“DIAMANTI I JANINËS” nga Agim Shehu

Agim Shehu

“DIAMANTI I JANINËS”

Ali Pashë Tepelenën trimëria e quajti “Luani i Janinës”; pavdekësia i tha “Diamanti i Janinës” ( siç e emërtoi historiani Uliam Plomer). Në shkrimin tim për Të, ….pas “Diamantit”. I tillë, Vezir Aliu e ndihmon Atdheun e vet edhe me jetën edhe në vdekjen e Tij. Aq më tepër si kurrë ndonjëherë në histori Atdheu vuan gati kalbëzimin e tij në strukturën shtetërore e shpirtërore, e kjo së pari nga brënda vetë Shqipërisë e prej vetë shqiptarëve.
E përsëris këtë pohim të dhimbshëm për një shqetësim kombëtar që ka marrë udhën e dramës buzë tragjedisë – rrallimi gjer në mohim i figurave tona të shquara, duke ua dorëzuar sidomos fqinjëve. Ata festojnë si të tyre dhe ato që s’u takojnë, ne i lëmë ne humbje a harrese dhe ata që janë tanët. Duke prerë me radhë majat e figurave, historia e Shqipërisë mbetet një fushë shkretetire..Fqinjët intrigantë antishqiptarë e dinë se grabitja e historisë i hap udhën grabitjes së trojeve.
Kjo ndodh dhe me Ali Pashë Tepelenën. Ai, sado me pabesi, uli kokën e thinjur nën presë, i bindur që kombi i Tij do ta mbante ngritur ballin. Në përgjithësi, të rinjtë me ëndëra që zbresin vrullshëm nga mali si Aliu i ri i Tepelenës, më tepër se me zgjuarësinë, veprojnë me intuitën dhe arrijnë tek e vërteta.
Historia e një vëndi është historia e personaliteteve – gjykon E. Çabej. Dijetari amerikan Bollduin shton se, vlera e një populli tregohet te figurat e shquara të tij. Një krahasim më tej: në gjeografi lartësia matet te majat e maleve, në histori – te kulmet e të zgjuarve dhe trimave. Megjithe ndryshimet e kohrave, historia e nje kombi ka diçka unike. Në kete pamje, kush ka të shkuarën ka dhe të ardhmen, kush mbyll syte per te kaluaren, do jete i verber në te ardhmen.
Gëte udhëzon si dijetar: “Duhen studjuar jo bashkekohesit e shoket e idealit të ditës, por njerezit e medhenj te koheve te kaluara vepra e te cileve ruan ne shekuj vlere te veçante…” Do pyetet – ç’hyjne ketu gjermanet e medhenj duke u trazuar me Aliun e nje vendi te vogel? Në të vërtetë ata i afrohen me adhurrim Vezir Aliut pasi ky u ngrit aq lart sa majën e ka të dukëshme të kthyer në legjendë. Gëte, i madhi i të mëdhenjve shkruan: “Ali Tepelena…me shqiptarë të pamposhtur e trima çajnë mes osmanëve ku mbjellin vdekjen…”
Kolegu i madh i tij, Hajne vlerëson çuditërisht: “Gëte eshte Ali Pashe Tepelena i letersise gjermane”.
Logjika bie vazhdimin zinxhir të ngjarjeve rreth Burrit tonë të Madh.
Kancelari i Perandorisë së Vjenës, Princi Meternik, shkruan në Kujtime diçka të çuditëshme (siç e citon dhe Konitza):
“Ali Pasha më 3 mars 1821 më dërgoi një njeri të besës -më lutej t’i dërgoja një këshilltar për t’u bërë një Konstitucion a Kanun themeltar për Shtetin e Shqipërisë”. Një ish Pasha me famë brënda Perandorisë Osmane modelin e qeveriesjes e kërkonte nga Perëndimi i qytetëruar, jo nga Lindja e errët.
Bonaparti shton gjykime edhe me zë të sotëm: “Një shtet i qëndrueshëm me popullsi e zakone të të gjithë shqiptarëve…Ali Pasha është një kundërpeshë ndaj grekëve e serbëve që janë ushtri rezervë të Rusisë në Ballkan”.
Ai i siguroi vetes nje permase te madhe siç i takonte kombit të tij të lashtë. Dijetari anglez Ekhart kur zbriti në Artë foli me adhurim: “Para meje shtrihet toka e Piros, Skënderbeut dhe Ali Tepelenës”. Nuk është një gjykim i vetëm i kësaj natyre ku Atë e shtrin në hapsirë kohe me më të mëdhenjtë. Fallmerajeri i shquar thotë: “Në lashtësi shqiptarët i udhëhiqte Pirroja, në Mesjetë Skënderbeu, në kohët e reja – Ali Pasha”.
Studjuesi E. M. Vognë më 1897 gjykon: “Epiri i Piros, Aleksandrit, i Ali Tepelenës e Mehmet Aliut nuk u shpërbënë. Ata mbetën luftëtarë të pakrahasueshëm që siguruan fitoren dhe ruajtjen e pushtetit gjithë fitimtar të Lindjes”.
Studjuesi Evans te Letra Ilire më 1878 përshkruan:
“Fustanella e bardhë dhe e gjerë,…jeleku bojë karafili është veshja më e shkëlqyer në Europë. Këta janë me të vërtetë bashkatdhetarët e Skënderbeut dhe të Aleksandrit të Janinës. Raca më luftarake dhe më e pamposhtur e cila i qëndron ende Sulltanit”.
Megjithate ‘Diamanti’ i Janines ka vendlindjen dhe rrethin e vet gjenetik e historik.
