CIKEL POETIK nga Agim Shehu

Agim Shehu

SHQIPJA JONË ME DY KRERË

Flamuri ynë – dy kokë shqiponje,
(thua, si fati yt, Atdhe),
mes fqinjëve, t’i thonë shoshoqes:
“unë shoh këndej, ti shih andej!”

Dalë nga një trup si dy binjakë,
mbi bot¨¨e bashkë klithin shpallje:
“në u plagostë njëra pakë,
ndaj është tjetra, të ringjallet”.

MËSIMI I PARË I ABETARES

(Mësuesit të paharruar Ahmet Idrizi, pushkatuar nga komunistët)

“A…a…” më thoshte mësuesi te koka
dhe vinte gishtin në “a” – në e abetares.
Rrapi në obor tundte degët e holla
që e shkruanin në qelq të dritares.

“a” e vogël e shtypit shkruhet shkoqur!…
“a”-ja e mësuesit më shihte në sy një orë.
(Mbrëmë unë mbaja një folé zogu
si “a” të vogël në dorë).

Më dridhej dora mbi “a”-në e vogël
e pa dashur, e shtrembëroja me penë…
Përjashta cicërinin zogjtë çamarokë
se dje u prisha folenë.

“A” e madhe e shtypit, e thjeshtë fare –
dy vija që puqen, dhe një vizë brënda…!
Zogjtë hapnin sqepin si “A” e madhe
dhe në folé prisnin bukë nga nëna.

Një zog m’u afrua te dritarja karshi,
më njohu, e këndoi dy tri herë mbi shkollë.
Unë shkrova në fletore si me sqep të tij
“A”-në e madhe, të bukur, të hollë…

Dorën e vogël, mësuesi në klasë,
folé zogu ma mbante në dorën e vet…
Ngjita këmbët e vogla te këmba e “A”-së,
dhe u nisa në jetë…

SHQIPËRIA

1.(në orën e gjeografisë)
Kërkonim Shqipërinë mbi globin –
“ja, ja…kjo pika te kjo vija”!..
I vinim gishtin…e mbulonim…
(e shtrenjta jonë Shqipëria!

Një pikë në glob…po ç’né, ku janë
kaq male, pyje e zabele!
Sa pak i vinë meridianë,
sa pak i shkojnë paralele!

Na ngopej syri në dritare,
na pikej syri përmbi glob.
Si s’je, moj Shqipëri më e madhe,
dhe dridhnim globin prapë si top.

E shtetet fqinjë mbi glob nxitojnë
ende më tej t’u vejë kufia.
Ne, sytë veç te “pika” jonë,
mos humbte fare Shqipëria.

2.(në orën e historisë).
Vjen “historia”, dalin trimat,
na nxirnin ballin gjyshërit tanë.
Sa paralelet shtrirë martinat,
Sa meridiani jataganët.

Qëllo në mbrojtje e s’u lodh
kjo “pikë” e viseve të mia,
e kurrë qerpiku nuk iu drodh
kur thirrte “ndihmë!” Shqipëria.

Dhe historia flakë mori,
vargmale luftrash ngado rriti.
Kjo “pikë” vallë, nga i nxori,
ky vënd i vogël si i ngriti!

Vërtitet globi, toka, detet…
Unë sytë aty, te vatra – nëna.
Atdheu im gjëkundi s’vete,
e as të huaj nuk lë brënda.

NË VEGJËLINË ME HËNË

Thoshte një këngë në fshat:
“…ç’nuse-hënë kemi zënë!..”
Sytë e njerëzve te nusja,
sytë e mi ulur në hënë.

“Bir-o, shko në mal – më thanë,-
lart te delet vero vapën!”
Doemos që do të shkoja,
mbi mal hëna qe më afër.

Ndiqja brinjave shelegët –
unë ik e hëna ik!..
Lodhesha, e më lëmonte
dritë argjëndi mbi qerpikë.

Unë qëndro, ajo qëndro,
poshtë saj më lidhej goja.
Ngrija kokën,..hënë e plotë
ishte bejka që kërkoja.

Flija ëmbël në kalidhe,
dëgjoja mushkën nga brënda.
Gjuhëza kur prekte zilen,
thoshja – ra një yll te hëna!

…Këngët që këndonin dasmat
i shkoja në buzë ngadalë.
Hëna nga pasqyrë e nuses
më shihte…pa thënë një fjalë…

BAJRONI NË TEPELENË

Kur erdhe ti në këto anë,
liria rronte kohë të keqe.
Të dashurit stërgjyshët tanë
lëmonin thikat e dyfeqet.

Ti vije nga një botë e rrallë
te një Pasha thirrur ALI.
Lebërit me fustanellë të bardhë
ç’thonin për ty – një Zot e di!

Drejt nesh, në buzë mbaje këngën –
me se të ta shpërblenim ne?!
Gurin e sertë ku vije këmbën,
hëna e vishte kadifé.

Në ‘salltanet’ – harqe e kollona
madhor, i rreptë t’u shfaq Aliu.
Në gjumin tënd mbi malet tona
rrihte daullen tamburxhiu.

Uri e frikë kish nër lugje,
megjithatë, nën hënë a borë
malet që dridheshin mbi lugje
ty, sa të panë ta bënë me dorë…

FOTOGRAFIA E GJOLEKËS
(poezia është pikturë me fjalë,
piktura është poezi pa fjalë. -Lesing)

Gazetari u end fshat më fshat,
mos ia gjente diku
fotografinë Gjolekës!
Pyet e kërko ditë e natë…,
por gjëkundi s’e gjetën.

