DIELL MBI PLEHRA nga Pirro Loli

Pirro Loli

DIELL MBI PLEHRA
   -ese-

… N.Kazanxaqi, kapur dorë më dorë me personazhet e tij, pushton krejt skenën komiko tragjike me dy personazhet e tij (Zorba dhe Ortansa) nga më vitalët në romanin evropian… Ja ku bujtën si miq Zorba dhe Ortansa në një hotel të vogël e që në vështrimin parë qejfliut tonë iu duk ajo si një dele e majme që tundte bishtin. Ai e dinte se pulat plaka kanë lëng të shijshëm. “..Në shtegun e hapur të gjoksit, madama kish vënë një trëndafil të shkundur.”(f.41) në dhomë mbante një papagall të verdhë, simbol i të shkuarës së saj, që gjer në fund i kujton me atë zërin e çjerrë emrin e një ish dashnori, “Kanavaros”. Si mbaroi pulën e pjekur Zorba i hedh sytë madamës.”i ulej me sy, hipte e zbriste, strukej në gjoksin e saj tulak dhe e fërkonte “(F.42) Zonja e ndiente në trup syrin e skifterit e ndizej pak nga pak. Cili Shekspir e hodhi këtyre gërmajave në kthetrat e Zorbës? Dhe vërtet, vetëm Kazanxaqi mund të tregonte si Shekspiri historinë e madamës me gojën e saj.
Dashuria e Zorbës me Ortansën të kujton një çift të dashuruaresh tip Romeo e Zhulieta në pleqëri.
Sapo hyn ajo në skenë, duket se Zorba dublohet e tashmë lexuesi njeh një zorbë tjetër, (Zorbena). Bukuroshja e dikurshme që kish bredhur hu më hu, gjen te Zorba burrin e fuqishëm që e kënaq seksualish, paçka se ora e saj kishte ngecur. Atë e përtërit dhe e gjallëron seksi e me Zorbën donte të bënte një martesë, të vetmen, të ndershme. Me të ajo jeton bukurinë e dikurshme si të përjetshme. Romantiku gjashtëdhjet vjeçar e merr këtë qenie delikate në gjirin e vet dhe mundohet që të mos t’ia lëndojë iluzionet e, në fakt ia rinon trupin, shpirtin, epshin, historinë e saj aq të pasur me aventura dashurie si të vet Zorbës. Të vërtetat dhe gënjeshtrat në këtë dashuri janë sa dramatike e komike, por gjithsesi njerëzore e përbëjnë faqet më të bukura të romanit.
Zorba si personazh do ishte i mangët pa Ortansën, këtë madamë me origjinë franceze që s’i lë gjë mangut atij. Dashnorë dhe burrë e grua ata plotësojnë njeri tjetrin në lidhjet ala zorbë dhe janë kaq të veçantë e origjinalë në zullumet e tyre, sa dhe ish madama kthehet në një zorbë madhështore. Të dy jepen duke gërmuar në të kaluarën e tyre e të dy përbëjnë një çift që me dashurinë e tyre në pleqëri, janë kaq njerëzorë e sensualë sa jeta e tyre ngjan me një skenë teatri komiko tragjike që zbulohen gradualisht deri në vdekje, madje, të dy, dhe vdekjen e kanë krejt të veçantë. Ata duhen parë veç e veç e të dy së bashku për të zbuluar karakterët e tyre të fuqishëm.
Zorba me zulllumet e tij të pafundme, i pasuar nga qejfllesha plakë, të dy, pra, zënë vend presidiumi në galerinë e letërsisë së madhe. Të gjitha cilësitë e tyre fizike e shpirtërore janë dhënë me ngjyra të ndezura e kontraste piktoreske skajshmërisht të dukshme, virtut dhe ves, ndershmëri e horrllëk. Ata të imponohet në krejt veprimtarinë e tyre. E të dy mbërthyer në një të kaluar aventureske, janë ndërkohë kaq të besueshëm e simpatikë dhe në horrllëqe. Zorba, i dehur vetëm pas pas punës dhe grave, pasi ka braktisur Zot e dreq, barbar dhe i ndjeshëm si poet ndaj Ortansës, është në lëvizje të përhershme; e ndërton jetën me duart e tij, punon tokën, ngre shtëpi, hap rrugë, sjell ujë, çan shkëmbinj, pret dru, gatuan dhe shkrihet njësh me baltën, gurin, drurin e qymyrin. Ai thotë: “Dua qymyr dhe bëhet qymyr kokë e këmbë”(f.72)Veprimet e tij gjithmonë të skajshme i këputin frenat, kudo dhe kurdoherë, në ushqim dhe pije, në punë e lodhje, por veçanërisht me gratë të cilat janë qëllim dhe stolie e vetme e jetës së tij. Ortansa është thesari më i rëndësishëm I jetës së tij prej aventurieri e Don Zhuani të pacipë. Ky njeri pa shkollë që, dhe kur shkruan letra, thyen penat nga furia e papërmbajtur, me prakticizmin e tij, bëhet edhe primitiv sikur tash është shkëputur nga shpellat; ndërkohë, filozofon për gjithçka e mediton për bukuritë e kësaj bote si poet, veçanërisht për pikën më të dobët të jetës së tij, femrën dhe seksin. Shpalosur kështu, skajshëm, ai i hap shtigje të reja autorit dhe lexuesit. Ai këlthet në këngë e në valle e duket sikur tingujt dhe lëvizjet i përkasin kohës paranjerëzore, kur klithma ishte dhe muzikë dhe pathos dhe vaj. Ai është njeri me gjak të valë që të kujton njeriun e fuqishëm të antikitetit; kur ka dhimbje e lëshon lotin breshër, kur ka gëzim nuk sorollatet në kënaqësira të imta, po vrap e të vejusha e radhës…