Dora d’Istria thotë “Laberia e Aliut nuk eshte perkedhelur nga Qielli si luginat e bukura te banuara nga çamët…” Dihen pamjet e çveshura në tërësi të relievit lab. Pushtuesit, pasi nuk ia delnin dot me njerezit hakmerreshin te natyra. Por duke fshire blerimin, toka e nxorri me dukshem sterrallin aq sa iu desh vete sulltanit te merrte pjese ne egersimin e sulmeve gjer në kalanë ilire të Nivicës. Jo rastesisht historiani filogrek anglez, Hummond thote: “Le të kish shtate Shqiperi, veç të mos kish Laberi”!
Ali Veziri flet çiltër për veten e Tij, për natyrën dhe ëndërat që kish, për thjeshtësinë dhe synimet që e shoqëronin. Rrëfen mes të tjerash, siç i shkruan Konsullit rus, Florit: “Unë e urrej Divanin tim dhe Qeverinë time (osmane), Unë parashoh vdekjen e tyre. Unë dua të rroj me nder në këtë sundim të vogël që drejtoj e dua të vdes si njeri i nderuar…”
E më tej rusit zyrtar: “ Pse ju ia quani vetes të drejtë kërkesa të tilla? A do na lejohej neve të ndërhynim në punët tuaja”? 
Ferdinandit 4 në Perëndimin e qytetëruar i shkruan:Shkëlqesë! Duke qënë i sigurt se Madhëria juaj e njeh përparësinë që rjedh nga përparimi i shqiptarëve, dëshiroj t’i jeni nga ana Juaj nder e mbrojtje mbretërore, gjë që është e nevojshme për te riun shqiptar (shkollar) të fitojë dhe ai dije. Unë bazohem më tepër në dashamirësinë Tuaj se sa në porosinë time. Do jem shumë i kënaqur nëse do arrija të jem debitor tek Shkëlqesia Juaj. – Vezir Aliu”.
Ai nuk u gabua kurrë nga intuita.
Përgjigjet i jepte me saktësi të çuditëshme.
Bonaparti kërkonte grurë e Aliu iu përgjegj nga Korfuzi me humor labërie shkurt: “Bjer kusurin të marrësh grurin!..”
Shërbimin e fshehtë në Stamboll për të mbledhur të dhëna, ua kish besuar dy progonatasve…
Ai qe sa i fuqishëm e i veçantë, po aq i natyrshëm e i perzemërt. ‘Mbiu’ brënda Perandorisë së frikshme Osmane, megjithatë nuk u bë Pasha gjaksor i ushtarëve, por kapedan zakonor i shqiptarëve.
Pukvili, konsull i Francës u ndodh në një takim popullor të Tij me banorët e Porto-Palermos të Bregdetit, dhe përshkruan bukur: “Pas rrëfimeve me kujtime të çuditëshme himariotët kënduan, kërcyen e pinin për shëndetin e Udhëheqësit e prijsit (Ali Pasha). Si mbaruan, shtrinë dorën për të na përshëndetur…Ali Pashë Tepelena, i shkathët si Ai, rrinte në krye të kërcimtarëve të valles ‘komitçe’ ose ‘pirrike’ (e Piros së Epirit).” Përfytyroni, Aliu në krye të valles si djalë i ri vëndi! Ai kish zbritur dikur i ri nga Beçishti tok me këngën e vallen labe, duke u shtuar këtyre dhe faqe nga bëmat e tij gjithënjë e më të çuditëshme,.
De Rada shkruan në një kujtim të tij se si dikur, në rininë e vet, u kish ardhur nga larg një burrë me fustanellë dhe hidhte atë vallen e lashtë shqiptare që më parë e hidhnin dhe të moshuarit arbëreshë, por qe rralluar. Ai kish qënë luftëtar i Ali Pashës e ngado që shkonte, vallen që hidhnin me kryekapedanin e mbante me vete…Si shqiptar i madh De Rada i mësoi rrënjë e degë historisë, e në një çast, duke ruajtur me dhimbje shqiptarin me fustanellë të valles tradhtuar nga fqinji i pabesë, thotë madhërisht mes të tjerash: “Greqisë lirinë ia dha një Pellazg, Ali Pasha”.
Vezir Aliu i plaste buzën dhe Francës fodulle e antishqiptare, aq sa Parisi i qante hallin Portës së Lartë. Mirëpo kjo iu përgjegj që më 1810 si kunadhja dhelprës: “Ju po e shihni gjëndjen tonë, ne nuk mund ta ndëshkojmë dot atë”. Pukvili në kohën e Sulltan Selimit II thotë se ‘unë kam parë fermanë të Sulltanit si griseshin e shkeleshin me këmbë pa asnjë nderim’.
Brezat që vazhduan gjer në Pavarësinë e Shqipërisë, me shpatë apo me penë, emrin e Ali Pashës e ruajtën në kujtesë më tepër si një humbës të fituar se sa fitimtar të humbur. Kur ra trungu, mbi të e rrotull tij mbinë fidanë Shqipërie, që ia vazhduan merakun ballor të tij, një Shqipëri të pavarur të kombit shqiptar.
Megjithatë, për habi të njerëzve e për fatkeqësi kombëtare, shpifjet e fyerjet kundër Tij janë të shumta e të paturpëshme. Ata që i kanë krijuar dhe shumëzuar janë ose njerëz të lajthitur, ose spiunë të shitur. 
Ndër kryesoret që tundet e para si për një kriminel është dënimi mbi kardhiqotët! Mirëpo nuk zihet në gojë, pse Aliu i Beçishtit i dënoi ashpër fqinjët karshi?! Ai kish bërë ngado vetëm të mira – rrugë, ura kanale, mullinj, ujësjellësa, punishte…Isha në Vranisht, e më treguan “Urën e Aliut”. Aravantinoj kritik publikon për Të: “Në asnjë kohë tjetër të mëparme nuk u bënë vepra të tilla botore në të 4 anët e vëndit që Ai qeveriste”. ..
