DHEMBJA E FJALËS nga Gëzim Ajgeraj

Gëzim Ajgeraj

DHEMBJA E FJALËS

Asnjëherë s’ta kam ndjerë dhembjen më shumë se sot
Tek pi shafranin e kohëligës që harboi mbi ty populli im

Ti ishe frymëzim i virtyteve të larta ndër breza
Ku kombet e tjera shikoheshin në pasqyrën tënde për besë e fjalë
Ende ta ruajnë namin për ndëgjegjen e lartë e njerëzoren

Tek mbaje fjalën e dhënë pa e firmosur në letër
Kur vdisje për fjalën e për vëllain e gjakut
E digjeshe flakë për dheun e për Atdheun e shqipeve

Të mbaj mend për zemrën tënde të madhe
Kur vëllain e rrëzuar për tokë e ngrije mbi shpatullat tua
E bukën nga sofra jote e ndaje përgjysmë

E ç’të të them më tepër nëpër këtë katandisjen tënde
Që ma torturon shpirtin e fjala më pikon në varg
Ç’të gjeti ty gjaku im i shprishur kësaj ligësie

Mos më fol me gjuhën e ushujzave
Kur vëllain tënd e gërryen ditë për ditë me ligësi
Ngrit ndërskamca e hap gropa me ditë e natë
Ç’ shëmti e ligë t’i ka rënë etjes tënde

A e di se e liga e ka fundin e ligë
Se panjerëzorja nuk i ka askund dyert e hapura
Se e zeza shpaguhet me të zezë e s’ka dritë

E ç’melhem t‘i jap fjalës në varg
Kur harbojnë ligësitë tua muzës së mendimit
Me ç’shpresë drite t’i ndriçojmë udhën metaforave?

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.