EMRIN TEND ME YJET nga Sinan Kërpaçi

Sinan Kërpaçi

EMRIN TEND ME YJET

-dhuratë gruas për ditëlindje-

Unë,
studjues i yjeve sikur të isha
dhe fati pak me mua
në aventurën time
galaktikat vetë i dytë
do t’i bridhja,
pa shkelur me këmbë
nuk do lija
asnjë vend
dhe në ballin e yllit
më të ndritshëm
do të shkruaja:
LINDITA!

PANAIRI I VDEKJES

Sot isha në Panairin e Vdekjes dhe takova jetën,
përcolla një të vdekur e preka duart me shumë të gjallë,
njëzetepesë vjet – çerek shekulli pa i parë;
shumë vite janë, shumë, me një këmbë në tokë
dhe tjetrën në Diktaturë me moshë sa gjysma e të parës.

S’kam forcë të nxjerr nga goja për veshët:
me një këmbë në varr dhe tjetrën në të gjallë!
Në të gjallë që vdesin përditë dhe mua më duhet
të kaloj dorë më dorë një lopatë me pak dhe’
për atë që jep shpirt në Diktaturën e Re.

Të parin e Diktaturës së Madhe ma mori vdekja,
nuk ma vranë:
vdiq me një vdekje natyrale me mua pranë, te koka.
Me këto duar dhe ata lot Komandantin e varrosa!

Këta, të mëdhenjtë e 25 vjetve ndryshojnë,
më rrinë mua, mua me lopatë te gropa sa të më mbulojnë
dhe të vazhdojnë në të tyre:
të hanë Atdheun qe s’e kanë, brenda dhe jashtë kufijve.

DY RRUGË I BËJ ME HAP

Bëj këmbë nga Biblioteka Kombëtare të takoj miqtë,
e kam të gdhendur dukshëm mu në ballë:
nuk jam gardian në burg dhe as në liri.

Ma lexo të gdhendurën ku bie dielli së pari
dhe eja ta pimë të munguarën “për dy”.

Sot nuk jam në burg, por as mungesë e tij.
Kur i hedh hapat në rrugën “Biblioteka Kombëtare”
i hedh edhe në një korridor shtatëdhjetë metër të gjatë.
Dhe hekura, dhe blind, dhe tela me gjemba,
dhe libra të vjetra sa bota në raft.

Shokë kam atje ku do ta pi kafen sot,
shokë kam dhe tek e piva të hidhurën dje,
se janë dy rrugë që unë i mat me hap:
njëra me korridorin shtatëdhjetë metër të gjatë
dhe tjetra me rafte biblioteke.

Pasi flas me të gjithë ata që takoj
më duhet dhe ca kohë të flas me vete.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.