DRITËROI NË MENDIME ANALISTËSH

Dritero Agolli

ARKA E DJALLIT

… Dritëroi i ngre një monument të gjallë Të qeshurës. Ky monument lëviz , kurioz i tmerrshëm, qesëndis, gajaset e quhet Cute Babulja. Cute Babulja është vetë jeta e sidomos jeta shqiptare .Ai e përcakton karakterin tonë të racës , më shumë se dhjetra manifeste e traktate estetike, etnologjike apo antropologjike . Cute Babulja është i plotfuqishëm dhe sovran me skeptrin e tij të humorit , me tërë të metat e marrëzitë e tij të papritura e të shumëllojta. Ai nuk është njeriu steril . Ai gjen ekuilibrin midis Shakasë dhe së Vërtetës, midis shpirtrave por edhe sendeve , përkohësisë po edhe amëshueshmërisë, kuptimit e absurdit . E qara i kthen njerëzit në statuja epike, e qeshura i bën si Pigmalioni statujat e gjalla, me inde e gjak të ngrohtë. Ndoshta shqiptarët më shumë se popujt e tjerë kanë nevojë të thellësishme të qeshin , sepse martirologjia e tragjizmi i tyre është i zgribshëm e pafundësisht i padurueshëm. Në tërë letërsinë shqipe Dritëro Agolli është ai që e kuptoi si askush këtë apel universal e suprem. Dritëroi tregon tragjedinë e satirës pa shkruar tragjedi . Satira e Dritëroit është e shkollës virtuoze e vigane të Servantesit dhe Gogolit dhe jo e Xherom Xheromit, sepse ai nuk shkruan marifete të të qeshurit, pra nuk bën alibinë estradeske të të qeshurit , lojën e lehtë të gajasjes pa kuptim, të dëfrimit. E të mos harrojmë: tragjikë ka shumë , satirikë të mëdhenj ka shumë pak. Hegeli, e quan satirën si shkallën më të kulmëshme , zenitin e mjeshtërisë , stilit , artit që i shpalos e i përhap paradokset më dukshëm e vetëbëhet një koncept purgatorik i dlirësimit tërësor. Arka e djallit është një kryevepër e vërtetë , e gjallë dhe e lirë si natyra , një koncentrim i shpirtit kombëtar .
[Moikom Zeqo]
ARKA E DJALLIT
.. Epiqendra e veprimit të romanit “Arka e Djallit” është fshati provincial i Qershizës. Lexuesi do të shpejtonte të pyeste: E ç‘mund të presësh nga përshkrimi i jetës së një fshati të humbur? Vetëm ca histori të parëndësishme, trashanike e banale? Se, ç‘mund të ndodhë aty më shumë se kaq? Por s’është kështu. Duke e vendosur veprimin e romanit në një zonë të largët provinciale, D. Agolli i përmbahet traditës të kultivuar shpesh në letërsinë satirike klasike botërore, që e bën të mundur të kqyret jeta me shtrirjen e saj deri në skajet më të largëta, më të humbura dhe nga një këndvështrim i ndryshëm prej atij që mbizotëron zakonisht në qëndrat ose kryeqëndrat urbane. Shkrimtari nis për në Qershizë shkrimtariun Sherif Abecenë në një lloj “qarkullimi”; aty ai kërkon të shtierë në dorë defteret e Bamkë Dynjasë. Shënimet e këtyre defterëve vendosen në themel të subjektit të romanit dhe ato zbulojnë ca të vërterta sa të lezetshme, aq edhe të hidhura për jetën e Qershizës, por sidomos të një binomi tjetër personazhesh: Bamkë Dynjasë dhe Cute Babuljes, shokë të pandarë, të sinqertë e hokatarë, që përfundojnë viktima, të dënuar për “gabime të rënda” nga Partia-Shtet. Sherif Abeceja shfaq zell “për ta njohur jetën” e Qershizës, të bazës, ku “trillojnë një mijë histori prej asgjëje”; aty ai përfshihet në vorbullën e ngatërresave me defteret e Bamkës. Sherifi arrin në përfundimin se në Qershizë s’kish asgjë të mirë, veç emrit të Anthullës. Përmes Qershizës, Sherifi kupton si janë punët edhe në Tiranë, ku “ka spiunë e gjykatës më të fortë se në Qershizë”. Në klubin e berberhanës “bëhej radioskopia e mushkërive të fshatit përmes mekanizmës së thashethemeve, ankimeve, inateve, psherëtimave, shakave dhe thumbimeve të pandërprera dimër dhe verë”. Një agronom i ri, Agron Sahatçiu pohonte se në Qershizë s’kish gjë tjetër veç një tufë lopësh të plakura, që u kish shterrur qumështi, dhe ku njerëzit në vend që të shqetësoheshin për moshën e lopëve, shqetësohen e interesohen për moshën e Sherifit.
