GJETHJA nga Edmond Shallvari

Edmond Shallvari

GJETHJA

Ajo ra dhe pse mes shoqesh
Gjelbëroshe, të shëndetshme
Asaj peme ku prej motesh
Nga një rrënjë njëlloj ushqehej.

Thua ndodh pabarazia
Në mes gjethesh konkurencë?
Unë e di se njerëzia
Këtë plagë e ka prezencë.

Si e vunë në mes shoqet?
Si e lanë ashtu të thahej?
Pa arritur asaj moshe
Kur në pemë s’mund të mbahej?

Ajo ishte aq e re
Plot me ëndrra pranverore
Si arriti dhe u zverdh
Edhe ra si gjethe e moçme?

E pashë vetë me sytë e mi
Se si dridhej e lëkundej
Shoqet lart bënin sehir
Ajo shoqeve ju lutej:

“Amanet vendlindjen time
Mos e lini, si më latë
Unë s’ju hyra kurrë në hise
Hisen time pse e thatë?
Lëreni të lindë sythi
Mos u bëni babëzira
Jemi motra të një trungu
Si në halle dhe të mira”.

Pastaj lotin vesë lëshoi
U shtri tokës dhe pushoi.

ATY KU PREHJE S’PATA

Unë vij si një shtegtar nga qiejt e emigrimit
Harruar nga jam nisur, mosditur se ku shkoj
Mos vallë ky univers, qysh çastin e krijimit
Më lindi si kometë, më vdes si meteor?

Në qofsha pak kometë, shikomëni kalimthi
Si një të arratisur nga ferri dhe parajsa
Nga malli përsëri do kthehem derisa hiri
Diku tokës të bjerë, aty ku prehje s’pata.

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.