BURONIN NJËQIND DIEJ NË DITË nga Adem Zaplluzha

Adem Zaplluzha

BURONIN NJËQIND DIEJ NË DITË

Ajo ishte alfa dhe omega
Nga syri i saj i majtë
Pikonte hëna
Kurse nga e djathta
Buronin njëqind diej në ditë

Njërin sy e ruante për dritën
Kurse tjetrin
Për një tjetër dritë
Që do lindi
Në qytetin e shenjtorëve

Dyzetë kambana jehuan mbrëmë
Mbi muret e lashtësisë së mykur
Dyzetë herë nga dyzetë zëra
Kumbuan në thellësinë e detit
Kur me ngashërim dëneste qielli.

DITËT KËTU NGJAJNË ME PLUHURIN

Të thashë mos mendo për nesër
E nesërmja
I ngjan një tjetër nocioni
I cili rri gjithmonë zgjuar
Në hapësirën e mendjes së njeriut

Më duket se të thashë
Por mbase nuk pata
Se kujt t’i them
Për një të nesërme
E cila veç sa nuk ka mbërri

Ditët këtu ngjajnë me pluhurin
Ose me gurtë
Që pëlcasin nga zabullima
Askush nuk i kupton të uriturit
Vetëm kontejnerët ua dinë hallin

Të thashë ose më the
Çfarë kuptimi kjo fjalë sonte
Kur ajo s’peshon sa një pendël
Në krahun e djathtë
Të trishtilit të plagosur

NË MUZE

Shoh ushtarë trima
Por edhe dezertorë që ikën
Nga lëkura e regjur e frikës,
Një ushtë, maja e së cilës afër njëmijë vjet,
Kullon gjak të ndryshkur.

Kapela të metalta me dhe pa bri dhie,
Ushtarë të drunjtë,
Gjeneral të cilët, sa herë e panë frikën,
U bënë tym e pluhur,
Vetëm nami i tyre ngjan me hijen.

Shoh njerëz të thjeshtë
Me nga një kërrabë në dorë dhe tërfurk
Të ngarkuar me sanën e vjeshtës,
Gra të bukura shqiptare
Duke endur këmisha si Penelopa.

Shpata të oksiduara nga pluhuri
Dhe ushtarë që kthehen në shtëpi
Pas njëqind vjet luftërash.
Në muze ndjej dhembjen ose qetësinë
E një tufani që sapo s’ka filluar.

-nga libri “Te ullishtat e vjetra”-

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.