CIKËL POETIK nga Agim Shehu

Agim Shehu

QYLYMI I NËNËS SIME

Gjalmin zgjedhur prej çdo ngjyre, –
nëpër gishta shpjer e bjer.
Mbi tezgjah, krahët mes tyre
i formonin një ylber.

E kuqja kudo nxjerr ballin
(qe dielli mbi Lumaqe
ku shëndet’ i kuq i malit
nënës i ndizej në faqe).

Kur të ‘zezën’ mes të kuqes
hidhte në qylym të saj,
atë ditë kish parë tutje
një shqiponjë lart në majë.

Një fill rozë të hollë, të pakë

ndrojtur në qylym ka prurë,

(qe një trandafil i largët
që u pre e s’u dha kurrë)..

Ngjyrën e ëmbël të hënës
tek e verdha që shikoni,
biri kur sëmurë ka qënë,
nëna e dha ngjyrë limoni.

Hidh e prit me duart flutur,
e kur boshti priste fijen,
lidhte gjalmin e këputur,
si t’u zgjaste udhët bijve.

E gjelbra, e ngrohtë e butë
ku nuk futej në qilimet!…
(bar i dhënve kurrë mos humbtë…-
gjithnjë thoshte nëna ime).

Mes blerimit të qilimit
zogj të bukur qenë skicuar…
Qenë zogjtë që përcillnin
nënën larg me dru ngarkuar.

Vijat në qilim – të drejta,
harqet – valle hip e zbrit…
Si s’e dinin nënë shkretat
se aty do ecnin bijtë!..

BARIU XHA LILO PËR VAJTJEN NË HËNË
1969
Thanë – tre njerëz lart u ngrenë,
vanë në hënë, në hapsirë!..
Të venë, mirse të venë
nëse shkojnë për të mirë!

Hënëmirën që i qesh nuri,
lart në mal ku stanin ngrëmë,
ne barinjtë me lugë druri
përmbi dhallë e kemi ngrënë.

Hëna jonë në këto vënde
kundërmon përmbi aroma.
Me florinë e kësaj hëne
kemi lyer këngët tona.

Nëpër pllakat e çative,
pa trokitur hynte brënda
e mbi djepet e fëmijve
ulej e u zbardhte ëndërat.

Mbrëmjeve, kur befas “zihej”
(na e merrte ‘hij’ e keqe’),
ne asaj ia hiqnim hijet
duke shkrepur lart dyfeqet.

…Dhe dje, njerzit lart u ngrenë,
gjer në hënë, në hapsirë…
Të venë, mirse të venë
gjersa shkojnë për të mirë…

SI ËNDËR…

Frushulliu një krah thëllëzash,
më preu gjumin e vonë…
Kisha fëmininë në endëra
dikur…larg në fshatin tonë.

Nëna që nga mali tutje
kthehej me thekër në shpinë.
Barra që në krah i tundej
më peshonte gur në brinjë,

Pas pelës në gur e gjëmba
vrapoja mos më ikte mëza.
Gjakun që më dil nga këmba,
e kishin në këmbë thëllëzat.

Ferrë më ferrë si dhi sherrete
zgjatesha për dy tri mëna.
Ferrat me oreks për vete
rrëmbenin kallinj nga nëna.

Pas kallinjve, këmba këmbës
na vinin gjer afër fushës –
thëllëzat nga barrë e nënës,
larashi nga barrë e mushkës.

“Nënë, çlodhu pak te bregu!”
Ulej, ndezur flakë e kuqe.
Drapëri me hark të feksur
i zbardhte si hënë mbi supe.

Më zgjidhte kallinj të rëndë,
i shkoqte e pëshpërinte…-
te çdo kokër në pëllëmbë
birit i numuronte vitet…

…Hapa sytë – s’qe më ëndëra.
Nga dritarja sytë i ngrita:
njoha drapërin te hëna,
nënën e njoha te drita.

SHOLLËT E XHA SALIKOS

Shollët, xha Saliko,
qysh vallë i këpute?
Për muze t’i morën,
në muze i fute.

Shollve si të tuat
s’u gjëndej nishani –
meshini nga Duçja,
telat nga ‘gjermani’.

Me to, flutur lufte
ikje si furtuna,
plumbat nëpër këmb¨,
këmbët përmbi plumba.

Djersite tri orë
sa i qepe mirë
te derë e kasolles,
mbi një plaf të dhirë.

Thëmbrave, të dyjave
u lidhe për zverku
dy tela junani
me dredhira greku-

Dhe me to për këmbe,
si e tore hollë,
u nise për luftë –
partizan me shollë.

Armiku të njohu
kur drejt tij u turre,
dhe në rreth të pushkës
me gjithë shollë u vure.

