Gjergj Elez Alia( Cikli i Kreshnikeve)

Eposi i Kreshnikve

Gjergj Elez Alia( Cikli i Kreshnikeve)

Trim mbi trima ay Gjergj Elez Alija!
Qe nand’ vjet nand’ varra në shtat m’i ka!
Veç nji motër nat’ e ditë te kryet,
Ja lan varrat me ujt e gurrës nandvjeçe,
Ja lan varrat me ata lott e syve,
Ja terë gjakun me ata flokët e ballit,
Shtatin vllaut ja shtërngon m’ruba të nanës,
N’petka t’babës trupin ja hijeshon,
Armët e brezit ja rendon mbi krye!
Sa herë trupin motra p’e tërnueke,
Dhimbn e varrëve vllau krejt e harrueke,
Dhimba e motrës dekun n’tokë e lëshueke!
 dalë zani e paska marrun dhenë,
Se ‘i baloz i zi â dalë prej detit.
Trim i prapët e belagji qi ish’ kanë,
Ja ki’ qitun dheut nji rreng të randë:
“Tim për tim kah nji dash të pjekun,
Tim për tim kah nji vashë me ja djergun,
Ditë me ditë kah nji kreshnik me premun,
Javë për javë kah nji krahinë me djegun!
”Edhe Gjergjit rendi te i ka ardhë,
Me lot faqet trimit m’iu kanë mbushë.
Erzi i shpisë qysh lshohet n’dorë t’balozit?!
Ja ka nisë e motra e po bërtet,
Krejt me lot Gjergjin p’e loton:
– Po qysh mordja, o vlla, me na harrue?
Nanë e tatë kah kalben për nan bli,
Trupi i vllaut vorrue qe nandë vjet në shpi,
Trupi i motrës n’dorë t’balozit t’zi?!
Qysh s’u shemka kulla me na xanë,
Qysh s’u kthyeka shpija n’nji muranë,
Me t’pshtue erzin, mori e zeza nanë!
Dy copësh zemra djalit iu ka da,
Dy sytë në ballë motrës ja ka lshue,
Dy rigë lot për faqe te i kanë shkue.
Dy fjalë kullës djali ja ka fjakrue:
– He, ju u nxisha, mori sarajet e mija,
Me lymashk u mbloshi n’fund e n’krye,
Brevë e gjarpën paçi motër e vlla,
Pikët ndër shtroje kaq shpejt qysh m’i lshuet?!
– Jo, more vlla, lum motra, i ka përgjegjë,
T’ka lodhë jermi e s’po di ç’je kah folë;
Se përjashta shi nuk asht tuj ra,
Sytë e motrës po t’pikojnë, more vlla!
Qatherë Gjergji dorën ja ka shtërngue,
Mirë po e limon me ato duert e shtatit,
Mirë po e kqyrë me ata dy sytë e mallit!
Kurr ma thekshim djali s’i ka folë:
– Amanet, mori motër, pse po kan?
Zemrën dysh, mori motër, pse ma dan?
Qe nandë vjet, qi trupi â tu m’u kalbë,
Gjergji i yt tjetër pushim nuk ka,
Veç si gjethi i ahit n’log t’shullanit.
A thue s’pate me ngranë e me pi?
A t’la keq ty vllau për veshë e mbathë?
A mos t’u randue, ndoiherë, me fjalë,
Motërzezës vllau me iu mërzitë,
Huj për burrë ndoshta qi me t’ra?
Sa mirë motra vllaut po m’i përgjegjë,
Dorën e vllaut tu balli e paska vndue:
– Amanet ku je, mori njomzëja e ahit,
Po a kaq fort, thue, jermi t’ka ngushtue?
Hisha gjallë në dhe, n’t’u martue motra!
Mjaft kam pasë, o vlla, me ngranë, me pi,
Mjaft kam pasë me veshë edhe me mbathë,
Kurr ma randë se sot ti folë nu’ m’ke!
Tjetër babë nuk kam, as tjetër nanë,
Amanet, more vlla, mos me m’pasë randë,
Për nji dert qi sot po due me t’kajtë!
Qysh s’u njom ky shtat qe nandë prendvera!
Si s’u mkamb ky trup me dalë tu dera!
Si s’u tha kjo motër, thafta-e vera.
Po un balozit qysh i shkoj tu dera?
Braf në kambë por djali konka çue.
– T’e marrsh gjogun, motër, të mejdanit,
Fill n’gjytet me te, motër, të m’bijsh
E t’më shkojsh tu nallbanprobatini!
“Falëmeshndet, thuj Gjergji të ka çue,
Me ma mbathë me patkoj prej tumakut,
Me m’ja shti thumbat prej çelikut,
Se n’mejdan balozit due me i dalë!”
S’u gjegj gjogun vllathi me ta mbathë,
Hypi atit, bjeri n’derë jaranit.
E në sheher çika konka ra
Edhe â shkue tu nallbanprobatini.
– Puna e mbarë të kjoftë, more kumbar!
– Të mbarë paç, ti mori vasha e largë!
– Falëmeshndet ty Gjergji të ka çue,
Me ma mbathun gjogun mirë e mirë,
Me ma vndue patkojto prej tumakut,
Me m’ja shti thumbat prej çelikut,
Se n’mejdan balozit due me i dalë!
Mbrapshtë po folë aj nallbanprobatini:
