DASHURITË nga Ismail Kadare

Ismail Kadare

DASHURITË

Ka dashuri të vogla
Dashuri të para, dashuri nr. 1,
Dashuriza.
Që zukatin në kujtesë posi miza,
Që bëjnë kakao,
Që lajnë kanotiera;
Ka dhe dashuri të mëdha, të lira si era,
Mbetur tutje-tëhu nëpër botë anembanë
Që s’na dijnë ku jemi,
Që s’i dijmë ku janë.

NË PARKUN QË MBULUAN FLETËT

Në parkun që e mbuluan fletët,
Të dy ne ecnim qetësisht!
Pas shijes së saj ka shtruar vjeshta,
Qilim të verdhë, natyrisht!

Dhe ndoshta si një ëndërr e zbehtë,
Iu fanit një muzg i vonë!
Ky park që e kanë mbuluar fletët,
Ku pas kaq shekujsh ti po shkon…

Nga vagabondët me cigare,
Ti mos u tremb, e dashur, kot!
Imazhin tënd dinosaurët,
Shekuj më parë s’e shtypën dot!

Që ti të vije kaq e bukur,
Me ato flokë, me atë hap!
Toka të egrën klimë zbuti,
Dhe akullnajat ktheu mbrapsht!

Dhe s’kish se si të ndodhte ndryshe,
Të ndodhte ndryshe s’ kish se si!
U desh të zhdukeshin përbindëshat,
Që te kjo botë të vije ti….

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.