[Prof. Alfred Uçi]
… I përfunduar vetëm pas ndryshimeve që ndodhën në Shqipëri në vitet 1990, “në sfondin e këtij romani është një shoqëri herë konkrete dhe herë e papërcaktuar: kjo mund të ishte edhe shoqëria e djeshme, edhe shoqëria e sotme”[1]. Jashtë këtij konteksti historik-letrar, kërkimet rreth vendit të personalitetit, frymës dhe fuqisë ndikuese të Rumiut në romanin “Arka e djallit” nuk do të kishin ndonjë rëndësi të posaçme. Është pikërisht ky kontekst që lejon të shtrohen pyetje thelbësore, si: ç’ishte Rumiu për një shkrimtar e mendimtar ateist; pse pikërisht Rumiu ishte zgjedhja e përveçme e tij për t’u ndërfutur thellë në botën e Lindjes dhe madje për të tentuar një krahasim vlerash me Perëndimin e shndërruar në mit; a është afërsia e autorit me të thjesht një manifestim diturie, një shfaqje enciklopedizmi, apo lidhje më të forta, të vetëdijshme e të pavetëdijshme, zgjohen në mendjen krijuese të tij; a ka ndonjë rol ndërmjetësues midis shkrimtarit dhe Rumiut vjershëria e Naim Frashërit; a kanë ndikuar në këtë vepër jeta vetjake e autorit, tradita e besimit në familje, botëkuptimi i bektashinjve, panteizmi i rilindësve, deri tek opozicionet globale të njerëzimit sot, si dhe shumë pyetje të tjera të ngjashme.
Në shënimet përcjellëse shkrimtari nuk e përmend Rumiun dhe vendin që zë në këtë roman personaliteti, arti, botëkuptimi dhe filozofia e tij si një prej shkaseve të mundshme të vonimit të romanit. Ai as merret me arsyet e kësaj vonese, as jep njoftime nëse e kishte paraqitur për botim para ndryshimeve politike që ndodhën në vitet 1990, nëse ndonjë redaksi kishte gjykuar për të, madje as për shkallën e ndryshimit në “kohën tjetër” që erdhi. Shkrimtari thjesht mjaftohet të vërejë se “njeriu, sidoqoftë, e ka të kufizuar lirinë në shoqëri”[2]. Kufizim parësor për botimin në periudhën deri më 1990 mund të ishte pa dyshim qëndrimi ndaj besimit dhe admirimi për Rumiun. Për një periudhë të mëvonshme kufizim mund të ishte rrëshqitja në rrjedha që s’pajtoheshin me “mitin e Perëndimit”, në të kundërtën, preknin jo te Lindja, por tek Anadolli vetë, vlera befasuese.
Pjesë e një procesi krijues të ndërlikuar, “Arka e djallit” duket si një kërkim për tek ato nyje të historisë njerëzore, që mund t’i falin njeriut mendim dhe buzëqeshje. Duke e marrë vendimin për botimin e romanit në një kohë kur ishte shpallur dështimi i idealeve, shkrimtari do të pohojë se, gjithsesi, mendimi nuk ka dështuar. Për të arritur në këtë përfundim ai i drejtohet diturisë dhe gjenisë krijuese të Rumiut. Nuk ka në këtë vepër një personalitet tjetër që të mbajë shpresën e autorit dhe të lexuesit se fuqia e mendimit mbijeton në kohëra.