* * *
Ortansa nuk i mban mend të gjithë meshkujt që ka kaluar nëpër duar, por kujton me nostalgji Ali Beun që paguante shaire`t e ata luanin tërë natën edhe e gjithë lagjia mbetej pa gjumë nga zurnatë dhe gjithë qyteti mërmëriste e mallkonte atë e Ali Beun. E pastaj Sulejman Pashanë në Stamboll, xhelozin e besdisur, që nuk e linte Ortansën të dilte as shëtitje nga frika se mos ia shikonte Sulltani e ia rrëmbente.Te dera e dhomës pashai kish vënë dy arapë e atje nuk shkelte këmbë mashkulli. “ Ah e ah, Sulejmani im !”(f.123)…
Ajo ka një histori lufte dhe seksi. E çuditshme si mund të bëhen bashkë këto(¡), e, pra, luftë në Kretë me të katër superfuqitë e kohës me topa të rëndë e vrasje dhe seks me të katër kryeadmiralët, të Anglisë, Francës, Italisë e Rusisë. Të katër ata kodoshat e kohës që drejtonin luftën, veshur e stolisur me ar e pendë në kapele siç thotë ajo, ishin gjela të mëdhenj…Vinin nga shtatëdhjet okë secili e përnatë zhgrryeshin me të. A thua se të katër admiralët e mëdhenj u zhgërryen me popujt e Ballkanit si mbi Ortansën?…
“..Apo s’kishin mjeker! Të dredhur, të shndritshme, të zezë, të verdhë, thinjake, gështenjë”f.(43). (Dhe vini re ironinë patriotike tëe rufjankës): Madamë Ortansa, artiste që vishej me kombinezione mëndafshi, dantella e spërkatej me lloj lloj parfumesh, kalonte natën zhytur në shampanjë, e, duke bërë seks, u lutej që të mos ta bombardonin Kretën. “ Kanavari im – i thoshte secilit, mos ia bëj bum,bum” e, sa herë seksi i saj ka shpëtuar Kretën nga vdekja. Paska luftuar edhe Ortansa e bukur gjoks më gjoks me armikun…Po askush nuk u a di për nder putanave virgjëresha; asnjë medalje trimërie nuk mori bukuroshja e rrallë…(!)Katër admiralët do iknin dhe Ortansa mbeti katër herë e ve. “Po mua ku do më lini, ankohej e çirrej, mua, që mbajta të katra superfuqitë në gji ?!” Natën e fundit ata mbushën vaskën e banjos me shampanjë dhe e zhytën të dashurën lakuriq. U lanë të gjithë në atë vaskë, kurvëruan për herë të fundit, pastaj mbushnin gotat dhe e pinin të lumaksur gjithë verën e banjores. (kujt heronjtë antikë, Ajaksin, Trojën, Kretën, Kapetan Mihali, ata personazhet ballkanikë që nuk njihen në asnjë letërsi tjetër që – para se të varroseshin hanin e pinin në varrin e tyre – e vdekjen e mallkonin si dashnore – )

