DANTE DHE SHQIPËRIA nga Moikom Zeqo

Moikom Zeqo

DANTJA  DHE SHQIPËRIA

Temë ngulmuese, optikë e thugët, magmë marramendëse e realitetit dhe fantazisë. Në shekujt XI-XII, në brigjet adriiatikase të Durrësit, sulmuan normanët detkapërcyes,
kryqëtarët. Në shekullin XIII, i cili është edhe shekulli i Dantes, Karli I Anzhu, krijoi Regnum Albaniaie, Mbretërinë Shqiptare me kryeqytet Durrësin. Ndërkohë, në tokën shqiptare kemi disa dëshmi poetike të hatashme, tronditëse. Në Balsh, varroset kalorësi
Robert Monteforti, Nëndukë i normanëve. Në monumentin mortor të tij , është skalitur një poezi mortore me 14 vargje latine, të quajtur “vargje leonidë”. Epitafi poetik, përfundon:
“O Robert,
Të dhëntë ty,
Mbreti i Parajsës,
Gëzimet e veta!”
Ky kalorës i famshëm, mendon për portën e parajsës, ashtu si edhe vetë Dantja më vonë do ta kishte parajsën epilogun e veprës së vet poetike. Në shekullin e Dantes, një dijetar dhe piktor shqiptar Isidor Mele, shkruan me vargje me jambe, një epitaf metrik për vëllain e vet të vdekur Arkimadrid, që ishte varrosur në kishën e Shën-Andreas, në Arbanon, në Durrës. Edhe kjo poezi, mbaron me Parajsën. Këto dëshmi poetike, nuk duhen marrë të shkëputura nga romani kalorsiak poetik në frëngjishten e vjetër “Florimont” të poetit Amon de Varanezes. Shëmbëlltyrat na udhëheqin, krijojnë lidhje sado të brishta, por gjithsesi të ndritshme në shekullin e Dantes. Nuk duhet harruar se shekulli i Dantes, është edhe shekulli i shtetit të parë shqiptar, i njohur si Shteti i Arbrit.
* * *
Faik Konica ka një tezë të guximshme, por edhe logjike. Ai është shprehur se ka mundësi që gjuha shqipe të jetë shkruar si gjuhë kulture, në kohën e normanëve, të anzhuinëve, në shekullin e Dantes.
* * *
Dantja është emri Rubikon, ku hepohen, bashkohen dhe bigëzohen mijëvjeçarët. Ku epokat përplasen, rilindin konturet madhështore të një Evrope të re. Dantja i paraprin aksionit  përkëthimor në gjuhët amtare të Martin Luterit dhe të Gjon Buzukut.
* * *
Në kryeveprën e Dantes, ka motive që lidhen me Shqipërinë. Unë kam shkruar disa herë, por substanca është e vështirë dhe hulumtimi kërkon mund. Dantja përmend qytetin e Durrësit, peshkatarin e varfër, por trim, Amilkapin, i cili guxoi të çonte në detin e tërbuar stuhitor vetë Jul Çezarin. Dante përmend një Guido Monteforti, mëkëmbës i Karlit I Anzhu, në Toskanë. Ndoshta me lidhje gjinore me Robert Montefortin e vdekur në Balsh. Vetë Karli I Anzhu, por edhe Robert Guiskardi i normanëve, që ka sulmuar Durrësin, janë caktuar në Ferr nga Dante. Në këngën e 32 të Ferrit, Dantja përmend Mali i Tambernikut. Studiuesit dantologë, e konsiderojnë vendosjen gjeografi ke të këtij mali në Ballkan. A
nuk është i përafërt si morfologji e fjalës emri i Tambernikut me emrin e malit të Shebernikut? Nuk mund të hamendësojmë, por le t’i gostitim me një motiv entuziastët. Dante ka vendosur në Ferr edhe Papën Anastasi II, i cili ka përkrahur herezinë e Fotit të
Kostandinopojës, i cili njihte vetëm natyrën njerëzore të Krishtit. Këtë herezi, e përkrahu edhe perandori i Bizantit, Anastasi I, i cili ka lindur në qytetin e Durrësit. Kështu gërshetohet historia e Shqipërisë, shumë motive të saj janë ngërthyer në Ferrin dantesk.
