GJINJTË nga Vasil Vasili

Vasil Vasili

GJINJTË

-tregim-

Është zonjë e habitshme me trrille. Kështu thuhet. Dhe moshën s’ia përcakton dot, gjithsesi.
Mbase është në ato vite të jetës, që natyra e përgatit gruan për më tej. I vendos rrudha të holla në cepat e buzëve, i merr shkëlqimin e flokëve, sytë ia ujon, pulpat me shkëlqim mishtor ia zbut.
Por ajo, asgjë nga këto sajesa të mbrapshta të natyrës s’ka takuar ende. Dhe unë kështu e pashë në plazh, fanepsje të bukur, që të mbetet përherë në thilenë e kujtesës. Kisha një libër me vete dhe, s’e di se ç’më kishte tërhequr së tepërmi, që s’kisha ndjerë ardhjen e zonjës. Ajo ndodhej përskaj meje, e shtrirë mbi një shtrat plastik të bardhë. Krahët i kishte poshtë qafës si nënkrejsë. Vetiu po i këqyrja linjat e trupit që i kishte të përsosura. S’e shpjegoj dot, pse sytë, më mbetën te gjinjtë. Mbi ashtin e krahërorit ngriheshin dy kodra të bukura. Do ta kisha zgjatur këqyrjen e gjinjëve ende, por zonja foli:
– Djalosh, thotë gjë ai libri tënd për femrat?
– Natyrisht, zonjë.
– Mirë djalosh, vazhdo.
Në të folurën e zonjës s’kishte asgjë fyese, madje mund ta merrje si grishje për bisedë, pas asaj vetmie, që po përjetonim. Edhe pse mendova kështu, m’u duk vetja i zënë në fajin e kërshërisë së tepërt, që të zvetënon para njerëzve. Zonja u ngrit e lehtë nga shtrati i bardhë, shkoi gishtrinjtë me gjest fin nëpër flokë, atë çast flokët i morën formë dhe i dhanë trupit bukurinë e kontrasteve, aq të domozdoshme për një femër të bukur. Zonja iku nëpër plazh, buzë detit, duke lënë një hulli shkëlqimi mbrapa.
Unë ndjeja dhimbje për gjinjtë e zonjës. I kishte me formë të mahnitshme, por brenda tyre, diçka ia thithte hovjen, që të tundon. Ajo erdhi përsëri dhe u ul në shtratin e saj. Mbylli sytë si për ta bërë të bardhë filmin e plazhit dhe humbi në një botë tjetër, të sajuar nga trrillet e saj. Qëndroi ashtu e përhumbur dy orë, me etje në buzët paksa të hapura. Ndërsa unë i këqyrja gjinjtë. Një çast ëndërrova puthjen e thimkave. Ata hapën kanalet dhe, në trupin tim, vërshoi erë e merme trupi femëror. Atëherë zonja lëvizi dhe unë u tremba.
– Djalosh, hiqmi buzët nga thimkat e gjinjëve, pse më pengon diellin të hyjë brenda!
– Zonjë, asgjë nga këto, që thua, s’po ndodh.
Zonja me sytë e mbyllur dhe me gjinjtë lakuriq s’më ktheu përgjigje. Qëndrova edhe pak dhe
ika para kohe nga plazhi. Zonja më kishte zënë në befasi, në dëshirat më të fshehta, madje edhe
me sy të mbyllur.

Natën trokiti dera. E trokitura qe e lehtë si një parfum këndellës. Pata dëshirë, që të përsëdytej e të përsëtretej, por ajo u ndërpre dhe, një zë femre hyri nga dera e mbyllur. – Hape. Kur çela derën pashë zonjën e plazhit. S’di se çfarë gjesti bëra, që zonja tha:
– Çdo gjë jepet vetëm një herë në jetë, e dyta është hije e së parës.
U ula në karriken me thupra bambuje dhe prisja me kërshëri të tregonte pse kishte bujtur në dhomën time. Por ajo s’foli më. Zbërtheu kopsat e fustanit veror, e hoqi atë, e vari në varse, zbërtheu sustën e gjimbajtses, e hoqi dhe e hodhi mbi shtratin tim.
– Djalosh, puthmi gjinjtë, po më pëlcasin nga shëndeti dhe nga bukuria.
– Zonjë…
– Djalosh unë erdha se kam besim tek ty.
– Zonjë…
– Djalosh, puthmi shpejt, shpejt, shpejt!
– Zo…
– Djalosh, kështu si sot i kam patur në moshën e artë tetëmbëdhjetë vjeçare. Ishin gjinjtë më të bukur të ishullit dhe ishulli është shtatë herë më i madh se shteti juaj.
U ngrita nga karigia, vura buzët, që më digjeshin mbi mishin e lëmuar dhe të bardhë të gjinjëve. Nisa t’ia përkëdhel me buzë, me gjuhë në një lojë të çmendur. Thimkat ia mbaja nëpër dhëmbë, dhe çast pas çasti, ia thithja me gjithë forcën e mushkrive. Në gojë vërshonte një ngrohtësi diellore. Në mendje, përsëriteshin çrregullisht fjalët e zonjës, “ ishin gjinjtë më të bukur të ishullit…”
– Oh djalosh, më rrisolle vitet e triumfit tim femëror në ishull.
Zëri i ngazëllente. Pak çaste më pastaj ajo shkëputi lehtë gjinjtë nga goja ime, u bë gati të nxirrte një gjerdan fjalësh, por në çastin e fundmë, i tërhoqi. Ky ishte çasti i vetëm i mëdyshjes, që i spikata, ndoshta qe një dobësi e saj, që ajo e ruajti të pashprehur. Mori gjimbajtsen mbi shtrat, më tha,- mbërthema djalosh,- u pa në pasqyrën vezake me vëmendje femërore, kopsat e fustanit i mbërtheu gjer te gjinjtë. Tani gjithçka po ndodhte shpejt, shumë shpejt.
-Lamtumirë djalosh!
Lamtumira e saj më bëri tokësor. Më dha dhimbje. Dhimbjen e asaj, që po ikën dhe s’do ta kesh më. Dera mbeti e hapur. Dëgjoheshin vetëm kërcitja e takave të saj në shkallët e mermerta. Pastaj qetësi. Asgjë.

Korfuz-Greqi 7.11.1993

 

No Comments Yet

Leave a Reply

Your email address will not be published.