EPOPE, 2 nga Durim Çaça

Durim Çaça

EPOPE, 2

reja valëvitëse, si prej tymi të gjelbër, e bisqeve,
dhe bulbeve të reja të shelgjeve në Materë*
mes shkëlqimit të vesës së hollë e dritës
si një vajzë e re që vallëzon vallen e flakëve
vallen e yjeve e të luleve në erë.

e deti që vizëllon tej si një shpatë
pas mishnajës së errët të njerëzve në verë

dua t’ndjek tër’ jetën mallin e parë
seç nga t’gjith’ t’gjallshmët, bimët, arkitekturat, shkëmbijtë
vetëm njeriu nuk mplaket.

vuajtja, mundimi, skrupulli, afshi
ana e prapme dhe e fshehtë e kohës
uragani që skalit oqeanin.

bre, aureola e asgjës’ absolute e hyjnore
si një klip i muzikës kauntri e suing

e drenushat e verdha t’mrekullueshme në maj
me brirë kafë të çelët të Kadiksit*

ah, t’ndjekësh gjersa t’jesh flakën e rinis’ së parë
nga të gjith’ t’gjallshmët, bimët, arkitekturat, shkëmbijtë
vetëm njeriu nuk mplaket

o jetë që je themeli i fort’ i botës
me kolonadat e kapitelet e saj të erës
që bashkojnë hënën me lotusin

me një ngazëllim t’ngjashëm me padurimin
çoj mendjen tek arat e mbjella me çaj, teksa
nën këmbët e mia shkrydhet dheu i njom’ i agimit

paj, Ballkani, -visi i trishtë i pasdites
përjetësisht,-si tegeli i një plage të vjetër
për posht’ tëmthit me flokët e thinjtë

e shalli i zi i mëndafsht’ i heshtjes së natës
që bie mbi dy luleshtrydhet e thimtheve të gjinjve
të dallgëshëm të së dashurës

dua t’ndjek tër’ jetën ashkun e parë
seç nga t’gjith’ t’gjallshmët, bimët, arkitekturat, shkëmbijtë
vetëm njeriu nuk mplaket…

Shënim:
*Materë,-fshat në Ishëm të Durrësit,
*Kadiks, – qytet në Spanjë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.