FLUTUROJ E LIRË nga Mimoza Ahmeti

Mimoza Ahmeti

FLUTUROJ E LIRË

Nuk më besohet…çudi…
Në pikën e nisjes
Ndodhem përsëri.
Njësoj…mendon dhe…ai.

Nuk e kanë thënë më kot
Por unë besova ëndrrën
Tani që po derdh lot
Nuk dëgjoj dot as këngën..

Nuk i shkëputa prangat
Për t’u burgosur më ndryshe.
Fluturoj e lirë.
Si një dallandyshe.

KLITHMA IME

Unë do të vdes,
më kot lutesh të zgohem nën këtë hark të kuq të perëndimit
ku pisha digjen,
e kotë t’i ngjallësh akrepat e mugët të ndjenjës në këtë orë.
Sepse kam rënë, kam rënë prej kohësh,
E madhe, me zhurmë, e vrarë kam rënë,
me një plagë të kuqe që e shihja vetëm unë.
Oh, me zhurmë, me shumë zhurmë kam rënë,
e pakallur kam rënë,
mbi këtë tokë kam rënë.

Dhe askush s’e pa ku ra ulërima ime,
askush s’e dëgjoi,
askush nuk e di ku endet tani ajo,
ku ulurin ulurima ime.
Të kam pranë rini e freskët,
tendencioze, plot muskuj.
E shoh dorën tënde të zgjatur përmbi trupin tim,
dorën tënde të fortë, dorën tënde të lutur,
dhe buzët e tua shpirtndjellëse i prek e i dëgjoj me zemër.
Por… unë kam rënë, unë po shuhem ngadalë,
nën peshën e trupit tim që po ftohet
të gjakut itm që po ngrin në deje,
ndërsa klithma ime shtegeton e leht,
dhe vetëm për të bëhem merak unë,
ndërsa vdes.
Ju a e dëgjoni?

ÇMENDINA ME PORTË HAPUR

Po ikni, po na lini,
duke menduar; “Përgjithmonë”,
Nga ky dhe që ishte juaji, joni,
që është çmendina jonë.
Çmendina jonë e dashur, mallëngjyese
me kafkat shqyese.

O të çmendurit e mi të shtrenjtë,
sa ju dua,
megjithëse kurrë s’ju flas,
megjithëse kurrë s’më flisni
dhe dot s’ju duroj
dhe dot s’më duroni.
Por ky është rit:
ne nuk e shohim në sy njeri-tjetrin
për pa urryer,
dhe ky është shkak
për t’u dashur gjer në çmendim,
duke buzëqeshur ekzaltisht,
ndërsa në faqe
lotët na rjedhin,
lotët.

Bashkëvuajtës të mi
që ikni mërgueshëm,
të çmendinës sonë unikale,
me sy të fiksuar
pas një ideje të vetme,
oh, vetëm pas një ideje të vetme,
që askurrë s’u pa, s’u gjend askund
dhe s’di ndonjëherë në ka për t’u gjetur.

Shpërndahuni, ikni, tretuni.
Vend më vend shtet më shtet…
Oh, çfarë piskame pisket
nga çmendina jonë
në orën e vonë të perëndimit,
kur malli e merr për bijtë në Perëndim…

Ç’trishtim!
Mure të rrjepur… Mure që gjithmonë
kufizojnë horizontin
për të lënë një qiell pa fund përsipër.

Aty pas mesnate dënesjet mbarojnë,
dikush me vete po flet:
Sidoqoftë shqiptarit,
kudo që të ndodhet,
i mjafton marrëzia e vet…

ËSHTË ÇUDI KUR JE FEMËR

Mua tani më vjen për të qarë. Më duket sikur
shkarkesa yjesh më janë grumbulluar të sytë.
Dot nuk duroj,
ndërsa çengelat e nervave ndërsa tërhiqen
kundrejt njeri-tjetrit.
Kangur me foshnjën në xhep
duket figura ime së largu
këtu në bregdet.
Më vjen për të qarë. Jam bërë barrë.
Me siguri molusqet e buta tani
lëvizin kapakët e fortë brenda ujit
dhe kandilët e kuq
kushedi ç’udhëtim të mahnitshëm
kanë marrë
Është çudi kur je femër…
E keni parë natyrën kur tmerrohet, fryn
e shkatërron!
Kur si përbindësh shkrifëron gërmadhat
e mohimit…
Pastaj, kur pastaj, e lehtë dhe e trandur,
me sytë e mëdhenj plot hije
pret një vazhdim, një lindje fëmije
buzë detit ku i vjen për të qarë, për të qarë,
ngaqë se si është, është me barrë.
Në ato orë të ditës kur molusqet e buta
hapin kapaket ë fortë brenda ujit
dhe kandilët e kuq
kushedi ç’udhëtim të mahnitshëm kanë marrë

DIKUSHI

Gjyshi im nga babai kish banuar në fshat
Ishte kryeplak
dhe ishte dikushi.
Gjyshja ime nga mamaje
gatuante mirë si për mbret
dhe ishte dikushi.
gjyshi im nga mamaja
e kaloi jetën në burg
dhe ishte dikushi.
komshia ime
e mban shtëpinë pastër si pasqyrë
dhe është dikushi.
dikushi
na ishte një ditë president
dhe tani është askushi.

