NUK KENI LINDUR PËR TË QENË KUKULLA nga Lumo Kolleshi

Lumo Kolleshi

13 për 14 mars ‘

Babai pelqente festen e Novruzit,
Nena pothuajse ishte pagane,
Me kova e ngrinte ujin prej pusit
E thyente ne kthim ca degeza thane.

Pastaj shkonte pa u ndjere te furriket,
Vezet e fresketa i zjente me cipa qepe,
Bente dhe bukesheqere me miell te misert,
Thelle ne zemer kishte dite feste.

Dhe une sot,per kujtim te nenes,
Ritin e saj po bej plotesisht,
Me cipa qepe i zieva vezet ne draprin e henes
Dhe nje pus me brenga kam natyrisht.

PERLOTJE

Kërcasin brinjët e një porte,
Ku hijen shkund më kot një lis,
Në ca damarë të kësaj bote
Gajku ka ngrirë e nuk lëviz.

Menteshat ndryshkur,mezi mbahen,
Në më të vonën pleqëri,
Ca sy që prej qerpikësh çahen
Në vatrën mbetur dhe pa hi.

Dhe zemra bëhet e tëra lot
E loti sytë i shkreh në vaj,
Nuk jam i zoti të hap një portë
Të zgjoj një ëndërr të pafaj.

VEÇ NJE EURIDIKE

Kishte dritë brenda teje
Kur ti shkoje errësirës,
Dhe pse harqe prej rrufeje
Derdhte qielli drejt të mirës.

Gjithë rrugët,gjithë shtigjet
Nxirrnin cerbera për ty,
Polifemët shkruanin ligjet,
Qorçe vetëm me një sy.

Dhe të çonin përdrejt Hadit,
Atje ish dhe Euridika,
Si Sizif i qepesh malit,
Lira s’kishte frikë nga frika.

Pa e zbute xha Karontin,
Vdekjes veç i jepje jetë,
Eh,Orfe,sa po të lodhin…
Veç një Euridikë të pret.

NUK KENI LINDUR PER TE QENE KUKULLA

Vajza,
Ky vend sa një guaske,
Gjaku juaj po mbush plot një vaskë.
E megjithatë,
Ju keni të drejtën e Zotit të dashuroni,
Të dashuroheni prej një djali,keni të drejtë.
Veç një këshillë e mbaj në hambarët e zemrës:
Nuk keni lindur për të qenë kukulla,
Për të qenë pronë e epshit mashkullor,ca më pak.
Mos e këmbeni dashurinë me një tavolinë të shtrenjtë,
Me një makinë me xhama të zinj,
Me një kuletë të mykur
Me një zinxhir të trashë floriri varur në një qafë të dhjamur,
Me një famë të çastit para kamerash vrastare,
Me një zyrë lluksoze ku bie era përç.
Mos e hidhni bukurinë në greminë,
Jepini dashurisë vetëm dashurinë!

PIKTURË

M’i dhanë të gjitha ngjyrat
E më thanë:
Pikturo atdheun tani!
Jeshilen kërkoi peneli për fushat dhe malet,
Në telajo veç gri.
Shpejt e shpejt u hodha rrugëve pak pluhur të zi,
Habinë dot nuk e munda,
Prapë shtjella pluhuri gri mbi gropa dhe gunga.
E mora të bardhën kristal,
Shpirtin e njeriut ta vija përballë dritës,
Shpirti më mbetej prapë në moçal
Mes një zhuke te egër
Në kafe të pjekur.
Më thanë e ç’ nuk më thanë:
I pafe, horr, shpirtkatran, Pikaso i rrjedhur.
Me një zë që lëngonte thellësive,
Arrita e u thashë:
Atdheun më kërkuat, atdheun ju dhashë!

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.