[Prof. Shaban Sinani]
… Një nga dukuritë më interesante që vihen re në romanin “Arka e djallit” është shprehja e vetvetes në një shumësi emrash. Autori i veprës shihet i projektuar në figurën e shkrimtarit Sherif Abeceja në sjelljet e tij të serta, në tiparin e tij të këmbënguljes për të zbuluar atë që të tjerët përpiqen ta mbulojnë, në heshtjen dhe dialogët “me popullin”. Ai shihet i projektuar tek figura e Cute Babules në mënyrën si ndërton humorin, si u heq cipën mashtrimeve, si sillet shpenguar në marrëdhëniet me të huajt, si i mund komplekset e veta dhe gjen shtigje e rrugëdalje edhe në situata të vështira, si i ndërton bisedat dhe lidhjet me fshatin dhe fshatarët, si preket e ligështohet pas gabimeve dhe qortimeve. Në figurën e Bamkë Dynjasë është një pjesë e fatit real të vetë shkrimtarit. Eshtë fakt se D.Agolli pati nisur ta botonte “Arkën e djallit” në formën e fragmenteve, por fundi i saj qe ndalimi, një sënduk njësoj si ai i “Shakasë së ndaluar” të Bamkës. Nuk është e rastit që Agolli, duke e quajtur romanin e tij “Arka e djallit”, që nënkupton sëndukun ku mbahet e kyçur vepra e ndaluar e Bamkë Dynjasë, i ka paralaimëruar atij një fund të trishtuar. Ndoshta autorësia e shumëfishtë (unë s’jam as Bamka, as Cutja, as Sherif Abeceja; ata janë personazhe të një vepre, ku shkrimtari ka qëndrimin e tij të qartë) mund të mos funksiononte si lehtësi dhe hile për të thënë atë që ishte e zorshme të thuhej. Ndoshta edhe romani i Agollit mund të përfundonte pikërisht në një sënduk të frikshëm, të cilin më pas dikush do të duhej ta zbulonte. Duke mundur “vetëkufizimin”, me “Arkën e djallit” D.Agolli e çliroi letërsinë shqipe nga një prej pengesave më të mëdha. Deri më sot është e zorshme të gjendet një vepër tjetër ku autori të ketë arritur vetëshfaqjen jo vetëm në atë që ia ndalojnë të tjerët, por deri në atë që ia ndalon ai vetvetes.
[…]
TRENDAFILI NE GOTE
… Pastaj më pas, kam lexuar një roman tjetër të tijin, të cilin nuk para ia zënë ngojesh. Është fjala për “Trëndafilin në gotë”, i cili ishte nga të paktët libra që nuk mund t’ia përcaktoje kohën, ndonëse ishte i shkruar në kohën e komunizmit. Ishte i lehtë, lirik, relaksues, me një fabul që s’kish të bënte fare me jetën socialiste e me ca personazhe që veç me “njeriun e ri” nuk kishin të bënin. Kur e kam lexuar për herë të parë, që është edhe hera e fundit (do duhet ta rilexoj, në fakt), më dukej sikur lexoja librin më pak impenjativ të botës. Më pas kam lexuar ca tregime të Kunderës të mbushura me personazhe që kishin kokëçarje të vetat, e që jetonin një jetë të tyren, ndonëse jetonin në socializëm, dhe më është kujtuar “Trëndafili në gotë”.