ISHTE NJË RRUGË

Ishte një rrugë ku vazhdimisht kaloje,
ti, e dashur,
ti, e bukur,
ti, ekstravagantja ime,
e të tjerëve, ekstravagante,
e sharë, e poshtëruar, e komplimentuar,
si historia e një pikture të çmuar.

Dhe s’dije as vete përse
të iknin flokët në liri,
ndërsa këmbët të shkelnin në morg
të dashurive kufomoide,
që gjithsesi patën mani
t’i ekzaminonin gojët e qytetit.

Tani nuk je,
tani nuk ecën më në rrugën që nemitet,
as hapi yt,
as trupi yt i madh,
as goja jote me mpiksje
neverie dhe pakënaqësie.

Aty është rruga, aty,
dhe morgu yt i shpërbërë…
Kufomat e të dashurave të flakura
nëpër bordurat e plakura.
Tani andej kur kaloj
mungesën e madhe të orbitës sate ndjej,
dhe jap përshendetje skematikisht
me ftohtesinë e një kartoni
të cilin e respektojnë për ty.

Për ty, e dashur,
për ty, e sharë,
për ty, e poshtëruar,
si historia e pikturës
më të çmuar.

FIKJE

Ti kaltërim ke qenë dikur. U erre.
Nuk e kupton çfarë do të thotë kjo?
Kujto se si vërsulej rrezja ime
shigjetë drejt qiellit tënd.
Kujto.
Kënaqësi e sigurisë të erri.
Tani shpotit të tjerët, duarxhep.

Po buzagazin aq krenar të paqes
përse fytyra jote më s’e jep?

Si paralajm në ato mbrëmje prilli
me heshtje plumbi ma prisje çdo fjalë.
Ti kaltërim, ti egoist i kaltër,
m’u fike në duar ngadalë.

DELIRIUM

I thyer, i errët, i vrertë
qëndroj dritë lëshoj,
mjaltë rrejdh nga vrujet e mija
e thyer në pikën më të dobët
të të mbeturit vetëm
që askujt s’i sjell dëm,
por mua më mbaron
prej dhimbjesh
që kullojnë ëmbëlsi
gjaku të shtypur
në vetmi.

Oh, gjeniale është kjo gjendje
kur ndërsa kuptoj që gjithçka kam humbur
lumturinë e pafundme ndjej
të qenies sime
që e kam në dorë,
atë,
që s’mund të ma dhurojë
asnjë lavdi, kurorë.

Lavdi! Ç’është kjo fjalë
nga mbërriti tek unë,
si ka dalë ?
(Me siguri ndonjë ambicion i dobët
i panatyrë.)
Kthehem nga kthehem nga natyra mbërrij
qëndroj, dua të gjykoj,
prap tërhiqem.
Kaq i bukur dhe njëhershëm i vdekshëm
njeri.
Kaq i zemërt dhe prap i vetmuar.
Kaq fuqi dhe po aq dyshim

Oh, padyshim,
shtjella inerte rilevon në ikje
çdo absolut relativ papritur.
Vetëm bukuria, ajo ka të drejtë
të pretendojë.

Përse ikni prej meje krijesa reale?
Në një përshkrim të ikshëm e sotmja
në të djeshme ndërroi
aq shpejt sa dot s’e konceptova
(thua ka jetë pa konceptim).
Dëshira uritet për një të nesërme
që nuk është imja.

Përse ikni prej meje krijesa reale?
jetoj një jetë sendesh gjithmonë të paqenë
dhe vetëm vetveten e kam në duar…
Oh, nuk ka lumturi si kjo,
por as pikëllim si ky s’mund të ketë.

ARMIKU

Armiku im,
shpeshherë më fyeve në mënyrën më të dobët,
shpeshherë të fyeva në mënyrën më të cekët,
armiku im.
E ç’do të ish jeta ime pa ty
dhe e jotja pa mua?
Askush s’mund ta dijë.
(kur kushtëzimi mbaron
qënia zhduket)
Armik.Armiku im. Prej teje rash në gjurmë dhe përfitim
të asaj që kërkoja,
prej teje gjallëroji jeta ime, u zgjua,
u përbetua,
dhe ngashëreu,
kur vrasja shpirtat ngërtheu.
oh, në të vërtetë ti je dashuria
dhe urrejtja ime,
armiku im.
Pikërisht ato,
që ne zhvleftësuam
ndërsa rrugës ecëm,
që asnjëherë s’i ditëm,
s’i llogaritëm,
TURMAT,
që inerte derdhen
dhe frymë marrin
me injorim,
lanë pasojë
mbi shpirtin tënd
mbi shpirtin tim.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.