FURLLIZA E KOHËS nga Nikolle Loka

Nikolle Loka

1.
Furlliza e kohës

Frulliza kohe
bien mbi prush,
ndër tallaze ere 
majë lisash koloviten,
jeta është një sfidë,
udhëtim marramendës,
zik-zake,
ulje-ngritje.

Jetë është një çast,
çdo çast që arratiset,
deri te një vijë në perëndim…
Kur e kapërcen muzgun,
flaka niset,
drejt agut lakmitar
që e zbardh
atë qiellin gri.

2.
Mbi një urë

Hypur mbi një urë
që s’të nxjerr më përtej,
në udhën 
që s’të çon as s’të kthen,
sipër ujit
që s’ të merr e s’të lë,
në urë, përjetësisht atje,
e kroj rrjedh më përtej…

Sheh krojet
që u thanë dikur,
mbi lumin
që ik e s’të pret,
andej nga dritëson një shteg,
këndej dhe andej,
mbi një urë
që s’të nxjerr dot në breg.

3.
Andrra

Andrra e mbetun në shi,
tri ditë e net
pa pra,
tri ditë e net pa lind,
në pranverë
kur të dalë gjethi i ri,
do të mbijë nan ullinj.

Andrra e mbetun në hije,
tri ditë e netë pa pra,
tri ditë e netë pa lind,
në vjeshtë
kur të bjerë gjethi i vjetër,
do të kthehet në syth,
e të sjellë një gjeth tjetër.

Andrra e mbetun në diell,
tri ditë e net pa pra,
tri ditë e net pa lind,
do t’i sjellë
shpirtit tand atë frymëzim,
që përtërin,
e ngjall jetën.

4
Hajt pra!

Hajt pra,
u nis me ardhë te na edhe nji andërr,
dielli i rrxon rrezet përgjysë,
në gjysë të rrugës nji perde qielli
u kthye përmbys…

Hajt pra,
në anën tjetër rrin e djeshmja,
me ne takohet te nji urë,
po të ketë dritë në bregun tjetër,
ai kapërcim
na ngjan si aventurë.

Hajt pra,
u nis me ardhë te na edhe nji andërr
e na iu kthyem me fytyrë,
po të na bie n’sy nji rreze dielli,
na nji amshim,
mbramjes ia falim me dëshirë.

Hajt pra,
u nis me ardhë te na edhe nji mbramje!

5.
Hija e Skënderbeut

Prej shekullit në shekull,
herë natë,
herë ditë me mjegull, 
s’luftohej më me shpatë,
kishim flakur heshtën,
beteja kryesore po bëhej me vetveten,
prej nga vijmë,
a jemi arbër!

Luftohej në dy fronte përnjëherë,
me sulltanë të rinj e të vjetër,
me Ballabanë të gjallë e të vdekur.

Prej shekullit në shekull,
pamja e Skënderbeut hijerëndë,
arbërisht po e zotëron
shekullin e njëzet e njëtë.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.