Kish ndodhur turpi i pabesueshmëm – kundër zakoneve dhe nderit të vëndit, kishin zënë nënën dhe motrën e Aliut, Hankon e Shanishanë e i përdhunuan ditë të tëra… Ato, të lemerisura e të fyera, iu lutën të shoqit dhe vëllait që të merrte hak për t’u larë me njerëzit, dhe po ashtu ia donte udha e tij në ngjitje. Dënimin ia polli mëndja e veçantë – një shesh me gjëmba, dhe kardhiqotët mëkatarë do hidhnin valle zbathur! (një tjetër do t’i dënonte mbase më me butësi, kurse një tjetër do t’i dënonte më me lemeri). Ato qenë nga fshati në pllajë të malit, që emri për rrënjë ka Bej…(çisht) apo Bes…(çisht). Në dy rastet – nder dhe krenari Shqipërie. Nëna quhej Hanko. Nuk është thjeshtë emër por emërtim nderi (“Hanko – zonjë perifaneja/, mollë e kuqe elbasaneja…” e me radhë. Për të birin e saj, Aliun, këndonin mes të tjerash “të ka pjellë balli i grave…” Si duket, ajo ka qënë ligjëruese e rrallë e këngëve dhe vajeve sa dridheshin njerzit, e populli i këndon që të mos shkojë për vaje në varreza, pasi nga ligjet e saj “të vdekurit ngjallen dhe të gjallët bien të vdekur…”. Ky margaritar zakonor u dhunua hapur. I biri bëri zakonin e nuk pritej të dilte me një ‘deklaratë’ ku tregon se i ka falur…
Tjetër shpifje e rëndë është intriga, se Ali Pasha lufton me dru e me gjak, t’u ndrojë fenë të krishterëve. Rastet që provojnë të kundërtë janë pa fund, I vënë në gojë Vezir Aliut ca vargje të shpifura, bie fjala: “O çaush , Çaush Hormova/, dhjamë e dyllë të kullova/, po dot fenë s’ta ndërova…” Së pari, nuk ka gjëkund dokument a gjurmë që të dëshmojë shpifjen. Nëse do ta kishte natyrë krimi në gjak, Ali Veziri do torturonte një fshat krishter e jo Kardhiqin mysliman. Shumë bashkëluftëtarë të zgjedhur të tij Aliu i kish të krishterë, si kapedani, mik shumë i ngushtë nga Lekëli, apo Odise Andrjucio e me radhë arvanitë krishterë, bashkëluftëtarë besnikë. Të shoqen, Vasilikën e kish krishtere arvanite të cilës jo vetëm s’i ndëroi fe, por i ndërtoi dhe kishë më vete në Porto Palermo. Në Pallatin e Tij në Janinë, në një dhomë fëmijët myslimanë mësonin Kuranin, e në tjetrën fëmijët ortodoksë mësonin gramatikën e të krishterëve. Një Dervish i tha që të vriteshin 30 të krishterë, e Ali Pasha e dëboi nga Pallati. Ai këndonte e hiqte valle vëllazërisht me shqiptarët e Bregut të krishterë.. Vaso Pasha shkruan: “Mustafa Pasha i Shkodrës e Ali Pasha i Janinës ditën të bashkonin elementin mysliman, të krishter e bajraktarë në të njejtën ide atdhetare e në të njejtin vrull për lavdi ushtarake”. Nëse lindnin trazira nga brënda diku, Konitza gjykon: “Aliu urrehej se kish idenë e unitetit e të disiplinës”. Por dhe këtyre dallgëve të verbëra, sidomos kundër disa bejlerëve për të cilët Shqipëria qe ‘hapsira e pronave të tyre”, ai u doli zot. Për këtë mprehtësi e guxim Noli i thotë si ta bekonte “T’u shenjtërofshin eshtrat, o Ali…!”. Plotsonte vlerësimin e studjuesit gjerman Gervinus: “Ali Pasha nuk bënte asnjë dallim midis myslimanëve e krishterëve”… 
Autorë grekë dhe miq të tyre shpesh në këto xudhira e hajvanira futin Hormovën, edhe pse nuk ka asnjë logjikë, sepse janë në kohë të ndryshme. Hormova u dëgjua botërisht si kasaphanë e përgjakëshme më 1914, kur brënda në kishë iu vranë me thika 217 vetë duke lyer muret me gjak e tru. As te Ferri i Dantes nuk ka kaq krim lemerie. Edhe këtë grekët duan t’ia heqin vetes e t’ua ngarkojnë shqiptarëve, gjer ushtarëve të Ali Pashës. Para ca kohe është botuar e përkthyer Poezia Greke ku një autor mashtrues thotë në varg: “Ku shkon Ti, Myftar Pashë, ku shkon Ti, Zylyftar…(Myftar Pasha – bir i Aliut, dhe Zylyftari – kapedan i kohës)/, – Këtu nuk është Hormovë ta përvëlosh me zjarr…” Tragjedia e Hormovës ecën prapa në kohë për t’ia hequr krimin vetes e për t’ua ngjitur luftëtarëve të Aliut! Autori i Parathënies, krijues në vënd që të jepte spjegime, i del në krah mëndjes mashtruese greke! Ai tregon sesi luftojnë grekët kundër turqve (jo shqiptarët!), pasi, u del në mbrojtje autori i Parathënies, se “shqiptarët e Aliut ende nuk qenë rebeluar kundër Turqisë(!)”. Vaso Pasha qartëson: “Ishin kleftët dhe kapedanët shqiptarë në shërbim të Ali Pashë Tepelenës që i dhanë Greqisë burrat më trima në luftën për Pavarësinë…”