[Mustafa Nano]
TRENDAFILI NE GOTE
… Agolli ka shkruar dhe romanin “Trëndafili në gotë”, botuar me 1980 dhe ribotuar pas afro njëzet vitesh pa ndryshuar asgjë. E kam lexuar atëherë, madje si studentë e kemi bërë seminar special në Fakultetin e Letërsisë, Shkodër, e kam lexuar dhe pas ‘90-s, ua kam rekomanduar miqve dhe pres ta rilexoj prapë një ditë. Jam habitur atë kohë si romani pati kaluar pa jehonën e veprave të tjera të Dritëroit dhe jam ndier mirë kur Mustafa Nano para pak vitesh ka shkruar për këtë roman si për një xhevahir të letërsisë sonë. Tash e di pse ky libër atëherë nuk është vlerësuar si një roman i “fortë”, nga ata që kritika nganjëherë i kthente në “bestseller” të soc-realizmit, pikërisht ngaqë nuk ishte i atillë, madje tingëllonte një vepër jashtë atij konteksti. Minai, protagonisti i romanit, është një shkrimtar që shkon në sharrat e Pukës me leje krijuese, njeh tipa dhe karaktere sharrëtarësh që nuk janë nga ata “heronjtë pozitivë”, si në disa filma të asaj kohe, shpesh sipas modeleve sovjetike, por personazhe disi të “krisur”. Vetë shkrimtari, hero i romanit, nuk ishte një zhdanovist, por njeriu i lirë dhe pa komplekse që Agolli kishte në kokë, si një alterego i tij krijues.
[Ndue Dedaj]
… Romani Trendafili në gotë (1980) u prit nga mendimi letrar si një “libër rozë”, por me këtë vepër Dritëro Agolli provoi të bënte një sfidë tjetër në letërsi, duke krijuar një vepër të arrirë me një personazh që gjendet midis dashurish, pa tema epokale; pa epizëm dhe heroizëm. Me këtë roman Agolli krijoi njeriun hero për merita të dobësisë, duke manifestuar një hapësirë lirie vetjake jashtë asaj lirie që ofrohej prej mendimit shoqëror të kohës.
KALORESI LAKURIQ
… Ngjarjet zhvillohen në periudhën kur ekonomia e shtetit komunist ishte në vështirësi të madhe, gjë e cila nuk pranohej. Veçanërisht studiuesit dhe shkencëtarët ishin ata të cilët kishin krijuar në letrat e tyre një imazh krejt ndryshe nga ai i vërteti. Në sytë e njerëzve më të nderuar të asaj shoqërie Akademikut Xheladin Apollonia, studiuesve Zyrap Kandari dhe Sotir Kucka, ai Dane Gajtani është “Tjetri”. Ai perceptohet prej tyre si një individ që nuk bën pjesë në grupin e tyre. Ai ka të njëjtën origjinë si akademiku, dikur kanë qenë shokë klase, ai nuk shpreh asnjë pikëpamje ideologjike që mund ta kundërvërë politikisht me ata. Ai është i ndërtuar mendësish dhe kulturalisht ndryshe prej tyre dhe gjykohet negativisht. Grupi e sheh veten si ‘standard’ dhe gjykon ata që nuk e plotësojnë normat e tij të shprehurit dhe të sjellurit. Ai thotë atë që është e vërtetë, ndonëse e di se kjo do ti sjellë pasoja. Ai e thotë të vërtetën “troç” dhe kjo gjë perceptohet si mungesë e karakteristikës thelbësore të poseduar nga grupi, që është konformizmi. Ata thonë se Ekonomia është një sukses i vërtetë. Ndërsa ai thotë –“Ekonomia ndodhet në vështirësi të madhe, tufëzimi i bagëtive i gabuar”. Ai është tjetër dhe shihet pothuajse gjithmonë si një qenie më e vogël apo më e ulët se ata. Ai është edhe i çuditshëm sepse është i guximshëm, ndaj ata edhe e kanë frikë atë. Ai është i rrezikshëm sepse është i ndryshëm. Prania e tij si tjetër” i bën ata të bëhen më të bashkuar njëri me tjetrin. Ata përbëjnë një grup, të cilët nuk e duan njëri tjetrin dhe mezi presin që dikujt ti rrëshqasë këmba që ata ta shtyjnë, por përball atij, “Tjetrit” ata janë bashkë sepse i bashkon pushteti. Ata janë nëse do të përdorim një shprehje të Fukos “ të fabrikuar në mënyrë të kujdesshme”. Tjetri nuk dallohet aq shumë për pamjen nga të tjerët sesa karakteri, por në “Kalorësi lakuriq” ai ka dhe ndonjë karakteristikë fizike dalluese, si qimet e hundës. Ata kanë pushtetin mbi tjetrin, por për ta ruajtur atë i nevojitet ta ruajnë ta mbajnë në kontroll ndaj e vëzhgojnë gjithë kohën çfarë bën. Fuko e lidhte pushtetin me njohuritë dhe informacionin.
