BUKURIA E NJË GRUAJE nga Mimoza Çobo

Mimoza Çobo

FRYMA S’MË DEL PO S’TË PATA PRANË…

Fryma s’më del po s’të ndieva thellë në eshtra,
po s’të ndjeva,që të zbutësh ndjenjat e egra,
të gjarpërosh si i marrë mbi hiret e shpërthyera, 
të më helmosh e të më ngjallësh,si ngahera.

Fryma s’më del,pa ndierë të dalldisurat ledha,
pa thyer gjerdhet mishtore ku harliset dredhka,
pa ndjerë ekstraktin e rrënjëve të tua nëpër vena,
pa bleruar brigjet e mishta,brigjet e djerra.

Fryma s’më del po s’të pata pranë,unë e mjera,
po s’erdhe të puthësh buzët e buta,buzët e egra,
sythet,që rrinë mërzitur,nën lotin që përpin era,
eja,pastaj le të më dal shpirti nëpër dhera!…

Fryma s’më del po s’të pata pranë,si ngahera,
po s’më le të të marrë një herë erë,unë e mjera,
po s’më le të zhys në valë erotike,të më tretet eshtra,
e pastaj të hedh vallen e vdekjes,pa lotë e brenga.

BUKURIA E NJË GRUAJE

Bukuri e gruas cilin burrë se përpiu,
kë nuk çmendi gjer në marrëzi,
kush ndenji afër saj e netët si gdhiu,
i etur mistereve gjer në babëzi…

Bukuria e një gruaje,kë nuk ngjalli,
cilin burrë se zgjoi shtratit mortor,
vërshimet e saj,si trokëllima kali,
gjirit ia shkulën zemrën e gjorë.

Bukuria e një gruaje s’shijohet kurrë,
pa pirë burimin e buzëve të saj,
pa drithërimën kur e prek një burrë,
pa fëshfërimën që rrjedh nën fustan.

Bukuria e gruas ndrin petkut të saj,
mes gjetheve të hirta të pritjes,
në gjoksin mishtak ku përpëlitet pa faj,
shtërgu kur është drejt ikjes.

Bukuri e gruas oaz që syrin ngjall,
nëpër qiellra të turbullta prillesh,
kur erërat shndërron parfume të rrallë,
shpirtrat c’virgjëron mes trillesh.

Bukuri e gruas shëmbëlltyrë luleje,
që të ndjell, si bleta me delikatesë,
bukuria e cdo gruaje altari i lutjeve,
i ndjenjës së vrarë që kërkon shpresë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.