DILEMA STINËSH nga Fatbardha Xhani Myslimaj

Fatbardha Xhani Myslimaj

DILEMA STINËSH

Jetën e kujt isha duke jetuar dje
Kur më luteshin të gjitha pikat e vesës së syve
Për pak vëmendje
Sa të më tregonin mallin e gjatë
Të tre stinëve të gjata…

Mendimet e kujt bluaja
Tek boshatisja enën e kujtesës
Nga të gjitha ato që ndodhën përtej qëllimit
Përtej gjithçkaje të tejdukshme
Asaj që shkruar ish në Yje…

Fatin e kujt jetoja ashtu
Pa lejuar asnjë grimcë të vogël
Të kthjellojë lumin e rrëmbyer të pasigurisë
Lulet që lulëzonin anës prej pranverës
T’i prekte ëmbël me gishta ere…

Dhe çfarë donin të thonin
Ato pika të kripura shiu të kthjellë
Kur binin mbi duart që ethshëm pritnin
Dridhjen e ëmbël prej gjetheje
Të erës prej burri të fortë
Tek belbëzon pa kuptim
Fjalë zemre…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.