– Për n’m’i falsh, moj vashë, dy sytë e ballit,
Ta kam pshtue vlla-Gjergjin prej mejdanit,
E baj gjokun me fjurue si era!
Se me idhnim çika e kite marrë!
– Ç’je kah thue, bre burrë, goja t’u thaftë!
Jam kanë nisë tu dera e probatinit,
Qe nandë vjet, qi gjogu ksajt s’â ra,
M’fal se ndeshkam derën e magjupit!
Se kta syj nji herë un ua kam falë
Tatës e nanës, qi kalben për nan dhe,
Gjergjit tem, qi kalbet varrësh mbi dhe!
A shkue motra tu nallbanjarani.
– Falëmeshndet, thotë, Gjergji të ka çue,
Kam orokun e mejdanit.
Sa ma mirë ket gjog ti me ma mbathë!
Thanë m’ka për patkoj prej tumakut,
Me m’ja shti thumbat prej çelikut,
Se do t’dal m’u pre me baloz t’detit!
Si per vedi gjogun e ka mbathë
Edhe n’pramje çika â dredhë në shpi;
Ka gjetë vllan tu e pritë nën hije t’blinit.
Ça kish ba ay trimi Gjergj Alija?
“Falëmeshndet” balozit m’i ka çue:
– Me dalë heret n’at fushën e mejdanit!
Çikë për ty, baloz, nu’ m’ka qillue,
Desht e vathit për ty nu’ m’janë majë,
Sall nji motër, nu’ po muj me lshue.
Varrët e shtatit s’â kush qi m’i lidhë!
Sa ka nisun drita me zbardhë majet,
N’fushë të mejdanit trimat konkan dalë.
Keq me fjalë trimat shoshojnë po rrekin:
– P’a prej vorrit, Gjergj, ti konke çue…?
Pse me m’qitë, bre burrë, n’ket fushë t’mejdanit?
Sa mirë trimi i ka përgjegjë balozit:
– Të lumët goja, baloz, mirë po thue!
Qe nandë vjet qi kam marrë rrugn e vorrit,
Pak pa mrrijtë baloz, ti m’ke dredhue.
M’ke lypë motrën para se mejdanin,
M’ke lypë berret para se çobanin
E jam dredhë n’ket log për me t’kallxue,
Se ne t’parët nji kanu na kanë lanë:
“Armët me dhanë përpara e mandej gjanë,
Kurr balozit motrën mos m’ja dhanë,
Për pa u pre n’at fushën e mejdanit!
Por shtërngou, baloz, se t’ka ardhë dita,
Se ktu i thonë-o Gjergj Elez Ali!
E i kanë ba dy gjogat tim me tim
E n’topuz balozi e ka shinue.
N’dy gjujt gjogu Gjergjit te i ka ra,
Përmbi kryet topuzi i ka fjurue,
Dymbëdhetë pash m’ledinë u ngul topuzi,
Dymbëdhetë pash përpjetë, si re, u çue pjuhni.
Atherë Gjergjit rendi te i ka ardhë.
Sa mirë trimi n’topuz qi ka dredhë,
Lik përmjet balozit te i ka ra!
 trandë fusha kur â rrxue balozi!
Meiherë trimi shpatën ma ka nxjerrun,
Kryet me neje trupit ja ka damun,
Zhag për kambet trupin e ka ngrehun,
Me gjithë at m’nji bunar e ka mbytun,
Të tanë lumën gjaku e ka tërzue,
Për tri vjet krejt vendin e ka qelbun.
Qatherë trimi â nisë me dredhë tu shpija
Edhe shokët të gjithë m’i ka bashkue:
– Pa ndigjoni, more shokët e mij!
Falë u kofshin sarajet e mija!
Falë u kofshin tanë paret e mija!
E u koftë falë krejt malli e gjaja e shpisë!
Amanet motra e Gjergj Elez Alisë!
Edhe shtatit trimi i paska dhanun,
Motërzezën ngrykas kesh me e marrun,
Të dy zemrat priherë por janë ndalun,
Vlla e motër dekun paskan ramun!
Kurkuj shpirti ma mirë s’i ka dalun!
Gjamë të madhe shokët qi m’i kanë ba!
Po ja çilin nji vorr bukur të gjanë,
Vlla e motër ngrykas për me i xanë
E ‘i muranë të bukur e kahë mbarue,
Vlla e motër kurr mos me u harrue.
E ‘i bli t’bukur, qi m’ja vndojnë tu kryet,
Zogu i verës gjithmonë me pushue.
Kur ka nisun mali me dushkue,
 ndalë qyqja n’muranë t’vorrit t’ri,
Ka gjetë blinin të tanë degash tha.
Ka flurue përmbi ‘i saraj të zi,
Ka gjetë kulmin të tanë shembë për dhe.
M’nji prezor si m’paska hypë,
Ka përbe shtegtarin kah po shkon:
– Amanet, more shtegtari i malit!
N’kofsh tuj kndue ksajt, kajkën me e pushue.
N’kofsh tu kajtë ksajt, gjamën për me e xanë!
Kah kërkova gjithkund bjeshkë e m’bjeshkë,
Kah verova gjithkund vrri e n’vrri,
Kah mjerova gjithkund shpi e n’shpi,
Kërkund s’ndesha m’Gjergj Elez Ali!

Soli për fjalashqipe.com Merita Paparisto

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.