Shpifësve gjer në absurd, do t’u dridhej dora po të kujtonin sadopak këngët e popullit, edhe të rralluar, mbi të: “Luan i Janinës”, “O gjëmimi që gjëmon”, “Gjarpëri që drodhi dhenë”, “Duro top e kumbara/ moj kalaja me bedena/ se lufton me padishah/ Ali Pashë Tepelena”, “Njëmijë gegë e dymijë toskë/ qëndruan me Ali Pashanë/, ata vunë kryet poshtë/ dhe me të në besë u vranë”, “Ali Pasha i kalave”, “E kish lindur balli i grave”… “O kalaja me bedena/ çfarë luani paske brenda? Ali Pasha me shtatë zemra”… etj.

Të çudit vlerësimi zyrtar në shtetin komunist që i jepej kësaj figure. Këto prerje e nxirje të figurës së Tij i gjen hapur në “Historinë e Shqipërisë” e ngado, bërë prej studiuesve titullarë në shërbim të poopagandës greke e sllave…Studjuesi Renco Falaski publikon dokumenta të zbuluara prej tij, ku mes të tjerash përmënd se një Themistokli Pollo, arumun, ishte komandant i një batalioni banditësh grekë në Janinë i caktuar për të pushtuar Gjinokastrën. Ai qe i ati i Stefanaq Pollos (bëmë o babë të të ngjaj), ish drejtor i Institutit të Historisë në Shqipëri. Propagandën antishqiptare e kish në majë të gjuhës, Ali Pashën e urrente si armik shtëpie. Përmëndim sadopak: “…Ali Pasha ka bërë jetë kaçaku e plaçkitësi… që në rini u regj me jetën e hajdutërisë… akoma 20-vjeç në krye të një bande hajdutësh… synonte të përfshinte krahina greke si Thesalina, Epirin (!!?).. nuk kish besim tek aleatët…(te sllavët)…” Për këto nderohej si të qe Herodoti. Udhëheqja e kohës e mbante idhull…Në Kongresin 2 të Frontit Demokratik, 1955 Enver Hoxha në një mëndje me të, thotë: “Miqësia që bashkon popullin shqiptar me popujt e BS i ka rrënjët të thella në historinë tonë shekullore. Populli rus ka ndihmuar mëse një herë popullin shqiptar në luftrat e së kaluarës. Sikurse e provojnë shkrimet e historianëve , batalione shqiptarësh luftuan në krah me ushtarët rusë shekullin e kaluar për çlirimin e ishujve të Egjeut nga zgjedha ruse”. (Ushakov, admiral rus, shpalli hapur se “Unë nuk i ndaj fitoret e ishujve me Ali Pashë Tepelenën”. Kurse Ali Veziri i shkruan miqësisht Mahmut Pashës në Shkodër: “Rusët janë armiqtë nga të cilët duhej të ruhej më shumë”. Napoleonit i dhuroi shpatën e Khanit të Krimesë ngaqë mundi keq rusët në Austerlitz…
Të bën përshtypje shpërthimi i befasishëm antishqiptar i disa arumunëve (autorë vllehë). Duke menduar se Shqipëria me Parti ka një histori pa njeri, kanë fyer si askush rëndë dhe figurën e Ali Tepelenës, përbaltin personalitetin e madh të kombit shqiptar në atë shkallë, që asnjë shtet nuk do t’i lejonte. “Gjenocidi i pashoq i satrapit të Tepelenës mbi vllehtë”, thotë një Jorgo. P. dhe vazhdon ligësirat e pështira mbi historinë tonë të pastër e të ndritur lavdëruar nga mëndje të ndritura të botës:: “Myslimanët, nga smira fetare dhe të shtyrë nga perandoria otomane me në krye Ali Pashën, sulmuan Voskopojën, e cila u shkatërrua, u grabit e u rrënua”!..
Tjetri, një Kristo G: “Voskopoja – margaritari vllah (!!)… nuk iu nënshtruan asimilimit mysliman të Ali Pashës dhe hordhive të tij, u dogj e tëra”…
Dora d’Istria këshillon si dijetare shqiptare e ndodhur denjësisht kudo: “Akademikët në detyrë duhet të jenë me prejardhje nga kombi shqiptar, pasi ata kanë luftuar vazhdimisht si kundër otomanizimit dhe helenizimit”. Vlen të bëhet pyetja me si është katandisur sot Shqipëria: “Sa shqiptarë të pastër ka si deputetë, sa ministra e të tjerë ku Shqipëria është vënë në shitje!?
