E do t’i them Tanushës… nga Namik Selmani

Namik Selmani

E do t’i them Tanushes

E do t’i them Tanushës
Që t’i zërë krojet e të nxjerrë vetëm qumësht të bardhë 
Të gjithë gurët
T’i bëjë themele për kullat nga hasmi rrëzuar
E do t’i them
Të sjellë shi për barin e livadheve ku presin kostarë
E t’u thotë djemve e nuseve
Të bëjnë më shumë djem për kuvendet e munguar

E do t’i them Tanushës 
Pikë për pikë të mbjellë kudo të tjera bukuri 
E do i lutem 
Të më sjellë ca kapronj të bukur në drurët mes llohës.
Fjala mos më ngectë
Pa ia thënë dorëzaninë sofrave të burrave që dashkan urti
Sëpatat
mos të ndryshken kur ta bëjmë shqiponjën në djepin e foshnjës.

E do t’i them Tanushës
… Të mos ia këputë kurrë telat lahutës së pragut
E për tupanët
Lëkurët më të mira të kecave të zgjedhë nëpër stane 
O Tanushë qerpikbukur
Kalle zezonën që nxin kuqëlimën e bajrakut 
Shitoje 
Atë që më merr plisin e bardhë të një kohe habertare.

E do t’i them Tanushës…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.