç’të ketë ndodhur në ndërmarrje, vallë? Një shok po më ftonte për të marrë pjesë në takimimin që do bëka këtu në Amerikë me emigrantët ministri shqiptar, rilindas, pishtar dhe buzagaz i emigracionit. Për pak harrova të them, dhe kokëbardhë. Hallall!

Pse më zuri më gjumi, thoni?! Jo vetëm natën por as sot gjithë ditën nuk kam mbyllur sy.

Dhe për t’i vënë kokë muhabetit: Kur nuk jam në gjendje të di se ç’mendoj unë, as që më shkon në mëndje të vras mëndjen se çfarë mund të mendoni ju.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.