[Anila Mullahi]
… Xhelo Mara i Dështakut dhe Dane Gajtani i Kalorësit… janë variante të njeri-tjetrit në këtë dashuri-mallkimin e tyre për njeriun, madje kanë paraardhës dhe Rrapon e Maton, për t’u kurorëzuar me figurën krejtësisht të veçantë të Cute Babules, duke u bërë kështu fytyra e vetë kohës në lëvizje. Ata kanë të përbashkët pozicionin e rrëfyesit, pikën e nisjes dhe të vlerësimit të gjërave, referimin e vazhdueshëm me një moment të caktuar historik, siç është Lufta Nacionalçlirimtare, vendosmërinë për të thënë të vërtetën sado shtrenjt t’u kushtojë. Kanë të përbashkët humorin që, ose është mënyrë e veçantë, spontane për të shprehur mospranimin e së keqes, ose buron nga thelbi i sjelljes, manive apo veseve, të ndryshme nga e zakonshmja, por që ata nuk përpiqen t’i fshehin, as t’i ndryshojnë, se janë të bindur që janë vetja e tyre dhe janë të bindur në mënyrë të pandreqshme se kështu i kundërvihen majmunërisë së përgjithshme, falsitetit dhe zhbërjes. …Tek Dështaku, gjithashtu heroin e qëllojnë për vdekje, se nuk i rri goja pa thënë të vërtetën as para njerëzve të fuqishëm të shtetit, po autori nuk e sqaron nëse vdes apo jo. Edhe Dane Gajtanin e rrasin në burg (kjo është më e fortë se vrasja pas shpine e rivalit pesonal), tani si kundërshtar i pushtetit socialist. Si ndodhi që po ai njeri i dashuruar marrëzisht pas tokës, pas së bukurës, së resë dhe, doemos lirisë; ai patriot i themeltë, me të cilin Memoja disa dekada më parë kishte qenë aq i duruar, aq i mençur dhe e kishte çmuar si asnjeri deri atëherë, vetëm që ta bënte për vete (Rrapo Tabani ishte gati të jepte jetën për ta mbrojtur); pra si u kthye ky në armik? Me Cute Babulen ndodh edhe më keq, ai shpallet armik, i burgoset libri në gjallje dhe i digjet pas vdekjes. Duket se këto janë pyetjet e mëdha që shtron Dritëro Agolli me tërë veprën e vet dhe jo vetëm në prozën e viteve të fundit. Mundja, moskuptimi e mosndjekja nga të tjerët është fati i të gjithë idealistëve. Tek Arka e djallit kjo është edhe më e hidhur se në dy të parat, megjithëse sfidohet nga shkumëzimi i gëzimit dhe e qeshura ngjitëse e Cutes. Ky nuk lë as fëmijë pas, qoftë edhe në bark të së ëmës apo të sapoadoptuar si heronjtë e dy romaneve të tjerë. Por ai lë trashëgimi të një lloji të veçantë: edhe histori (kujtesë), edhe art, edhe folklor, edhe kritikë, edhe denoncim e akuzë, e vërtetë puro, nga ato të vërteta që as toka nuk i tret, por edhe goja nuk i flet. Pastaj është e natyrshme që të kthehet nga vdekja për të vënë në vend të drejtën, por jo që të hakmerret si një shpirt i ankthshëm, si nga ferri i ndërgjegjes së përdhunuar, si një përçartje deliri, të cilin mund ta takosh vetëm në seanca spiritualizmi, me tmerrin e qëllimit shfarosës të fuqive të tejjetës.
[Natasha Lushaj]
No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.