Po ti iu vërvite
se s’të priste puna:
plumbat nëpër këmbë,
këmbët përmbi plumba…

SHTËPIA BALLË LUFTËS

Dolëm nga shpellat pas “Operacionit”,
vrapuam, shtëpinë të shikonim.

Shkrumb e tëra. Fëmijë para saj,
u shkreha në vaj.

Nga malli për të, nisa lodrën – çunak,
me copëra lufte
ta ngrija mbi një pllakë:

Një bombe të paplasur i mora kapakun
e bëra vatrën dhe oxhakun.

Një ashkël predhe nga mortaja
e vura çati te maja.

Një predhë të gjatë kundërajrori
e ngrita oxhak te oborri.

Copëra bombe si thela çokollate
i vura gurë banje
mbi dy degë lofate.

Një tel Italie nxirë nga zjarri
e bëra skelet mullari për barin.

Me tel të sertë në stil partizani
i zura shtegun junanit.

Një gëzhojë të gjerë belxhiku të verdhë
e vura për nënën
dybek në derë.

Një shtizë arme Moskovi
që na dukej më e bardha,
e lidha fill për teshat e lara,

…U dëgjuan prapë gjëmime tutje,
era sillte prapë re lufte.

Te shtëpia me copra gjylesh ngritur,
gëzhojat filluan vërshëllimat pa pritur.

Në vatër kapaku i bombës po skuqej,..
telat u tendosën e zunë të këputen.

Vinin prapë armiq me etje beteje…
Oxhaku kundër-ajër po i shtinte një reje…

Gëzhoja e gjerë e belxhikut – dybek
shkumonte dhallë,
për luftëtarët në breg…

VALLJA E GRAVE LABE

Ua njihni vallen grave labe!? –
një rreth i rëndë pa dredhka supesh,
thua, në mes të valles kanë
bijtë me plagë të rënda lufte.

Burrat “matanë” lënë këngën
posa jep shenjë një i parë:
“Pushoni! Gratë zunë vain,
mbi vaj ngarkojnë bijtë e vrarë!”

Gratë në vënd e presin këngën
sa u jep shenjë shoqja në shpinë:
“Pushoni! Po këndojnë burrat,
venë në luftë e s’dimë në vinë!”

Këndojnë labet – zgjohen malet,
gjithëçka lëviz e trazon shekujt… –
të vdekurit dridhen të ngjallen,
të gjallët dridhen për të vdekur…”

NË VEGJËLINË ME HËNË

Thoshte një këngë në fshat:
“ç’nuse-hënë kemi zënë!..”
Sytë e njerëzve te nusja,
sytë e mi ngulur në hënë…

“Bir-o, shko në mal…-më thanë –
lart te delet vero vapën!”
Doemos që do të shkoja,
atje hëna qe më afër.

Ndiqja fluturat mbi lule…
unë ik…e hëna ik!
Lodhesha, e më lëmonte
dritë argjëndi mbi qerpikë.

Unë qëndro, ajo qëndro
poshtë saj më lidhej goja.
Ngrija kokën – hënë e plotë
ishte ‘bejka’ që kërkoja.

Flija ëmbël në kasolle,
dëgjoja mushkën nga brënda,
gjuhëza kur prekte zilen,
thoshja – ra një yll te hëna.

Këngët që këndonin dasmat
zunë më tingëllonin ëmbël..
Hëna nga pasqyrë e nuses
më zbukuronte si dhëndër……

TE DELET

Hyra në vathë, e delet u trembën
e rëzën e gardhit zunë…
Mua, bir fshati, më theri në zemër
që delet të tremben nga unë!

Më panë të huaj e sytë s’mï shtinin
dhe shtynin shoshoqen anëve.
Ato, si dele të shkretat s’e dinin
që unë kam lerë pranë çobanëve.

Kur qaja në djep se më ikte nëna –
të shkretat nëna ngarkuar –
delet ngrinin kokën nga hëna
dhe blegërinin për mua.

Pas shelegëve në pllaja e rrëpira
lozja e bridhja me fyell në dorë
më tundnin kokën delet e mira
dhe mbushej lëndina me zile e këmborë.

Mos më shihni, dele, shtrembër,
unë erdha dhe juve t’ju shtie ca bar.
Mua shpesh më dridhet në zemër
blegërima juaj e bardhë.

* * *

Kur dalin plakat në lëmë
u thonë nuseve – vita:
“Moooj, na mbani në pëllëmbë
se ju dhamë djem si drita!”

Nuset tek u çojnë kafenë,
vënë dhe përgjigjen sipër:
“Po ne djemtë prapë jua kthejmë –
ca si mbesa, ca si nipër!”

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.