DILEMË NGA nga Odise Plaku

Odise Plaku

PËR CILËN PËRJETËSI

Për cilën përjetësi të besoj?
Për atë që shkruhet kur jeta shuhet,
a për dashurinë e premtuar puthjes së parë.
Për cilën përjetësi të betohem?
Për atë që shpirti ma jeton me zemrën tënde,
a për ëndrrën që nuk di si më shfaqet.
Për cilën përjetësi duhet të marrosem?
Për atë që as fallxhoret nuk e gjejnë,
a për mashtrimin e fjalëve të ëmbla.
Për cilën përjetësi të digjem?
A ka vullkan që trupin tim në llavë ta shkrijë,
kur shpirti im për ditët e jetës digjet.

DILEMË

Trazohen mendimet në mesnatë dhe ditën presin
të shpëtojnë nga prangat e errësirës e mos të vdesin.
të shpupurisin krahët dhe të shtegtojnë prej dhimbjes,
të puthin dalldisjen e pranverës dhe çastin e lindjes.

Shtegtojnë mendimet, ti mbetesh te unë si lajm i ri,
në hone shkon e vjen, ikën e tretesh pa njohur robëri.
Në stol të dëshirës të pres, pa asnjë lutje e përkulje
e bukur kur zemrës dhe shpirtit i vjen ajo dashuri.

Të shtrydh në sytë e mi dhe pikon buzëve nektar,
në mish më futesh si unaza e betimit të përjetshëm.
Shkatërrohet bota nëse gishtit del e dot nuk gjendet,
dashuria në ekuacione të gradës së lartë më mbetet.

Mendimi pikëzon në qenien time të hallakatur prej kohës,
në valë të dhimbjes lundron për të gjetur fundit e botës.
Direku është krisur dhe frikë kam ta ndjek në zi të detit
bashkë a të ndarë, dilema luan kukafshehtas mes rrëmetit.

Veten se lë të plakem me iluzionet e gënjeshtrës së ndyrë,
rrudhën e dua dhe thinjën nga moti të pikturohen në fytyrë.
E mbyll në arkivol të harresës imazhin e shtirë të dashurisë
më mirë luaj me ëndrrat e pastra të kohës të fëmijërisë.

TË IKURIT E NATËS

Ne heshtim,
Heshtja është mbretëria e dhimbjes sonë.
duart kanë humbur, nuk i kemi në trup,
prekja është vdekje në natën tonë të fundit.

Ne heshtin,
Sytë humbasin dritën në qiellin e pikëzuar,
përballë frikemi njeri-tjetrin ta shohim,
e rëndë ndarja erdhi në shpirtin tonë gjysmak.

Ne heshtim,
Le të ikim në rrugën tonë,- propozojmë,
nxitojmë kush i pari të dalë nga dera e madhe,
përplasemi, lëndohemi e nuk themi më fal.

Ne heshtim,
Ëndrra na u dogj në malin e zhgënjimit.
Unë isha pa pretendime veç dashuri doja,
çfarë të dhashë asnjëherë nuk të mjaftoi.

Ne heshtin,
Sa shumë matemi të flasim, por mblidhemi,
të mbledhura në thesin e shpirtit përplasen,
kohë per t’i lexuar nuk ka, Santa Klausi iku larg.

Ne heshtim,
I vidhemi njeri-tjetrit si kuajt inatçorë në lëmë,
të rrahur me vrerin e mllefin mbledhur në shportë,
si shtrigat vdekjen në gjethe të bimës për të gatuar.

Ne heshtim,
Nata u nda më dysh, nuk ngjitet kurrë më,
me copën tënde rrugën e ikjes pikturove në ajër
humbasim dhe udhëkryq nuk gjendet në ajrin e plakur.

Ne heshtim,
Loja e gënjeshtrës e mbaroi kohën e saj të jetës.
Loja me fjalën ”të dua” u zhbë, nuk ka më ngjyrë floriri.
Ne jemi loja që në heshtje qajmë dashurinë tonë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.