Në enciklopedinë e tij Sami Frashëri shkruan: “Mençuria, zgjuarsia, shkathtësia, aftësia politike dhe shpirtmadhësia e Ali Tepelenës kanë habitur Europën. Kryerja prej tij e disa veprave pak si të egra që i lypte koha e atëhershme, nuk mund të shlyejë gjithë këto merita të tij dhe nuk ka si njollos një komb”. Vaso Pasha shkruan më tej: “Mustafa Bushati i Shkodrës e Ali Pasha i Janinës arritën një shkallë të tillë fuqie që nuk pushoi së shqetësuari Portën e Lartë…Të dy kishin guxuar të synonin ndryshime të pashembullta nga rëndësia”. Me pikëllim, më tej Vaso Pasha plotëson: “Rivaliteti që ish shfaqur mes tyre ua hëngri kokën më në fund… Preng Lleshi, bajraktar i Mirditës, mori anën e Mustafa Pashës, kundër Ali Pashës”. Më tej, kronika thotë se Ali Pasha nuk e ndihmoi Sulltan Selimin e III-të në fushatën kundër Mahmut Pashës së Shkodrës. Faik Konica vazhdon: “Ali Pasha pa shkollë, pa shokë, i rrethuar me armiq, arriti vetëm me forcën e vullnetit të tij në një shkallë pothuaj mbretërore… nuk pushoi asnjë ditë të rreshtojë një ushtri shqiptare. Mendimi i tij qe çlirimi i Shqipërisë”. 
E. Çabej gjykon se pas Gjergj Kastriotit, “shekuj më vonë Shqipëria u vë veshin veprave të Ali Pashë Tepelenës. Ky shtron nën fuqinë e tij një pjesë të madhe të vendit; fiset më të shumta shqiptare shërbejnë nën armët e tij. Vdekja dramatike e tij në Janinë bashkon në ndjenjën e zisë gjithë Shqipërinë. Kënga popullore shqiptare e vajton dhe sot, që prej Çamërie në Shkodër, e prej kësaj, edhe kënga popullore greke e arumune”. E sjellin dhe zërat e huaj, të cilat janë të papërballueshme për falsifikatorët. V. Hygo vlerëson tepër lart:
. “Ai qëndron përballë Napoleonit si skifteri përballë Shqiponjës apo tigri përballë luanit. Ai është Bonapart muhamedan”. Më tej në poezi: “Një ditë Aliu shëtiste. Kokat gjer në re të arnautëve të tij u ulën gjer në dhe/. Një jatagan nën qyrk Aliu kish/ dhe pushkë e bukur, mbushur ish/. Kobure tri të mëdha./ dhe një thikë hata!”. 
Kronika shkruan se “Mbreti Gustav i Suedisë, në udhën për Jerusalem, u ndal në Prevezë, të piqej tërë nderim me Ali Tepelenën”. Bonaparti i shkruan vëllait në Napoli: “Ju duhet të vazhdoni të keni marrëdhënie me Ali Pashën dhe t’i bëni të njohur se unë kam mësuar me keqardhje, që ai nuk ka më ndjenjat e para për mua”! Gjetkë, Bonaparti shkruan: “Unë e shoh me keqardhje, që ata lejojnë të përlyhet flamuri ynë nga Ali Pasha dhe anijet e tij. Na duhet që Komandanti i anijeve të mia të hidhet mbi anijet e tij e t’i zhdukë”. “Është më lehtë të bësh marrëveshje me një oborr të madh se me Ali Pashën.-thotë gjetkë Pukvil – Ali Pasha na bën një luftë të drejtpërdrejtë dhe më katastrofike se Anglia”. Më tej vazhdon: “Aliu kërkon të përfitojë nga ajo, për të rritur zgjerimet e tij dhe për të çimentuar pavarësinë e tij. Po e shoh në revoltë të hapur kundër sovranit të tij. Unë herë e kërcënoj atë, herë e përkëdhel, po tani i kam humbur shpresat fare”. Studiuesi A. Blunkamp më 1882 shkruan: “Aliu… ka qenë një gjigant dhe zhdukja e tij nga mesi i një populli të cilit ia hoqi barbarinë, la një boshësi të madhe”. Më 1868 studiuesi Spenser shkruan: “Ali Pasha kish energjinë dhe kurajën e racës së tij, një shqiptar i vërtetë që po të kishte arritur të flakte zgjedhën e osmanëve, vendi në fund të fundit do të përparonte nën sundimin e tij”. Studiuesi A. Slade më 1823 shkruan: “Ali Pasha është heroi i shqiptarëve, temë e këngëve të tyre, që i robëronte, pavarësisht nga despotizmi i tij, me një influencë që s’e kish pasur askush që nga koha e Skënderbeut”. “Njeriu është më i sigurt në shtetin e Ali Pashës, sesa në rrugët e Londrës”, i shkruan në letër Bajroni nënës. E më tej shton: “Ali Tepelena thirri një luftëtar shqiptar, Vasilin, i cili si gjithë shqiptarët është trim, i ndershëm pa masë, dhe besnik”. Ai shton: “Vasili dhe Dervishi, të cilët i caktoi Vezir Aliu të më ruanin, i thanë mjekut që isha sëmurë, se po të mos më shëronin, do t’i prisnin gurmazin brenda një kohe të shkurtër”.
Në udhën për Jerusalem baroni Ifubset shkruan: “Urdhërat e rrepta që veziri i Madh i dërgon atij, ai nuk i dëgjon fare. Aliu shpall e komandon në Shqipëri si senjor i madh në Kostandinopojë”.
Publicisti gjerman Arnold shkruan: “Në Ditët e karnavaleve në jetën publike, një maskë qe veçanërisht e dashur, ajo e Ali Pashë Tepelenës”.
