DITËS SË VERËS nga Rakip Zhguni

Rakip Zhguni

DITËS SË VERËS

Hapi portat-lule
Marsi anembanë,
Si ta shoh fytyrën,
Perëndesha Dianë.

Lëvare vërrini
Vara si shandanë,
Të ta ndrija udhën,
Perëndesha Dianë.

Prita, oh sa prita
Nën strehë e nën man!
S’di pse nuk të pakam,
Perëndesha Dianë.

Më kot çirrej zemra
Fort si një kambanë,
S’dole që nuk dole,
Perëndesha Dianë.

A mos vallë fshihesh
Krojeve në stan?
Nuk rri pa të gjetur,
Perëndesha Dianë.

Kalin e Ditëverës
Ngarenda revan.
Pse luan syfshehtas,
Perëndesha Dianë?

Humbe, po ku humbe,
Ç’kuçedër të mban?
Vdekjen do ta vras
Veç për ty, moj Dianë.

Renda nëpër natë
Nën një qiell si xham,
M’u trete si ylli,
Perëndesha Dianë.

Dhe u bëra zog,
U bëra murlan,
S’mundkam të të kapkam,
Perëndesha Dianë.

Zemra ime-mall
Pikëron e qan,
Sa afër, sa larg,
Perëndesha Dianë.

Gërmova, rëmiha
Këtej e matanë,
Më lodhe, sfilite,
Më plake, moj Dianë!

Viteve së largu
Humbe porsi zanë,
Dritën veç ta shoh,
Perëndesha Dianë.

Nëpër pika vese
Në zambak e thanë,
Shoh fytyrën tënde,
Perëndesha Dianë.

Ylberon agimi
Nëpër qarr e panjë,
Syri yt i bukur,
Bukuroshja Dianë.

Luleve me vesë
Gjiri erë të mban,
Hapin tënd e ndiej,
Fluturakja Dianë.

Do të vijë dhe vjeshta
Me mollë e me thanë,
Gjiri yt i mbushur,
Hojemjalta Dianë.

Mot më mot ti ardhke,
Veç në Elbasan,
Gati ballakumet,
Perëndesha Dianë,

Pa do vijnë poetët
Ku janë e ku s’janë,
Guguron në vargje,
Guguftuja Dianë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.