Ja ku e ke admiralin tënd – i thotë Zorba – e ndërkohë kish hedhur gjunjët e tij mbi të sajat. “E re, a e rreshkur, e bukur a e shëmtuar, s’kish rëndesi; për të, pas çdo gruaje fshihej fytyra e Afërditës, e vrazhdët, e shënjtë, gjithë mister”(f.46) dhe Zorba zgjati duart e trasha. Ortansa e velur me mish e verë u var në shpatullat e tij. “ Tani u ndez, zotni, tani, hë…!”.
E ata gdhiheshin çdo natë së bashku.… Për Zorbën femrat janë vetëm objekt seksi. Dhe jeta duhet shijuar. Ortansa është shëmbëlltyrë e këtij koncepti, alter Zorbë që ai e thërret Bubulinë, d.m.th trimëreshë. Plakë e lëshuar, por “që paska shtriga lezetin e vet, ditka zanate e të merr mentë”(f.78) Dhe Zorba ha radha e ka provuar gjithçka. Atë nuk e shqetëson fakti që kjo grua paçavure që ka bërë të nëntëdhjet e nëntat me admiralë, marinarë, ushtarë, fshatarë bakallë, priftërinj, korofillakë..etj. Për sytë e tij, femra është seks dhe sipas tij, njëmijë herë bie në shtrat e njëmijë herë ngrihet e virgjër. Dhe ai po kështu, “bëhet njëmijë herë Kanavaro e i kërcen admirales së tij njëmijë herë të shpuar”(f.79)
Të dy kanë një pathos të furishëm për të jetuar e për tu përtërirë. Kur mugullon bari i njomë, kur çelin ngjyrat e gurgullojnë ujrat e pranverës, Ortansa bëhet çupë, kujton e rinohet e duke bërë dashuri me Zorbën , mendja e çon në krevatet që ka provuar në Aleksandri, Bejrut, Smirni, Stamboll…e, ah e ah, o Ali Beu e ah e ah, o Sulejmani im!
Kreta e Zorbës ia ka pranveruar të gjitha kujtimet. Gjinjtë e saj të fortë vërtiten përpjetë e bregu i Kretës oshëtin e Zorba e bën dhe e përpunon si tridhjet, dyzet a gjashtëdhjet vjeçare…E bardhë si bora, lakuriqe me gjinj e shalë të plotë, ajo bëhet Zorbë. Asgjë s’ka humbur e ngjan me një fregatë me tre direkë, kacaviret nëpër litarë, lundron dallgëve e, pasi ka provuar të tërë hunjtë e botës, tash prej pleqërie, e rregulluar dhe e stolisur, synon të fundit port, dasmën me Zorbën, të paktën t’i tregojë jetës së saj një krevat të ndershëm, atë që i ka munguar , dashurinë.…Dhe Zorba nga ana i tij është një Ortansë, pushton atë e i shfaqen pa fund fytyrat e vejusheve të tij, turke, franceze, armene, ruse, arape e sidomos greke…
Zorba ia mbajne ndezur dashuritë, i blen dhe dhurata për dasmë, qirinj e kordhele, vello nusërie e çorape të mëndafsha, por…,
Por,
pleqëria s’mund të ndalet, paçka se Ortansa i fshihej, shtrihej mbi bar të gjelbëruar që më kot të gjelbërohej, që pleqëria të mos e njihte e vdekja të largohej. Ajo sëmuret e zë shtratin e dergjet e ato dhuratat e dasmës i vërtiten në kujtesë e i veniten. “Zeri i jetës këlthet brenda saj, këlthet me dhimbje e pikëllim, e ulërimë” s’dua të vdes, s’dua të vdes”…Zorba e kupton rrugën që ka marrë “nusja”. I qëndron te shtrati, i fërkon ballin e nxehtë e zgurdullon sytë me pikëllim të thellë. Plot dinjitet, burrëri e dhëmshuri kthen kokën anash e fshin lotët me kurrizin e dorës. E bashkë me të edhe lexuesi. (E dreqo punë, s’të bën zemra e nuk na lejon shkrimtari i madh t’i kujtosh asaj çka qenë…as atij burri t’i thuash kurvar plak. Le të flasin moralistët për plehurina…)…Arti i vërtetë është si dielli që vete ndriçon dhe në pirgjet e plehut. Kjo është forca e artit të madh. Është njëkohësisht dhe antiskemë e metodave artificiale artistike e imponuese që e duan të mirën rreptësisht të mirë e të keqen rreptësisht të keqe, bardhë e zi, duke e viktimizuar personazhin e duke e gjymtuar njeriun. Ortansa është një sirenë që këlthet me të tërë forcën për ta gëzuar jetën, është shëmbull dramatik që shfuqizon të tëra moralet, luftat, ideologjitë, zakonet, traditat; të dy janë kaq të besueshëm në partneritetin reciprok, kaq njerëzorë në zullumet e tyre; ai dhe ajo, tërndafila plot aromë dhe “lulet e së keqes”, virtuti dhe vesi mbërthyer , dashuri dhe vdekje. Luftë dhe seks e një race vitale.
Të paharuëshmit e gadishullit tonë kaq dramatik.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.