Gabriel Remerand shton: “Emërimi i Ali Pashës thyente këtë traditë, dhe e zëvendësonte autoritetin e pashallarëve të bindur te Porta e Lartë me atë të një njeriu të vendit, të një kryetari fisi ambicioz”.
Personalitetet franceze Bessier dhe Pukvil, i shkruajnë disi të qetë Tajleranit:
“Ali Pasha është një burrë i matur që llogarit mirë dhe nuk nënvleftëson asgjë. Nuk ka asnjë arsye të dyshojmë në besimin e tij”.
Bonaparti i shkroi: “Unë i jap shumë rëndësi miqësisë suaj!… Unë do pres me kënaqësi gjithçka që do vijë nga ana juaj!”.
Studiuesi dhe personaliteti rumun Nikolla Jorga ka shtuar: “Asnjë tjetër në Perandorinë Osmane nuk qe bërë kaq i fuqishëm sa ky shqiptar toskë. Ai mendoi të krijonte një shtet të ri, të aftë për progres… reformator i madh në kuptimin evropian… i ngjashëm me Skënderbeun, i cili u përpoq si dhe Ali Pasha t’i hapte një vend botës perëndimore me Gadishullin Ballkanik… kurioz i pazbërthyeshëm për atë që nuk e njeh Lindjen, e cila po ashtu është plot të kundërta sa edhe vetë jeta, sa edhe natyra”.
Historiani Finlej shkruan: “Aliu ish në krye të një kombi luftarak dhe kish shpresa të bazuara, për të ngritur një fron të pavarur në Shqipëri”.
Studiuesi italian T. Kandileri thotë ngaa ana e tij: “Aliu nuk duhet të krahasohet me qeveritarin ideal europian, por me pashallarët e tjerë të Perandorisë Osmane. Një shqyrtim i saktë i hollësive të qeverimit të tij, tregon se kurrkush nuk mund t’i afrohet sadopak, për sa u takon aftësive të tij”. Në maj 1820 “Revista e Debateve” në Paris shkruan disi fatalisht e denjësisht: “Rebelimi kundër Sulltanit është në karakterin e një njeriu të tillë. Dihet, ai nuk do përkulet para sundimtarëve të tij, dhe akoma më pak, para armiqve të tij në Stamboll”. Më tej revista shkruan: “Cilido qoftë fundi i tij, ai do të mbetet një njeri me të cilin do merret historia, dhe shkatërrimi i tij nuk do t’i fshijë efektet, që shembulli i ngritjes së tij ka prodhuar në mendjen e kombit shqiptar, më luftaraku nga gjithë sa ka sunduar Turqia”.
Funksionari i Carit rus E. Gollubinski thotë një të vërtetë“Atdheu i tij, qyteti i Artës, nuk gjendej në Perandorinë e Kostandinopojës, po në një principatë të lirë shqiptare, që qe pushtuar nga turqit më 24 mars 1449”.
Kronika osmane shënon: “Qëndresën më të madhe na e kanë bërë shqiptarët, Ali Tepelena, Mustafa Bushati, Z. Poda, T. Buzi, Gjoleka”. Kjo në një kohë kur Porta e Lartë, siç shkruan përfaqësuesi francez Morier “i vendoste rusët në kufi me Ali Tepelenën, që t’i merrnin pushtetin”. I njohuri admiral rus Ushakov shkruan: “Nuk e ndaj fitoren me Ali Tepelenën”, edhe pse e dinte që kontributi i Aliut qe vendimtar në çlirimin e shtatë ujdhesave”. Studiuesi udhëtar Evans shkruan në “Letra ilire” më 1878: “Fustanella e bardhë dhe e gjerë… jeleku bojë karafili është veshja më e shkëlqyer në Evropë… Këta janë me të vërtetë bashkatdhetarët e Skënderbeut, e të Aliut të Janinës, raca më luftarake dhe më e pamposhtur, e cila i qëndron ende Sulltanit”.
Hobhauz, mik i Bajronit, shkruan kur ishte pranë Aliut se “Nuk kish këngë, pothuaj që të mos bërtisnin e të mos mbanin zërin me një energji të veçantë, kur përmendej emri i Aliut”.
Për këta njerëz, Hurshid Pasha që rrethoi dhe vrau Ali Tepelenën me kurth më 1822 shkruan: “Megjithë thirrjen që u bëra shqiptarëve dhe zotimet për t’i bashkuar me trupat e mi, nuk munda”.
Kur i pa kokën madhështore vënë në kamare në Stamboll R. Volsh, historian, shkruan citimin që i lexoi: “Këtu pushon koka e të famshmit Ali Tepelena, pashai i Janinës, që gjatë 50 vjetëve punoi për Pavarësinë e Shqipërisë”.
Pukvili shkruan megjithatë: “Duhet t’i kushtohet Ali Pashë Tepelenës fillimi i kryengritjes greke”.
U. Miler më 1895 shkruan: “Pashai i Janinës ish pararendës i Revolucionit grek”.