* * *
Të gjitha këto përsiatje të miat, janë modeste, por jo pa këndellje. E rëndësishme është që në rininë time të hershme, si të gjithë shqiptarët, e kam njohur kryeveprën e Dantes, nga përkthimi mjeshtëror i të mrekullueshmit dhe të thjeshtit të madh, të vetmuarit të thekshëm, Pashko Gjeçit. Ai është i vetmi, ai është princi shqiptar në oborrin mbretëror të Dantes, që është oborri i kulturës moderne evropiane, pra edhe shqiptare.
* * *
E kam njohur Pashko Gjeçin në vitin 1969, në një kafene pranë Lidhjes së Shkrimtarëve. Po pinte kafe me Llazar Siliqin. Tepër modest, ai vetëm heshtte. Heshtja ka qenë profesioni më i madh dhe stili më paradoksal, por edhe më i mrekullueshëm i Pashko Gjeçit. Këto vitet e fundit, kam shkuar shpesh në shtëpinë e tij të vogël, ku jeton me Nezon, gruan. Para dy ditësh, shkova prapë në shtëpinë e përkthyesit të përkorë.  Pashko Gjeçi, ishte shtrirë në shtrat. Megjithatë, u ngrit. Mbante në kokë një kësulë, që për një ngjashmëri të hatashme, më kujtoi kësulën që mbante edhe i ndjeri përkthyesi i madh Gjon Shllaku, homeriku i fundit. Qëllimi ishte të shkruaja gjithçka për këtë të harruar, ose kinse të harruar. Pashko Gjeçi, është 86-vjeçar, por refuzon të jetë një patriark. Ai hesht si gjithmonë, e di që të tjerët do të fl asin për të. Ka një portret madhështor, mirësia i ka skalitur tiparet e tij. Çuditërisht, duket më i ri. Ka një sklerozë, nuk i kujtohen shumë gjëra. Pyetjeve u përgjigjet shkurt, me një humor të lehtë, madje edhe me një humor ndaj vetes. Në të gjitha takimet e fundit që kam patur me të, më ka tronditur kjo sklerozë, gjë që nuk dua ta besoj, madje më duket se ky njeri i hatashëm, i koracuar në vetminë e tij të pashembullt, kinse bën sikur ka harruar gjithçka. Harresa është një metaforë e  tij. Njëlloj misteri i mbijetesës. Se Dantja thotë: “Qual io fui vivo tal son morto” (Si qeshë i gjallë, jam edhe i vdekur). Por vdekja është përjashtuese. Konvencioni i saj, pluhorizohet. Orët megjithatë lëvizin, por unë besoj tek koha eterne. Në substancën e kohës, është skalitur portreti i Pashko Gjeçit.
* * *
– Kam ardhur të shkruaj një shkrim për ju …
– Nuk e dëgjova mirë, ç’është kjo kripë?
– Jo kripë, por shkrim.
– E pse duhet bërë një shkrim për mua? A ta ndez edhe unë një cigare? Gruaja nuk më lë të pi cigare. Njerëzit tymojnë, tymi është tym. Megjithatë, një nga kënaqësitë e pakta të njeriut, është edhe nikotina. Lëkurëkuqtë e Amerikës, na e dhuruan duhanin.
– Dantja nuk ka pirë duhan.
– Po nuk kishte lindur akoma Kristofor Kolombi.
– Profesor, si ndiheni?
– Të tana sëmundjet, i kam mbledh në veten time dhe dua edhe sëmundjet tuaja, t’i  bidhja unë. Megjithatë, jetoj.
– Megjithëse të kam pyetur shpesh për Danten, dua të të pyes prapë.
– I kam thënë ç’kam thënë për Danten, tani nuk kam më fjalë.
– Po veprat që të kanë mbetur në dorëshkrim?
– Kam përkthyer Hamletin dhe Faustin. Dorëshkrimet i ka Brikena Çabej. Mos vallë i ka botuar? Unë nuk di asgjë.
