DICKA PER TE HUMBURIT nga Petraq Risto

Petraq Risto

1.
DICKA PER TE HUMBURIT…

Brenda një busulle gjeta të humburit
pikëllonte shi në sytë e tyre
dhe baltë të vdekurish kishin mbi vetulla.
Ejani, u thashë, t’ju çoj atje ku prushi
avullon shpirtrat
dhe i kondenson te Jeta.
Nuk folën, kokëulur nga pesha e pyetjeve
Shkelën disa gjethe të shkelura
-Po të humbim prapë, më pyeti njëra.
– Në Pyllin e Ri nuk mund të humbë Vjeshta…
Ajo qeshi, qeshën dhe të tjerët
Horizontet hoqën xhaketat e mjegullta
Tashmë ishin ‘Të gjetur’…
Por…kisha humbur unë në Pyllin e vjetër.
Të vërtetat e lehta avullojnë shpejt, bëhen re puplore
Nuk kthehen në shi, vdesin në rrënjë
Dëshirat dhe lulet shohin me sy të vërtetat e lodhura…
Hiqu mënjëanë si një violinë telkëputur
Kur ndjen një tingull të ri matanë murit,
Flit me zë të ulët me timbër të ngrohtë burri
Mos urre pjellën tënde, ndize një shkëndijë te zjarri i tjetrit
Thuaj ‘faleminderit’ tek prek zemrën e një gjesti
Derisa të vërtetat e lodhura do zgjohen në një shtrat
Me jastëk ëndrre e çarçafë mëngjesi…

2.
Zjarrfikësit

I vura zjarr vetes
telefonova zjarrfikësit
dhe erdhën në çast:
Çatia e kafkës digjej
me flakë mençurie
Dritaret e syve verbuan dritën:
na fal, dritë, na fal…
Zjarrfikësit erdhën shpejt
Po zjarrin s’e shuan dot…
Vendosa ta shuaj veten
Me lotë.

3.
***

Isha vetëtimë në pasqyrë:
pa shi.
Papritmas pasqyra u plasarit:
mbive ti.

4.
VAJZAIA E FOLKLORIT 

(Nga cikli ‘Poezi të adoleshencës’)

– Përrallë – shkruar më 1971

Diku plasi dheu dhe çeli një mollë
Molla me lule të bardha,
Molla me fruta të kuqe.

Aty pranë mollës kaloi një djalë i bukur
Dhe lulet u zbardhën më tepër nga gëzimi,
Nga dashuria frytet më tepër u skuqën.

U dashurua pema me djalin e ri
Dhe frytet u bënë buzë,
U bënë faqe, u bënë gjinj,
Dhe lulet u kthyen në hëna,
Dhe pema në vajzë me hënëzat në gji.

Vajza priste djalin dhe ai nuk dukej
Shtatë diej perënduan në vetullën e saj,
Shtatë netë zogu i pikëllimit çukiste lotët
Dhe ai nuk dukej.

Vajzë e bukur me qiellin në gji,
vajzë-pemë pa rrënjë në tokë
me rrënjë të thella në dashuri
Kërkon, e kërkon, e kërkon.

Vajza kërkonte djalin dhe ai nuk dukej.
Katërmbëdhjetë djem u ngrysën në vetullën greminë
Dhe ajo s’pranoi.
Katërmbëdhjetë nëna e kërkuan për nuse
Dhe ajo s’pranoi.

E Bukura e Dheut me yje në gji
Vajzë-pemë pa rrënjë në tokë
Dikush të pa dhe ia verbove sytë,
Dikush të preku dhe ia dogje dorën.
Kërkon, e kërkon, e kërkon.

Dhe ja që larg në rrugën me pluhur
Afrohet djali me nusen dhe dasmorët…
Tek sytë e tu moj vajzë e bukur
kanë vendlindjen lotët.

I bindur nga ngrohtësia e lotëve u hap dheu
Buzët faqet dhe gjinjtë u kthyen në fruta,
Hënat u kthyen në lule,
Dhe vajza u kthye në mollë…
Dhe çdo ditë nën mollën e kuqe
Puthen dy të dashuruar.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.