MIRËMËNGJES BOTË E BUKUR  nga Bledi Ylli

Bledi Ylli

DO TË IKI, POR…

E dashur do të iki, por
ti mos mbaj mëri të kota.
Nuk do ketë më tonat, orë
Edhe pa ne do të jetë bota.

Do të iki e dashur, por
mos rri mbështetur në dritare
E përlotur t’ma bësh me dorë
Në mundsh mos më shih fare!

Do të iki e dashur, them
Ti ngriji sytë edhe shikomë.
Po munde lexomë si një poemë
Edhe në mundsh, në mundsh ndalomë.

E dashur do të ik’, nxituar
Thuaj një fjalë dreqi e marr-të
Ngri një mur për t’më ndaluar
Do t’a quaj, muri i artë !

Po iki e dashur me dilemë
Dëshira, frikë bëhet për mua
Sepse thjeshtë ajo që them
S’është vërtetë ajo që dua!

MIRËMËNGJES BOTË E BUKUR 

Mësova shpirtin të të gjurmonte
Rendte pas teje gjithë ngazëllim.
Çdo ditë më larg nga mua shkonte
Teksa ti bëheshe , shpirti im…

TA THASHË

Ta thash njëherë, t’a thash dhe dy
Ja po ta them dhe për të tretën…
Guxo, të shohësh çdokënd në sy
Edhe të thuash të vërtetën

MBI DHIMBJEN

S’ dimë ç’ta bëjmë dhimbjen në shpirt
E mbajmë brenda, zë na mbyt.
Edhe bëhet lot i hirtë, 
që pa zhurmë vërshon nga sytë!

Bëjmë t’ia themi dikujt tjetër
E na duket sikur del.
Por ç’të bëj një më pak metër,
në një dhimbje sa një qiell?

E kështu rreshtohen dhimbjet
Ne mësohemi me ‘to.
Ikin ditët, muajt, vitet
Zbutet zemra, dhimbja jo!

FJALËT E BUKURA

Dikur, fjalë të bukura. Të bukura sa më s’bëhet
Ditët e dikurshme, shumëngjyrëshe si pikturë.
Ç’të kujtoj për puthjet që dhe natyra dehej
Mbyllet një kapitull më pas i thonë ” dikur”!

Puthjet e atëhershme nuk janë më tani,
Megjithatë kujtoj, sesi rrënqethnin mishin
Puthjet e atëhershme nuk janë dashuri,
…, ishin!

Gjithmonë na mbyt e ardhmja, duke e menduar
Por ka dhe të kaluara që s’na lenë të ecim,
Çdo kujtim i bukur që vjen nga kohë e shkuar
…, na bënë të ngecim!

Por dhe pa kujtime, çdo të ish’ njeriu
E gjithë ajo që jemi, është ç’kemi jetuar,
Kur kujtoj buzët, flokët, frymën tënde,
Isha them…, jam dhe do të jem i dashuruar!

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.