– I kemi mbledhur poezitë e tua që ke shkruar në rini. Si edhe disa përkthime që ke botuar tek revista “Cirka”. .
– A thua vlejnë?
– A mund t’i botojmë?
– Oh, mund të bëni ç’të bëni me to.
– Po me dorëshkrimet e Erasimit dhe të Shatobrianit?
– Duhet të jenë diku, gruaja i di se ku janë. Unë nuk e di se ku janë.
– Cilët nga poetët ke njohur gjatë jetës?
– Nuk kam qenë shumë i shoqërueshëm. Kam njohur Gjergj Fishtën, Mark Ndojën, Nexhat Hakiun, Arshi Pipën, Migjenin, Mjedën, nuk di, a rrojnë akoma?
– Po poetin Gaspër Palin, e ke njohur?
– E kam njohur, e kam njohur.
– Kush të ka ndihmuar më shumë për botimin e kryeveprës së Dantes?
– Dihet, vetëm Llazar Siliqi. Ishte miku im.
– Ka qenë kjo një punë kolosale. A je identifi kuar ndonjëherë me Danten e para 7 shekujve? Si situatë, si gjendje?
– E kam përjetuar Danten. Kam jetuar në shekullin e tij. Me një ndryshim. Unë pija duhan dhe ai nuk mundte të pinte duhan.
– Keni patur një jetë të vështirë, paradoksale. Përjetimi i tmerrshëm i burgimit, si ka ndikuar?
– Pa dyshim, në përkthimin e Ferrit, përvoja e burgimit, e pati kështu diçka pozitive në punën time. Tensioni i ndjenjave, arrin të lidhet në krijimin e Dantes.
– A mendoni që kryevepra e Dantes, mund të përkthehet në gjuhën letrare?
– E pse jo? Nuk janë fjalët që e përbëjnë krijimin. Eshtë talenti që i lidh fjalët.
– A nuk mendoni se italishtja, është një nga gjuhët më kumbuese dhe më të kthjellëta?
– Vetëkuptohet, është bija e kjartë e latinishtes. Në fi llim, mendohej si një gjuhë vulgare, por ajo ishte e ardhmja.
– A ka ndryshuar italishtja letrare, gjuha e Dantes? Kanë kaluar 7 shekuj, ose 8.
– Nuk ka ndryshuar shumë.
– Në të vërtetë, gjuha e Gjon Buzukut, ka ndryshime me gjuhën letrare shqipe. Shqipja ka ndryshuar më shumë.
– Dantja ishte autoriteti më i madh i gjuhës. Dantja i dha Italisë gjuhën e parë letrare të botës. Shumë shekuj më parë sesa të tjerët, të krijonin gjuhët letrate, fjala vjen edhe në Francë, në Gjermani apo në Spanjë.
– Ç’të ka munduar më shumë gjatë përkthimit?
– Ritmi i vargut. Dantja ka dy ritme, 4,6,10 dhe 4,7,10. Duhet t’i respektoja. Por më e tmerrshmja, është përputhja e rimave.
– A përdor Dantja rimat foljore?
– Shumë pak.
– A do të donit ta ripërkthenit prapë Danten?
– Pse?
– Ju viziton ndonjë njeri?
– Oh, është një vajzë e vogël, 4-vjeçe. Quhet Karina. Eshtë vajza e fqinjit, Kujtim Bashës. Ajo vjen çdo ditë në shtëpi, dhe më thotë duke numëruar me gishta: “Gjyshi, ke pirë 7 cigare”. Më gëzon, më gëzon.
– A të rikujtohet Italia?
– Qyteti i Romës, sidomos.
– Si kanë qenë vajzat e Romës?
– Ndoshta më të bukurat në botë.
– Po edhe ju keni qenë një djalosh i bukur shqiptar.
– Çka, çka.
– Keni qenë te varri i Dantes?
– Nuk më kujtohet.
(Ndërhyn e shoqja, Nezoja: – Po ke qenë more Pashko, ke qenë, shpesh ke qenë).
– Ashtu?
