BUKURIA E NJË GRUAJE nga Mimoza Çobo

Mimoza Çobo

BUKURIA E NJË GRUAJE

Bukuri e gruas cilin burrë se përpiu,
kë nuk çmendi gjer në marrëzi,
kush ndenji afër saj e netët si gdhiu,
i etur mistereve gjer në babëzi…

Bukuria e një gruaje,kë nuk ngjalli,
cilin burrë se zgjoi shtratit mortor,
vërshimet e saj,si trokëllima kali,
gjirit ia shkulën zemrën e gjorë.

Bukuria e një gruaje s’shijohet kurrë,
pa pirë burimin e buzëve të saj,
pa drithërimën kur e prek një burrë,
pa fëshfërimën që rrjedh nën fustan.

Bukuria e gruas ndrin petkut të saj,
mes gjetheve të hirta të pritjes,
në gjoksin mishtak ku përpëlitet pa faj,
shtërgu kur është drejt ikjes.

Bukuri e gruas oaz që syrin ngjall,
nëpër qiellra të turbullta prillesh,
kur erërat shndërron parfume të rrallë,
shpirtrat c’virgjëron mes trillesh.

Bukuri e gruas shëmbëlltyrë luleje,
që të ndjell, si bleta me delikatesë,
bukuria e cdo gruaje altari i lutjeve,
i ndjenjës së vrarë që kërkon shpresë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.