Studiuesi i njohur I. Irmscher më 1965 shkruan: “Filiqi Eteria predikonte, kundër mendimit të Rigës, se kisha jo kombësia do formonte bazën e saj, dhe eteristë të zellshëm qenë gati t’i propozonin shqiptarit Ali Tepelena fronin e Konstandinit (perandori i fundit i Bizantit, shqiptar nga NISHI), mjaft që ai të pagëzohej”.
Mendelson Bartoldi njofton: “Ali Pasha i dha shtysë shpërthimit të revolucionit grek. Lëvizja e tij kundër sulltanit dhe organizata e fshehtë greke “Filiqi Eteria” përgatitën në radhë të parë Revolucionin e vitit 1821”. 
Ç’thonë, pra vetë grekët duke kundërshtuar dhe falsifikatorët brenda tyre? 
Shkencëtari Kosta Biri thotë: “Të kujtojmë… se fara e tyre dha figurat më të shquara në kryengritjen greke, një Xhavellë, një Miaul, një Marko Boçar, një Bubulinë… një Ali Tepelenë. Porsa i takon trimërisë, kryelartësisë, karakterit, këto janë cilësi të njohura për shqiptarët, të njohura edhe nga ata të cilët nuk ushqenin simpati për ta”. Aravantioni i njohur si antishqiptar shkruan: “Është punë që nuk mohohet dot. Ali Pasha kish vënë që kohë në mend, të bërit e një mbretërie shqiptare”. Më tej thotë: “Ideja e rimëkëmbjes greke nuk do zhvilloj dhe as do përparonte me të tillë shpejtësi nëse nuk do gjente truall veprimi kaq të begatë e të përgatitur nga duart e Aliut”.
Studiuesi P. Rodhaqi shkruan: “Kjo është historia e lëvizjes së Ali Tepelenës i cili luajti një rol aq të madh e të rëndësishëm, si në shpërthimin e revolucionit, ashtu dhe në përfundimin e tij”. N. Zhangu thotë se: “Shteti i Ali Pashës kish karakter përparimtar për kohën dhe Arvanitët” P. Rodhaqi plotson: “Ali Pasha shkëputi realitetin shoqëror nga mesjeta e feudalizmi, dhe i hapi rrugë qytetërimit”.
S. Aravantinoi përcakton më tej: “Al. Vurnas, në “Burime greke” shkruan: “Prej asnjë pashai tjetër grekët nuk u respektuan në shkallë të tillë, në kundërshtim me ligjin osman, se sa nga Ali Pasha”.
Dh. Hasiotis, duke polemizuar me falsifikatorë, shkruan në mbrojtje të Ali Pashës: “Kush tjetër u rrezikua e luftoi tre vjet të tëra në dobi të grekëve, veç shqiptarët nga kombësia, Ali Pashë Tepelena?”.
Para të tilla vlerësimeve le t’u përgjigjemi dhe me fjalët e Konicës: “Është turp, të ndodhen njerëz të lindur shqiptarë, që përpiqen të pakësojnë fytyrat që i dhanë shkëlqim Shqipërisë, në vend që të përpiqen të rrëfejnë, se fajet e atyre fytyrave ishin fajet e asaj kohe, po vlera ish vlera e tyre… Por kur mendohemi, se çfarë shqiptarë janë ata, që duan të mbulojnë me këlbaza emrin e “Luanit” që i vuri sëpatën Turqisë, shpejt ngushëllohemi”. 
Me figurën që i ngriti vetes, Ali Tepelena nuk i shpëtoi vëmendjes as të personaliteteve historike e shkencore, as të krijuesve. Mëson diçka nga veprat që janë shkruar për të nëpër botë, ndjen pikëllim, si ato nuk i njeh populli i tij.
Mësojmë: Teodor von Haupt ka shkruar melodramën në tre akte “Ali Pasha” më 1825. Po këtë vit, tri drama në një titull “Pjesë nga jeta e Ali Pashë Tepelenës”, autore gjermane. Më 1823 në Paris u luajt melodrama “Ali Pasha”. Më 1840 në të famshmen Skala të Milanos jepet baleti “Ali Pasha i Janinës”. Autori E. Schul jep veprën “Ali Pasha i Janinës”. Kronisti Ibrahim mensur Efendi boton veprën kronike “Kujtime për Ali Tepelenën”. O. Grimaldi jep baletin “Rrënojat e Janinës”. Melodrama “Ali Pasha” me autorë M. Aleksandër e H. Alfred, koreografi e Renancit, Paris 1822. “Ali Pasha nga Janina” – opera e Gustav Albert Lorcig 1824. Veprimi pantomimik “Ali Pasha i Janinës”, 1840, krijim i G. Golceranit e me radhë. “… Cilido qoftë fundi i tij, ai do mbetet një Njeri me të cilin do merret historia dhe shkatërrimi i tij nuk do t’i fshijë efektet që shëmbulli i ngritjes së Tij ka prodhuar në mëndjet e kombit shqiptar”.
“Pas një qëndrese burrnore, Luanit të Janinës iu pre koka” shkruan me madhështi e dhimbje Ismail Bej Vlora.
Më pëlqen ta mbyll me fjalër kuptimplote të të Madhit La Martin për shqiptarët si komb: +Ky popull është i pavdekshë, Kjo është toka e heronjve të të gjitha kohëve”, Përulje pafund ”Diamantit të Janinës” 

