ETERIKE nga Erina Çoku

Erina Çoku

ETERIKE

Sot asht nji ditë e hollueme,
ditë e brishtë,
si landa n’ujë,
si landa e terhjekme fort,
si landa e tyltë mes synit e botës.

Sot asht nji ditë e hollueme
dhe njerzit janë të hollë
hollakë
gjatohen s’epërmi,
t’largtë e t’thyeshëm
si andrra me hije.

Sot asht nji ditë e hollueme,
ditë e brishtë,
bota bahet e thjeshtë
kur unë e shof,
kur unë e ndij,
kur unë terem mbi tè.

Sot asht nji ditë e hollueme
ksaj bote t’hollueme
si ndodh e hollueme
n’qelizat e mia t’holla
me landë t’hollueme.

Drita bjen e hollë
ksaj bote
t’fijezueme
t’landueme
t’hollueme
hollë, hollë, hollë.

Dhe kockat e mia
t’holla,
dhe eshtrat e mia
t’ tejpashme,
dhe krejt arkitektura ime
larëzue me dritë
kallzon
një palcë t’hollueme
si fijezohet
prej qielli n’tokë
e prej toke n’qiell
për dritë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.