FLAS PËR VETEN nga Sokrat Habilaj

Sokrat Habilaj

FLAS PËR VETEN

Shpesh kur iki nëpër darka e pritje,
Ku ndrijnë gotat, shandanët, gratë.
E lë vetëm nënën, ulur në karrige,
Si tufë reshë me një kollë të thatë.

Sa herë unë iki larg, në ca dashuri,
Që kockën po ma bëjnë të mishtë.
Druhem se një imazh, thuajse gri,
Mes dekolteve do ishte aq i trishtë.

E ndërsa e kthej dhe ndonjë gotë,
Poet bëhem, a ndoshta dhe murg.
Një varg të vjetër, përtyp si idiot:
-Më mirë të kish lindur një trung.

Sonte po ndihem, mbytur në malle,
A lot që aty brenda askush s’i njeh.
Të tjerët, më keq harbojnë në valle,
Gotat trokasin:- Po qan se u deh!

As nuk u deha, as pija u bë shtysë,
Kam një tjetër shkak të jem me faj.
Që tavolinën se kthej dot përmbys,
Deri sa s’shoh nënën në krye të saj.

I NDARË NË PJESË

Vjen një kohë që ndihem mangët,
Ata që ikën nën dhè, morën pjesë.
Pjesë të tjera, m’i morën të gjallët,
Ndërsa endem, thjesht si mungesë.

Ndërsa kthyer, në gjysmë heshtje,
Them:-E kot të flas me të vdekur!
A për pjesët që më morën me vete,
Më mirë pyes për pjesën e mbetur.

Ndoshta jam i gjallë edhe në copa,
A ndoshta më flisni, si të jem i tëri.
Ndoshta me mua, u shtohet lodhja,
E pastaj më shani, sa ju meket zëri.

Ndoshta emrin tim, se kujtoni më,
S’kujtoni faktin, se kishit të gjallin.
Mos ngrini supet, nëse pyes për të,
Po më tregoni, ku ma bëtë varrin?!

SHKRUAR NË ETER

Mos u trishto, pse s’shkruaj si të tjerët,
E si pa kuptim qesh, si pa kuptim qaj.
Shpesh vdekjen ofroj pranë, më herët,
Pastaj me jetën eci më tej, matanë saj.

Ngrihem nga varri e emrin vë mbi gur,
Dhe vdekjen e përshëndes si zbavitje.
Se ne që edhe kur jetuam, bëmë sikur,
Sikur, kemi për të bërë edhe në ikje.

Mos u trishto, ndërsa tek ai gur do vish,
Dhe nuk do t’i gjesh germat e thjeshta.
Nëse asnjëherë, jeta ime, imja nuk ish’,
Pse duhet vallë, të jetë e imja vdekja!?

TANI QË MËSOVA…

Tani që kam mësuar se poezia, më tepër,
Është grua e trishtë, e zhytur në mjegull.
Mos duhet të mendoj qoftë edhe në letër,
Se ikona pa fund grash më rrinë pezull!?

Tani që mësova se mua, gjithmonë vargu,
S’më shqitet nga vetja pa marrë një trofe.
Mos duhet të mendoj se më tutje, së paku,
Diçka do më mungoj, po ty do ta fsheh!?

Tani që mësova se kur unë hedh një rimë,
Sikur po kërkoj shtigje të tjera në rreshta.
Mos duhet ta mendoj vargun, pa kuptim,
Që s’më lë të vij tek ty, udhëve të vjetra!?

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.