“E kam unë…” tha një plak, më i vjetri,
pastaj ftoi shokët nën hije lisi
e kokë më kokë, si lebërit
këngës së Gjolekës ia nisi:

“Gjoleka në Zhur të Kuçe…”
ia mori ai me zërin e parë
(skicimi i portretit të Gjolekës
udhën kish marrë.

“Me fustan të ri hajduçe…”
u zgjat vizatimi më tej.
“Dyfekun me strufe”
ia nxori mbi supe
ai që nisi t’ia kthejë.

I treti, hedhësi, zgjat zërin nga retë
me zhurmë shollësh
te zalli matanë:
“Prit nizamët o Gjolekë…”
dhe skicoi Grykën me nizamë.

Pastaj tok zgjatën zërin mallëngjyeshëm
si të zgjatnin vijat e portretit
(një vizë që njëri e linte përgjysëm
më tej e hiqte tjetri.)

Dikush, me faqen në pëllëmbë
rënkoi “u trete, Gjolekë, u trete”,
dhe portretin ia mbështolli me këngë,
t’i hapej në katër Vilajete.

Një i ri, sytë te një vajzë i takoi,
pastaj, skuqur nga turpi
drodhi zërin dhe “Gjolekë spanoit”
i ledhatonte flokët gjer te supi.

Kumboi isua sa gjëmoi natyra,
ranë fije ylberi në zërat me të prera
(fytyra Gjolekës iu mbush tërë ngjyra,
dhe si të gjallit i lëviznin nervat.

…Plaku i parë priste radhën t’ia mirrte
duke kërkuar dhe një varg më të mirë…
Te një pikëz lot që në sy i ndriste,
shihte Gjolekën në hapsirë-

UDHË NË KOSOVË 
1971
Kosovë e bukur, gjak i fryrë,
çdo hap i hedhur – drithërime!
Erdha dhe mbeta…kisha hyrë
në vëndin bosh të zemrës sime.

Një pendë qé sipër një bregu
na pa, e sytë mbi ne i ngrinë.
Vetura-erë me targë mjegull
po na tërhiqte në Prishtinë.

Fushat po shtyheshin karshi,
vraponin të na përqafonin:
“Po rri, kthehu të çamallemi,
ku shkon kaq shpejt o bir” më thonin.

Degët e pemëve si duar
tunden lëndinë më lëndinë.
Malet – baladë e pambaruar
nga ato që i dimë e s’i dimë.

Kosovë, e bukura, e serta,
çdo hap i hedhur – drithërime.
Hyra në gjirin tënd dhe mbeta…
Isha diku në zemrën time.

MULLIRI PRANË “DEGËS”
(Gjinokastër)

Dega e Brendëshme dhe Mulliri
qëndronin tok, nën një çati.
Një bënte zhurmë që e dëgjonim,
një bënte gjëmë pa e ndjerë njeri.

Një dridhte grurë, ushqente njerzit,
një dridhte pranga ulërime.
Punonin bashkë nën një çati –
një grurë, e tjetra mish viktime.

Dy mokrat mes avujsh të ngrohtë
shpejtonin miellin për ta shtuar…
Dosja e Degës shihte mokrat
dhe shtonte “emrat” për t’i bluar.

Bashkë të dy nuk heshtnin kurrë –
një mish njeriu, tjetra grurë…

MUSTAFA MATOHITI – SHTATORE
(përballë huliganëve)

Ishe Njeri…të kthyem bronz
siç bëhet me heronjtë mbi dhé.
Ai bronz sot diku rri nervoz
përballë një turme me varé…

Nëse Heroin e prek tek rri,
bronzi rikthehet prapë Njeri!…

+ + +

Kur dalin plakat në lëmë
u qahen nuseve-vita:
“Moj, na mbani në pëllëmbë
se ju dhamë djem si drita!”…

Nuset, tek u çojnë kafenë
vënë dhe përgjigjen sipër_
“Po ne djemtë prapë jua kthejmë,
ca si mbesa, ca si nipër…”

ZANËS

Ledhaton vajzën, përkëdhel birin…
Të shoh…më sheh
tek llogarit pazarin…
Te thinjat të përkëdhel hirin
me mallin që nga larg për “zjarrin”.

KRISMA E AVNI RUSTEMIT

Brromp – krismë e parë, rrufe mortare.
E dyta “brromp” t’arrijë të parën…
Krisma e tretë – këmba në valle
përplasur dehur nga shqiptarët.

Tradhtia ra. Bota iu nxi,
qielli iu drodh sikur do bjerë.
Diell i fundit në agoni
i ngriu si gjysëm hënë e prerë.

Gjithë historia jonë vu veshin
në ato krisma breshërie.
Me Pashën tok, prapë dridhej sheshit
kufomë e zezë e çdo tradhtie.

Lajmi me dallgë stuhish në supe
erdhi përmbi stere e dete.
E u bë këngë në tel lahute,
haré në grykë të çdo gërnete.

Në Libohovën që e rriti,
bari e lulet atë verë
po puthnin trungun e atij lisi
ku nëna djepin i kish prerë.

Te harku i tytës-revolver
tradhëtitë, ç’ishin e çdo qenë
dhe mes Parisit panë me tmerr
se sa të ngushtë e kanë folenë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.