DHJETË URDHRA PËR TA SHITUR HISTORINË nga Prend BUZHALA

Prend Buzhala

DHJETË URDHRA PËR TA SHITUR HISTORINË 
(Çast antilirik)

Urdhri i Parë: pak pa të vdekur Ati nga një sulm në zemër
binde të t’i japë paratë dhe shpirtin e vet:
paratë të duhen për t’ia shitur Shpirtin e Babës.
Urdhri i Dytë: shpike një tjetër besim dhe një Tjetërlibër.
Mandej arrin ta shumëzosh vathën
Me shitësit e famshëm të vetvetes.
Kur e shpik një Tjetër Zot,
Ai duhet të jetë Kryedjalli në këtë planetë,
Nga i cili i rimerr të gjitha urdhrat.
Urdhri i tretë: pasi ta kesh braktisur emrin tënd arbëror,
Atëherë je Ai që Duhet të Jesh: shitës i Famshëm i Mjegullës.
I Rilinduri pa Komb, Pa Gjuhë dhe Pa Histori.
Shitësit e tillë bëjnë biznes të suksesshëm,
Janë të suksesshëm në jetë.
Urdhri i katërt: bëhesh Shitës Shpirtrash.
Me ta e ke më të lehtë:
Së paku ata bashkëpunojnë me Djallin, për qëllime të mira.
Urdhri i Pestë: shite kombin tënd,
mos thuaj se ke vendlindje as datëlindje.
Ç’po të duhet kombi, kur Kryedjalli ka joshje të bukur:
Natyra nuk njeh kombe, kush i paska krijuar këto çmenduri,
Gjenetika merr enën e famshme kimike në dorë
Dhe aty i përzien globalisht racat, etnitë dhe gjuhët.
Na duhen vetëm katër a pesë Kryekombe …
Deri te Kombi i Djajve Pa Komb a deri te Kombi i Zgjedhur!
Vetë natyra seleksionon: I Fuqishmi vjen në Krye të Vendit.
Të tjerat vetë natyra na i shpallka kotësi!
Urdhri i Gjashtë: prandaj shite edhe gjakun tënd,
Gjakun e Të Parëve Tu! S’ka të Parë, para të Parit të Kryeparit!
Para të të Parit të Kryedjallit, Kryelibrit a Krye-Parasë!
Urdhri i Shtatë: shite gjuhën amtare!
Kush i krijoi ato gjuhë marrëzie
Jashtë gjuhës së shenjtë të Tjetërlibrit?
Ekziston edhe Kryegjuha e Biznesit, Diplomacisë dhe Tekno-shkencës.
Shenja e Parë e saj është Rruarja e Kokës:
Është Kryegjuha për Pastrimin e Trurit.
Urdhri i Tetë: shite Tempullin e deritashëm
Mundësisht, braktisi Lutjet e Përshpirtshme tëTejetlartit,
Shpalli se ato nuk janë të vërteta.
Ç’po të duhen ato para neneve e ligjeve të Kryedjajve?
Ka kush bën kryetempuj, për t’i shpallur si Lutje Agu
diku nëpër bulevarde bote, me bombat atomike në dorë,
a nga kryetempujt e Zotit të Shpikur me bomba vetëvrasëse.
Urdhri i nëntë: shiti të gjitha tapitë që i ke,
Tapitë e Atdheut, tapitë e dheut të babës
dhe tapitë e fjalëlashtave, tapitë e këngëve tua,
Shiti Tapitë e të gjitha tapive dhe Tapitë e Qiellit.
S’ke nevojë as për tempuj dëshmie të lashtë, as për histori.
Urdhri i dhjetë: shite historinë.
Mbasi tash nuk ke të kaluar.
Mbasi tash je vetëm një qiraxhi Tokën tënde!

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.