FRYMË – RE E BARDHË nga Entela Kasi

Entela Kasi

FRYMË – RE E BARDHË

Shkund pemë që bien në pragun tënd,
Gur i mullirit i shtron sofrën dhimbjes,
E sot më kthehesh flokëbardhë, me sytë si nata 
Yll që më rrëfen udhën e gdhendur në gjurmë plagësh
Kur zgjatet n’pafundësi durimi
Oh grua e bukur,
Ëndërr e pamat, vezulluese
Si gurët e bardhë të lumit në zallin e vetmuar mbushur me ne
Fëmijët e rrëmbyer nga koha
Në procesion thikash që presin në të dy krahët pas shpine
Drejt e në asht,
në themel oshtin toka
Pemët e gjymtuara e drurët cung
Bibliotekat e djegura,
e hiri i librave
Luleborat e zbardhën kokën tënde prej gruaje
endur pezull endesh flutur
Më kthehesh sot në këtë varg
Fjala e pashkruar,
fjetur në gjumin tim prej vitesh
Dashuria dhe shpresa…
Vala e liqenit tënd në ag,
zbardh , zbardh, zbardh,
E nata tretet si argjend për të gdhendur fjalët
Në letra drurësh që gjelbërojnë sot
Fushën e rrafshët, tokën buzë bregu
Ku shëtit e më vjen nga lart,
Sall këtu ku jam,
Në pik të ëndrrës,
gjuhës sonë të vjetër
N’ amshim t’ pasosun
asaj bote të fshehtë
E bukura ime,
E vetme
E hyn në librin tim pa mua
E bëhesh unë,
E jemi
Fëmijët e dikurshëm të burimit,
Lumi që nis prej një pike të vetme

E fryma, – re e bardhë
derdhet…

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.