PSE KAQ SHUMË ANTITEZA nga Vullnet Mato

Vullnet Mato

PSE KAQ SHUMË ANTITEZA

Pse ku janë për t’u bërë shumë punë,
shteti ka shumë të varfër e të papunë?

Pse ku ka bakër, krom, hekurnikel,
ka më shumë parazitë dhe dembelë?

Pse ku ka shumë intelektual të shquar,
drejtojnë servilë dhe të pashkolluar?

Pse ku duhen njerëz me botëkuptim të ri,
kuadrot e kohës së shkuar, marrin fuqi?

Pse ku ekonomia, ka rreshqitur në batak,
të korruptuari vjedhin çdo qindarkë?…

Pse ku ka nevojë për drejtësi njerëzore,
juristët bëjnë çdo padrejtësi shoqërore?

Pse ku për nderin e femrës kriste pushka,
dalin jashtë shtetit më shumë prostituta?

Pse ku talentet lindin, si yje të dritës,
qeveritë sillen mizorisht me artistët?

Pse ku ka dy dete nuk pushojnë pensionistë,
po rrogat e larta dhe pensionistët turistë?…

Pse ku njeriu ka tapi me pronë të trashëguar,
ka mbetur prej vitesh lypsar me letra në duar?…

Pse jetojmë me kaq shumë antiteza,
me fare pak të bardha e shumë të zeza?…

FOLI SHKOQUR NJË I PAPUNË

Teksa pinim kafe në klub, ditën e shtunë,
në televizor çirrej duke premtuar pushtetari.
Aty pranë meje ndodhej një burrë i papunë,
që mori pultin, pastroi ekranin nga zyrtari.

Mos je simpatizant me të djathtën?- e pyeta.
Ai më tregoi duart dhe vrenjtur shikoi nga unë:
-S’jam me asnjë, përderisa këto dy të shkreta,
të majtën e të djathtën, m’i kanë lënë pa punë;

Politikanët zëvendësojnë militantët e tjerë,
sa herë këmbejnë kolltukët me njeri-tjetrin.
Ne pas votimit të blerë, mbetemi më të mjerë,
si të rinjtë e shkolluar, ashtu edhe të vjetrit.

Dhe kështu ne mbajmë zorrët shtrënguar,
si kafshët, që presin derisa të jeshilojë silazhi,
hamë ma lista, nëpër dyqane regjistruar,
t’i shlyejmë me kanaçe dhe letra ambalazhi.

Ne gdhihemi nëpër baraka me blloqe betoni,
ata flenë vilave e shkollojnë fëmijët në Itali.
Kur ne hamë plëndësa e supë me lëng rigoni,
pushtetarët hanë viça të njomë e keca kërthi.

Dhe pse jemi larg, jetës së tyre, mes lulesh,
kemi të gjithë popullin me vete, thonë ata!…
Mbase, kur bëjmë pordhë, me gazra fasulesh,
pushtetarët kujtojnë se duartrokasim për ta…

GABEL GURAZIU

Gabeli me mustaqet dy pëllëmbë e ca,
me një bark të rrumbullt, si fuçi birrash,
ka pranë dy dashnore me sisë të mëdha,
ka xhepa të ënjtur, me para vjetërsirash.

Gabeli bllokon klubin, ku këndon tallava,
dhe vë përpara qengjin të pjekur në tavë.
Hedh për kamerierin bakshish në tabaka,
aq sa i paguan pronari punën për një javë.

Kur më pikasi mua, që më ka komshi,
u gajas së qeshuri, me zërin e çjerrë:
“Çoi nga unë një birrë, atij robit aty!”…
urdhëroi kamerierin me ton të prerë;

Dhe tha: ”Kam gjynah për atë rob zoti,
se mban dritën çelur, deri në saba,
bën libra në vapë, e kur të than i ftohti,
dhe e paguajnë të hajë supë, si kalama!”

U ndjeva aq keq, sa desha ta lë klubin…
Por dashnorja e dehur, më zërin si zuzar:
më tha: Pije birrën, o Aga, se ta heq turpin,
ta shtyp kokën mes sisëve, si kokërr arrë!…

Më ngeci në fyt birra e gabelit milioner,
dhe u betova, për profetët e shenjtëruar,
në klubin e lagjes, nuk hy më tjetër herë,
ta kem dhe kokën, prej asaj të shpëtuar!…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.