DO TË MBJELL NË BRINJËN TIME nga Skender Lazaj

Skender Lazaj

DO TË MBJELL NË BRINJËN TIME

Kur ankthi i prekjes mekej nën lëkurën e lëmuar,
dhe tinguj hyjnor jehonin si brenda një tempulli,
lëkura valëzohej si valsi i telave të një violine,
shpirti derdhej me dritën e diellit të një shekulli.
Psherëtima kthehej si fërshfërima e erës së një linje,
Horizontit të syve shkruhej profecia e një orakulli.
Unë e dija…
Ajo do të dilte nga unë, prej brinje!

Buzët,
në ngjyrë dhe formë të një zemre përthithnin,
polenin e nëntëdhjetë e nëntë cikleve pranverorë.
Liqenit fundor i kthente në korale magjepsës,
rrafshnaltës ujore një morì pulëbardhash klithnin,
mes përndritjes së fildishtë të thellësive.
Unë e ndjeja,
ajo, po dilte nga brinja ime!

Vështirë të kuptohej
se kush e kishte njëri-tjetrin brenda vetes ,
dukej sikur ofshamat dilnin nga e njëjta gojë,
fryma hynte e dilte nga një mushkëri e vetme,
rrahjet nga e njëjta zemër,
kurse shpirtrat ngriheshin fluturimthi,
me krahët e një zgalemi të çartur
çanin ajrin e qiejve.

Ndoshta kthehen,
ndoshta agimi i dytë do t’i sjell.
Kur unë Adami do të jem në kopësht me Evën përkrah,
ndërsa ajo mëkatarja do të dal prej brinjës sime,
Atëherë, patjetër në një brinjë tjetër do ta mbjell.

NUK ËSHTË ASPAK ZBAVITËSE

Një penel i padukshëm pikturon qiellin
Si fillim i jep një dorë të përhimtë
Pastaj ca flokë të dendur si konture vashash
Dhe një avion si shigjet, heq një vizë të përpiktë!

Peneli rrëshqet nxitimthi
Dhe sipërfaqen e tablos krejt e nxinë
Lartë ndizen shkëdia e poshtë bien vetëtimthi
Jehona vjen më pas, gati veshët t’i përpinë!

Pas ca pikash, ndihet era përzhitëse
Retë sikur thonë: është kohë pushtimesh
Kjo s’është aspak zbavitëse
Për dikë që sapo ka filluar pushimet!

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.