DITËT E FUNDIT TË ALI TEPELENËS
Si shkëmb buzë honi heshtur rrinte,
Daulle resh kish në çdo thinjë.
Nëpër çibuk të gjatë thithte
Një hall të gjatë për Shqipërinë.

Re otomane që nxironin –
Mynxyra përmbi jataganë –
Mbi malet tona po vraponin
T’u ngjiteshin në ballë si çallmë.

I mblidhte grusht gishtat e ashpër
Si vilajetet në një dorë,
E përmbi grusht i dilte unaza
Veçuar, si një kokë e prerë.

Mes hapash prej ariu të rreptë
I hynë armiq, bejlerë trumjerë,
Dhe nxiu inat’ i tij i sertë
Posi ujvarat në humnerë.

Mbi trup t’Europës thonjtë mpleksnin
Sovranët që tërë bujë gjëmonin.
Te cep i syrit të tij ngecnin
Dhe Cari, dhe Napoleoni.

Stuhitë si zë qiellor i ndjeu
Mbi qafë tek i thoshnin “Shtriu!…”
Përgjigjen po ashtu ua ktheu
Me kumbim qiejsh “Unë, Aliu…

Vdekja vetëm më këmbë ka hije…”
Nga qafë e prerë ftohur si bora
Nisi të rjedhë gjak i kufijve
Që, bëri ç’bëri, i ranë nga dora.

Bedenat shtynin njëri tjetrin
Ta përqafonin si mbi ré.
Nën një hutim të bardhë qelqi
Rënkoi me sy – “gjiton, ku je!”

Gjumit nënkrej i vuri shpatë,
Bota iu nda e kuqëreme.
E fundit psherëtimë iu zgjat…
Dhe vete e vjen…”erë Tepelene”

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.