CIKËL POETIK nga Nexhip Ejupi

Nexhip Ejupi

SHQIPONJA

Po shuhet Ylli i Agut,po ndizen majat krejt,
Shqiponja rrihka flatrat ndaj diellit,drejtpërdrejt…

Me dritë e flakë puplash porsi një shpend i zjarrtë,
Përposh i lë larashët,e tretur,lart më lart…

A do të kthehet prapë te lisi ku u ngrit,
Apo i gjallë do digjet në zjarr edhe në dritë?…

Çuditen poshtë të tjerët,habitur shpendërisht,
Tek dridhen nga skifterët,të strukur në rrapishtë…

Pa nisin theshethemet,sa meken në sqepitje,
Nuk dinë se ç’do të thotë,të marrësh dritë në ngjitje …

Të marrë atë e quajnë,shqiponjën sipër malit,
Me sqepa shuajnë etjen në ujin e moçalit…

……………………………………………………..
………………………………………………………

Po ndizet Ylli i Mbrëmjes,po shuhet ditë e brishtë,
Shqiponja po çlodh flatrat majë lisit,madhërisht!…

VETËQORTIM

C’lirikë është kjo,kur më së pari
Më vjen ndër mend një çerdhe zogu?…
(Me sqep të verdhë një fije bari
Ia çon folesë që ngre te shtogu…)

Bëj be për amën e kthjellët të gurrës!…
Kurrën e kurrës!…

Lirikë i thënçin!…Një mendje blete
Kullot rudinat e Sopotit
E që andej bredh nëpër shtete
Porsi shkreptimat e motmotit…

Bëj be për amën e kthjellët të gurrës!…
-Kurrën e kurrës!…

C’lirikë është kjo,o shkrep i thinjur,
Kur dot thëllëzën nuk e zë?…
Ke vetëm neps dhe pa u nginjur
E ndjell e rishmi e përzë…

Bëj be për amën e kthjellët të gurrës!…
-Kurrën e kurrës!…

C’lirik jam unë,kur regj përbrenda
Një kohë të ikur me kujtime?…
Turp të kem,kur s’di me ç’emra
I rrit fëmijët lagja ime!…

Bëj be për amën e kthjellët të gurrës!…
-Kurrën e kurrës!…

Lirikë i thënçin!…S’di se ç’brenga
Zgjidh shteti im me qeverinë..
A thua kjo lirikë më qenka,
Kur fjala e lirë e çmend lirinë?…

Bëj be për amën e kthjellët të gurrës!…
-Kurrën e kurrës!

GOCA E ZARANIKËS

Ta prek pak nishanin?…
Vetëm sa ta prek…
Nuk kam prush te dora,
Gishti im s’të djeg…

Nëse zemërohesh,
Mos më merr inat,
Zbute zemërimin,
Moj qerpikëgjatë…

Karakafte marsi,
Çelur në Ullishtë,
Qeshmi sytë e kaltër,
Që m’i ke me bisht…

Guguftu e lalës,
Rritur mes gugushë,
Lermë ta shkoq nishanin
Që t’u poq në gushë…

Ngrije pakëz kokën
Përmbi jargavanin,
Gocë e Zaranikës,
Çmende Elbasanin!…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.