– Keni qenë edhe në Ravenë, ku ju dhanë edhe një çmim të madh si një nga përkthyesit më të shquar të Dantes në botë.
– Më duket se po. Mbase.
* * *
Nuk kam takuar kurrë një njeri që të ketë një kod komunikimi kaq të sinqertë, të hapur dhe njëkohësisht kaq të mbyllur. Nga viti në vit, gjatë takimeve të mia me të, kam vënë re që ai është bërë më i heshtur, kinse është skllavëruar krejtësisht nga skleroza. Dhe kush? Ky kryemjeshtër i kujtesës. Ky kryemjeshtër që bëri të mundur si askush tjetër në Shqipëri, që ne të njohim edhe një Dante shqiptar. Në takimet e mëparshme, Pashko Gjeçi, ishte më i mirë në mendime. Në shënimet e mia, kam skicuar gjithsesi jo shumë të dhëna. Pashko Gjeçi, lindi në qytetin e Shkodrës, në lagjen Arra e Madhe. Në vitin 1937, fi toi një bursë studimi për në universitetin “La Sapienza”. Bursa ishte shumë e vogël, mezi përballonte nevojat e jetës. Studioi në Fakultetin e Filozofi së, në të ishte edhe Kol Ashta, Lazër Radi dhe Luigj Liarja. Kishte botuar një esse që kur ishte në bankat e Liceut të Shkodrës për Gjergj Fishtën. Kur u botua shkrimi, ia çoi Gjergjit në studion e tij. Gjergj Fishta pyeti: “Kush është ky që paska shkruar edhe për mua?”. Djaloshi Gjeçi, rrinte larg, plot druajtje. Poeti Fishta tha: “Ajo grimca atje paska shkruar gjithë këtë artikull?”. Në 1943, Pashko Gjeçi, mbaroi studimet dhe u kthye në Shqipëri. Punoi si mësues i letërsisë dhe i latinishtes në gjimnazin e Shkodrës. Në 1947, u arrestua barbarisht, u dënua me 5 vjet burgim, që i kaloi në Durrës dhe në kënetën e Maliqit. Pastaj, u rikthye në qytetin e Shkodrës, ku punoi në punë të rëndomta krahu. Dhe pas 2-3 vjetësh, shkoi dhe fi lloi punë në një nga shkollat 7-vjeçare të zonës. Këtu ky njeri i drojtur, iu rikthye përkthimit. Kur e mbaroi kryeveprën e Dantes, kujton: “4 vargjet e fundit, i kam përkthyer në një ditë të shtune, rreth orës 4 të mëngjesit, kur i mbarova, m’u duk se u hap dera dhe nga dhoma ime doli Dantja e më la vetëm”.
* * *
Të rrallë janë njerëzit në këtë botë si dhe në Shqipëri, që kanë bërë një sfi dë kaq të madhe. Pikërisht në një botë të mbyllur me mure, në një udhëkryq tragjik, ky njeri hapi dritaren e madhe të Dantes. Në këtë mënyrë, ai u bë i pavdekshëm, si vetë Dantja. Nuk e bëri këtë gjë për t’u hakmarrë, nuk e bëri këtë gjë për të treguar fuqinë e tij, po fuqitë e shpirtit, shkatërrojnë edhe ndërtojnë gjithçka. E bëri veprën e tij të jetës, dhe heshti. Më thoni ju lutem, përse heshtje? A nuk është një tipar i rëndomtë i shqiptarëve, për fat të keq, mburrja? Ai kishte arsye të pretendonte, ai ishte Dikushi. Ndërsa të tjerët, që janë askushi, kanë privilegj mburrjen e pafund. A nuk është kjo shëmbëlltyrë morali dhe dinjiteti, një ujë-ftohtë për kokat e nxehta dhe të marra të shqiptarëve? Shqipëria e VIPave, nuk është Shqipëria e Pashko Gjeçit, madje as e Dantes. Por Shqipëria e vërtetë, po.

Shënim: Ky fragment është marrë nga libri “Sagmë palimpestësh”- anima -mundi, libër i ri i Moikom Zeqos.

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.